Rama në Beograd, konferencë rajonale mbi energjinë e rinovueshme në Ballkanin Perëndimor
2022-11-18 10:46:56

Foto: RTSH

Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte në Beograd ku mori pjesë në punimet e konferencës rajonale “Mbi mundësitë në zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”, njofton “RTSH”.

Kjo konferencë u zhvillua me iniciativë të kryeministrit Edi Rama me homologët e tij të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe mikpritësit, presidentit serb Aleksandër Vuçiç, së bashku me qeverinë norvegjeze.

Konferenca synon të hapë një shteg të ri të bashkëpunimit ndërrajonal në fushën e sigurisë energjetike, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve nordike.

Kryeministri shqiptar diskutoi në panelin “Perspektivat rajonale të energjisë dhe investimet norvegjeze në energjinë e rinovueshme në Ballkan”.

Theks të veçantë kryeministri Rama i kushtoi bashkëpunimi rajonal, i cili luan rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë dhe rezistencën e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në aktualitetin e krizës energjetike.

“Sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe po kështu mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat”,- tha Rama. (Fatosi)