Labinot Azemi, humba fëmijërinë nga bullizimi
2022-11-18 11:23:35

Labinoti i ftuar në një media shqiptare (Foto:Ora News)

Labinoti i ftuar në një media shqiptare (Foto:Ora News)

Bullizmi është një fjalë që po përdoret gjithnjë e më shumë kohët e fundit në shoqërinë shqiptare, ndonëse si dukuri është e vjetër.

“Sot bullizmi është i dukshëm, për shkak të mediave e rrjeteve sociale, që shumë njerëz i shohin si tepsi të përbashkëta. Pa formimin e duhur, por dhe plot probleme e trauma psikike, ata nxjerrin  gjithçka që nuk tretet nga gjellët e këqija, me të cilat, për fat të keq ushqehen nga mëngjesi e derisa bien të flenë, madje dhe vrerin e mëngjesit e nxjerrin, sapo hapin sytë”, thotë shkrimtarja Rita Petro për bullizmin.

Çfarë të mbetet të bësh, kur ndihesh i bullizuar?

Po të hedhësh një sy rreth e rrotull, duket sikur me mënyrën si komunikojmë, nuk paska asnjeri “të denjë” mjaftueshëm për të mos u bullizuar rrotull nesh, se njëri është shumë i dobët, tjetri shumë i shëndoshë, njëri me shumë flokë, e tjetri me pak… Duket sikur çdo njeriu i është gjetur qoftë edhe një defekt i vetëm që ka dhe i është bërë simbol i mënyrës si i referohen të tjerët. Po të mendosh që këto më sipër janë vetëm etiketimet fizike të një bullizmi që fshihet pas shakasë dhe një ligësie që fshihet pas nënqeshjes, atëherë e kupton se çfarë presioni vuajmë çdo ditë në një shoqëri ku duket sikur e kemi modeluar komunikimin me bullizëm të inkorporuar natyralisht.

Në pamje të parë, bullizmi i ngjan talljes. Disa fëmijë i tallin fëmijët e tjerë në mënyrë të përsëritur. Ndonjëherë, disa fëmijë mund t’i tallin të tjerët, sepse duan t’i lëndojnë ose t’i lënë jashtë lojërave. Në këto raste, tallja bëhet bullizëm. Studiuesit janë përpjekur prej vitesh ta përcaktojnë bullizmin, por shembujt janë ata që na afrojnë më tepër.

Labinot Azemi po lufton prej vitesh me këtë dukuri  dhe tashmë më i fortë se kurrë askush nuk e ndal dot më. Labinoti është i lindur dhe i rritur në Ferizaj të Kosovës, ku ka mbaruar shkollimin fillor deri në gjimnaz, për të ndjekur më pas  studimet në Fakultetin e Gazetarisë në Prishtinë. Tashmë një aktivist i lire kundër bullizmit, Labinoti po ndjek studimet dhe për shkenca politike. Përvojën e tij jetësore, Labinoti e ndan përmes një interviste për Grupin Mediatik të Kinës.

CMG: Labinot, sot që shihesh përballë pasqyrës çfarë i thua vetes?

Labinoti duke folur për bullizmin në një shkollë

Labinoti duke folur për bullizmin në një shkollë

Labinot Azemi: Unë tashmë për publikun njihem si një djalë i cili ka eksperienca personale dhe jam nxitur për të luftuar bullizmin. Dua të jap prej vetes shumë më shumë se kaq. Nuk po përpiqem as të jap dije dhe asnjë gjë tjetër, por vetëm eksperiencën time. Ka shumë njerëz që më ndjekin dhe më duan pikërisht për këtë, sepse jam treguar i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë për të rrëfyer jetën time ashtu siç ka qenë.

CMG: Si ndihesh që të rinjtë  të marrin ty si shembull?

Labinot Azemi: Të jesh i guximshëm sot dhe të kthehesh në një djalë shembull, është trimëri e madhe. Pse trimëri? Sepse sot e keqja po dominon mbi të mirën, ndaj pesha është e rëndë, por në fund të ditës ndjehesh i lumtur kur etiketime të tilla të bëjnë të kuptosh se ti po vazhdon ta lësh një shenjë diku. Sigurisht që ka ndikuar mjaft për mire.

CMG: Je shprehur që dëshiron të jesh edhe pjesë e televizionit. Sa e vështirë mund të jetë apo ka qenë kjo për ty?

Labinot Azemi: Shumë e vështirë. Nga emisioni ku u bëra i njohur  më shoqëronte pyetja “Çfarë do të mendojë publiku?” Sepse paksa ka mbetur ndrojtja brenda meje, por me kalimin e kohës e kuptova se njerëzit dhe kamera më duan. Tashmë nuk është problem, por është paska e mundimshme sepse ndiqemi dhe nga fëmijët, prandaj gjithmonë përgatitem para se të dalë në ndonjë program televiziv.

CMG: Si ka qenë fëmijëria jote ?

Foto:VCG

Foto:VCG

Labinot Azemi: Unë fëmijërinë nuk e kam jetuar siç duhet, sepse jam strukur në vetvete prej bullizmit. Kjo pjesë më dhemb shumë sepse nuk e kam jetuar fëmijërinë. Kam qenë i vogël dhe nuk i ndaloja dot. Nëse flasim për pamjen e jashtme jam treguar gjithmonë me gisht, por defektet e mia kanë qenë të lindura dhe jam kështu jo për fajin tim. Më kanë bërë të ndihem shumë keq.

CMG: Si arrite të kthehet nga viktimë e këtij fenomeni në aktivist?

Labinot Azemi: Thjesht  zgjodha të mos i dorëzohem viktimizimit. Ajo që duhet të dimë është se, kur një njeriu bie preh e viktimizimit të bullizmit ai ka dy rrugë, ose të vazhdojë si viktimë, ose të shndërrohet në një njeri që jeton i lumtur, pa ia vënë veshin fjalëve të liga. Unë zgjodha të mposht viktimizimin dhe të jetoj një jetë të mbushur me lumturi.

CMG:Nëse jeta jote do të ishte një rrëfim si do ta nisje ?

Labinot Azemi: Një rrëfim shumë emocional sepse jeta ime ka qenë një sfidë në vetvete, por tashmë e fituar. Unë fitova përballë paragjykimeve.

CMG: Je duke vazhduar me ligjëratat kundër bullizmit në shkollat fillore dhe të mesme. Si  ndikon kjo tek të rinjtë?

Labinot Azemi: Pafundësisht shumë. Në fakt kësaj pyetje më mirë është të lësh të shikosh, jo qindra por tashmë dhe numëroj miliona nëpër kanale nëse i shohim në tërësi. Kjo tregon se ndikimi im ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i madh.

CMG:  Si erdhi ideja e këtij projekti?

Labinot Azemi: Të them të drejtën më ka ardhur një mesazh nga një nënë sapo u bëra i njohur  në publik. Më tha të lutem bëj diçka nëpër shkolla. Unë e kisha veçse si ide, por kjo e fuqizoi akoma më shumë këtë pjesë. Kurse vështirësi nuk kam pasur sepse kisha mbështetje komunale, gjithçka ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë ligjore dhe shumë zyrtare.

CMG: Çfarë do t’i këshilloje viktimave të bullizmit?

Foto:VCG

Foto:VCG

Labinot Azemi: Të zgjedhin lumturinë para vuajtjes. Të mos ua vënë veshin fjalëve të liga, sepse kësisoj do të dëmtojnë vetëm veten e tyre, duke ia bërë qejfin njerëzve të ligj. Le ta dinë me siguri të plotë se  Zoti është në anën e atij që i bëhet padrejtësi. Në këtë rast, në anën e viktimave të bullizmit

Intervistoi: Megi Latifi