Samiti i APEC-ut, Kina synon zhvillimin e hapur dhe përfshirës për Azi-Paqësorin
2022-11-18 15:18:08

foto nga CMG

foto nga CMG

Inflacioni, tensionet e acaruara gjeopolitke dhe pandemia e shekullit kanë shkaktuar uljen e parashikimeve për rajonin e Azi-Paqësorit. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon një rritje të rajonit 4 për qind këtë vit dhe 4.3 për qind vitin e ardhshëm, me një ulje përkatësisht prej 0.9 dhe 0.8 pikë përqindjeje krahasuar me parashikimet e prillit të këtij viti.

Megjithatë, shumë analistë mendojnë se Azi-Paqësori mbetet një pikë relativisht e ndritshme në ekonominë globale gjithnjë e më të errët. Në samitin e APEC-ut që po zhvillohet në Tajlandë, presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu besimin e tij për gjallërinë ekonomike të rajonit, duke e quajtur atë "brezi i zhvillimit më dinamik".

Përballë vështirësive e pengesave të tanishme, në një fjalim me shkrim në samit kreu i shtetit kinez propozoi tre rrugë zhvillimi, që përfshijnë "zhvillimin paqësor", "hapjen e përfshirjen" dhe "solidaritetin".

"Më  shumë se çdo gjë tjetër, ne kinezët shpresojmë të shohim paqe dhe stabilitet," theksoi Xi në samit.

Sipas tij, Azi-Paqësori nuk është oborri i askujt dhe nuk duhet të bëhet një arenë për konkurrencën e fuqive të mëdha. "Asnjë përpjekje për nisjen e një Lufte të Ftohtë të re nuk do të lejohet nga popujt ose nga koha jonë," tha Xi, duke bërë thirrje për një bashkëpunim rajonal përfshirës e largpamës me përfitime të përbashkëta.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Xi bëri thirrje edhe për ngritjen e nivelit të ekonomisë rajonale.

Me 2.9 miliardë popullsi, ose afro 40 për qind të popullsisë botërore, 21 ekonomitë e APEC-ut përbëjnë afro gjysmën e tregtisë globale dhe mbi 60 për qind të PBB-së së botës. Përballë zhvillimeve të reja, anëtarët e APEC-ut kanë nevojë të nxjerrin përvojë dhe mësime nga e kaluara, t'i përballojnë sfidat e kohës dhe të nxitin me vendosmëri integrimin ekonomik rajonal të Azi-Paqësorit, tha Xi në samit.

Ai vuri në dukje rëndësinë e zinxhirëve "të qëndrueshëm e të papenguar" të industrisë e të furnizimit  dhe kundërshtoi orvatjet për dëmtimin ose "madje zbërthimin" e zinxhirëve të formuar në rajon prej shumë vjetësh. Kjo do ta çojë bashkëpunimin ekonomik të Azi-Paqësorit në një rrugë pa krye, u shpreh Xi.

Presidenti kinez përsëriti dhe idenë e "hapjes", duke thënë se "mbyllja e dyerve" sjell vetëm prapambetjen. Ai theksoi gjithashtu ndërlidhshmërinë me standard të lartë. "Kina do të nxitë aktivisht përplotësimin ndërmjet nismës 'Një brez, një rrugë' e strategjive të zhvillimit të palëve të tjera, që të ndërtojmë bashkërisht një rrjet ndërlidhjeje me cilësi të lartë të Azi-Paqësorit," tha Xi.

foto nga VCG

foto nga VCG

Ai theksoi edhe angazhimet e Kinës për zhvillimin e Azi-Paqësorit.

Si një anëtare e Azi-Paqësorit, Kina kërkon ndarjen e arritjeve të zhvillimit të saj me palët e tjera në rajon dhe do të nxitë ndërtimin e një bashkësie me një të ardhmen e përbashkët të Azi-Paqësorit, duke mbajtur më shumë përgjegjësi për nxitjen e stabilitetit e lulëzimit rajonal, tha Xi.

Presidenti kinez premtoi një rrugë të re për ruajtjen e harmonisë ndërmjet njeriut dhe natyrës gjatë procesit të modernizimit të Kinës. "Kina ka qenë ndër vendet me uljen më të shpejtë të intensitetit energjetik në botë," tha Xi në samit.

Ai theksoi gjithashtu shpresën për një botë paqësore. "Do të qëndrojmë në anën e drejtë të historisë dhe do të vijojmë këmbënguljen në paqen, zhvillimin, bashkëpunimin dhe përfitimet e përbashkëta. Do të përpiqemi të mbrojmë paqen e zhvillimin e botës gjatë procesit të zhvillimit tonë dhe do të japim kontribut më të madh për paqen dhe zhvillimin e botës ndërmjet zhvillimit tonë," shtoi Xi. (Wang Lei/ Artan)