COP 27 - Ndryshimet Klimatike, Kina avancon agjendën globale
2022-11-19 15:47:50

Foto:VCG

Foto:VCG

Midis datave 6 – 18 nëntor 2022 u zhvillua në Egjipt, Konferenca e 27-të e Palëve në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Konferencat e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike janë konferenca vjetore që mbahen në kuadrin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Konferenca e parë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike u mbajt në 1995 në Berlin. Dhe pas saj në vazhdimësi këto konferenca janë zhvilluar në vende të ndryshme të botës, por veçanërisht kryesore janë ato që u zhvilluan në Rio De Zhanejro, Kioto, Paris, Glasgow, etj.

Qëllimi kryesor i kësaj konference është të nxisë veprimin kolektiv për klimën, biodiversitetin, tokën, për të ndihmuar në mbylljen e hendeqeve financiare për zgjidhjet e bazuara në natyrë.

Kjo Konferencë mbledh së bashku qeveritë që kanë nënshkruar UNFCCC, Protokollin e Kiotos ose Marrëveshjen e Parisit dhe në të marrin pjesë krerët e shteteve, ministrat dhe negociatorët, së bashku me aktivistët e klimës, kryetarët e bashkive, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe drejtuesit e korporatave dhe bizneseve të ndryshme,

Konferenca e 27-të e Palëve në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP27) bazohet në rezultatet e takimit të mëparshëm COP26, për të ofruar veprime mbi një sërë çështjesh kritike për trajtimin e emergjencave klimatike, që janë: (1) reduktimi urgjent i emetimit të gazeve serrë, (2) ndërtimi i qëndrueshmërisë dhe (3) përshtatja ndaj ndikimeve të pashmangshme të ndryshimeve klimatike, (4) përmbushja e angazhimeve për financimin e veprimit klimatik në vendet në zhvillim, (5) etj.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gueterres ka theksuar se: “një kuadër ambicioz dhe efektiv i biodiversitetit global pas vitit 2020, me objektiva dhe standarde të qarta, mund ta kthejë natyrën dhe njerëzit në rrugën e duhur”, duke duke shtuar se, “ky kuadër duhet të funksionojë në sinergji me Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike dhe marrëveshje të tjera shumëpalëshe për pyjet, tokën dhe oqeanet”.

Sipas agjencisë më të madhe të lajmeve Reuters, në lidhje me takimin COP 27, zyrtarët kinezë kanë deklaruar: “pavarësisht se sa shumë ndryshon mjedisi i jashtëm dhe pa marrë parasysh sa sfida përballemi, Kina ka vendosmëri të fortë për të arritur këtë vizion të neutralitetit të karbonit”.

I dërguari special i Kinës për klimën Xie Zhenhua tha në takim se “Pekini është i përkushtuar për arritjen e neutralitetit të karbonit dhe beson se multilateralizmi dhe bashkëpunimi janë çelësi për zgjidhjen e ndryshimeve klimatike globale”, dhe ky ishte edhe mesazhi më I rëndësishëm për të tërë partnerët pjesëmarrës në këtë takim, gjë që tregon se Kina do vazhdojë të jetë lider serioz në agjendën ndërkombëtare të përmirësimit të cilësisë së jetës për banorët e globit, duke ndjekur në vazhdimësi qasjen e saj modern ndaj mbrojtjes së mjedisit.

Padyshim që një element shumë i rëndësishëm në këtë takim është edhe evidentimi i praktikave më të mira dhe i mësimeve të nxjerra nga e kaluara, dhe këtu Kina ka se çfarë të ndajë me botën nga përvoja e saj unike.

Një qasje e re që lidhet me këtë takim është edhe fakti se synohet që me anë të Paktit për Çështjet e Gjelbra për Rininë, të përmirësohet bashkëpunimi midis qeverive, rinisë, organizatave të punëdhënësve dhe punëtorëve dhe edukatorëve, që punojnë së bashku për të promovuar një tranzicion të drejtë, duke forcuar kapacitetet dhe aftësitë, sepse janë të rinjtë ata që mund të ofrojnë një transformim ekonomik dhe social në botë.

Përfaqësuesi kinez në COP27, z. Xie Zhenhua(Foto:VCG)

Përfaqësuesi kinez në COP27, z. Xie Zhenhua(Foto:VCG)

Kina po punon që të jetë shembull në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike, reduktimin e efekteve të emetimit të gazeve serrë, shtimin e investimeve në industritë dhe sektorët që kanë intensitet të ulët karboni, mbrojtjen e tokës dhe diversitetit, manaxhimin e mbetjeve urbane, rurale, industriale dhe mjekësore, etj.

Kina ka nënshkruar Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 për klimën dhe është zotuar të jetë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2060, duke ruajtir paralelisht rritjen ekonomike dhe zhvillimin e pandalshëm ekonomik dhe social.

Kina tashmë është më shumë urbane se sa rurale dhe ky proces shton kërkesat për energji, për të fuqizuar qendrat e reja prodhuese dhe industrial. Kjo sjell nevojën e shtimit të konsumit të çimentos dhe çelikut. Nga ana tjetër, me shtimin e të ardhurave të qytetarëve, në Kinë, ka një shtim të numrit të automjeteve individuale. Tashmë në Kinë ka më shumë se 300 milionë automjete, nga rreth 27 milionë që ishin në vitin 2004.

Presidenti Xi Jinping e shikon çështjen e ndryshimeve klimatike si një nga shqetësimet kryesore të administratës së tij dhe Pekini ka ndërmarrë një sërë masash shumë serioze për të trajtuar këtë çështje, duke synuar burimet e rinovueshme të energjisë, përdorimin e energjisë diellore dhe të erës, për të pasur një kapacitet të kombinuar prej 1.2 miliardë kilovat deri në vitin 2030, duke synuar që paralelisht të shtojë sipërfaqen e mbuluar me pyje me rreth gjashtë miliardë metra kub deri në vitin 2030.

Kina ka përdorur energjinë hidrike prej vitesh dhe po instalon më shumë panele diellore dhe gjeneratorë të energjisë së erës si prodhuesi kryesor në botë i këtyre teknologjive. Ajo po rrit gjithashtu kapacitetin e saj të energjisë bërthamore, me shtatëmbëdhjetë reaktorë në ndërtim që nga mesi i vitit 2021. Për më tepër, Pekini dhe disa provinca po stimulojnë përdorimin e automjeteve elektrike.

Në vitin 2020, 1.37 milionë të ashtuquajtura automjete me energji të re – të cilat përfshijnë automjete elektrike me bateri, hibride plug-in dhe me qeliza karburanti me hidrogjen – u shitën në Kinë, me një rritje gati 11% nga viti i mëparshëm.

Gjithnjë e më shumë konsumatorë kinezë po blejnë makina elektrike(Foto:VCG)

Gjithnjë e më shumë konsumatorë kinezë po blejnë makina elektrike(Foto:VCG)

Pavarësisht tensioneve të thella politike dhe ekonomike, Kina dhe SHBA kanë punuar së bashku në të kaluarën dhe ekspertët shohin mundësi për bashkëpunim në të ardhmen. Nën administratën e Barack Obamës, vendet zgjeruan bashkëpunimin midis kompanive, shkencëtarëve dhe ekspertëve kinezë dhe amerikanë për energjinë e pastër dhe teknologjitë e kapjes së karbonit. Në vitin 2014, ata njoftuan së bashku angazhimet për të reduktuar emetimet.

Presidenti Joe Biden ka thënë se “angazhimi me Kinën është thelbësor”. Në prill 2021, gjatë një vizite në Shangai nga i dërguari i Bidenit për klimën, John Kerry, të dy vendet ranë dakord të ecnin në këtë rrugë.

Në dhjetor 2022, qeveritë e vendeve anëtare të COP 27 do të takohen përsëri në Montreal të Kanadasë për të rënë dakord mbi kornizën e re, e cila paraqet një mundësi një herë në dekadë për të siguruar një plan global ambicioz dhe transformues për të vendosur njerëzimin në një rrugë për të jetuar në harmoni me natyrën. “Përmbushja e kornizës do të kontribuojë në agjendën e klimës, ndërsa ofrimi i plotë i Marrëveshjes së Parisit është i nevojshëm për të lejuar që kuadri të ketë sukses”, tha Inger Andersen, kreu i Programit të OKB-së për Mjedisin. "Ne nuk mund të punojmë të izoluar nëse duam t'i japim fund krizave të trefishta planetare. Ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit (si dhe ndotja) janë pjesë e një krize planetare të trefishtë të ndërlidhur me të cilën po përballet bota sot. Ato duhet të trajtohen së bashku nëse duam të avancojmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme në këtë planet”.

Kina angazhohet të jetë promotore e zhvillimeve pozitive mjedisore në rang global dhe synon rritjen ekonomike dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit, padëmtuar mjedisin, një objektiv sa i madh, aq edhe me interes global.