Kina e Japonia zotohen për forcimin e besimit dhe "lidhje konstruktive" në epokën e re
2022-11-18 11:30:10

Foto: VCG

Kina dhe Japonia do të forcojnë besimin politik dhe do të thellojnë bashkëpunimin praktik për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme e konstruktive dypalëshe që përmbushin kërkesat e epokës së re, thanë krerët e të dy vendeve.

Presidenti kinez Xi dhe kryeministri japonez Fumio Kishida u takuan të enjten të enjten në Bangkok të Tajlandës, ku ndodhen për të marrë pjesë në Mbledhjen e 29-të të Udhëheqësve Ekonomikë të Bashkëpunimit të Azi-Paqësorit (APEC).

Hera e fundit që presidenti Xi është takuar me një kryeministër japonez, pikërisht me Shinzo Abe-n, ka qenë në dhjetor 2019.

Të dy vendet kremtuan 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre në shtator të këtij viti.

Duke vënë në dukje se Kina e Japonia janë fqinje të ngushta dhe dy vende të rëndësishme në Azi dhe botë, Xi tha se të dy palët kanë shumë interesa të përbashkët e mundësi për bashkëpunim. Sipas tij, rëndësia e marrëdhënieve kino-japoneze nuk ka ndryshuar e nuk do të ndryshojë.

Përballë mundësive dhe sfidave, të dy palët duhet të respektojnë parimet e përfshira në katër dokumentet politike ndërmjet Kinës e Japonisë, të vazhdojnë të forcojnë besimin e ndërsjellë politik dhe të thellojnë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë dhe të zgjidhin siç duhet dallimet e mosmarrëveshjet nën orientimin e konsensuseve të rëndësishme të arritura tashmë, shtoi kreu i shtetit kinez.

Xi vuri në dukje se të dy ekonomitë janë shumë të ndërvarura e përplotësuese të njëra-tjetrës, prandaj të dy palët duhet të forcojnë më tej dialogun e bashkërendimin në të gjitha nivelet, në fusha të tilla si ekonomia digjitale e zhvillimi i gjelbër, dhe të mbajnë zinxhirë të qëndrueshëm e të papenguar të industrisë dhe furnizimit.

Ai u bëri thirrje të dy vendeve të punojnë së bashku për zhvillimin e shëndetshëm të Azisë, për të përmbushur sfidat globale.

Xi kërkoi gjithashtu shpeshtimin e shkëmbimeve, veçanërisht atyre rinore, pasi të dy vendet kanë epërsi të veçanta lidhur me afërsinë gjeografike dhe kulturore.

Nga ana e tij, Kishida përsëriti se Japonia dhe Kina, si fqinje të ngushta, nuk përbëjnë kërcënim për njëra-tjetrën dhe të dy vendet kanë nevojë dhe duhet të bashkëjetojnë paqësisht.

Sipas tij, të dy vendet kanë detyrën e rëndësishme të nxitjes së zhvillimit paqësor të botës.

Për çështjen e Tajvanit, angazhimet e Tokios  në deklaratën e përbashkët Japoni-Kinë nuk kanë ndryshuar aspak, tha Kishida.