Xi Jinping-u mban fjalim në Mbledhjen e Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut
2022-11-18 17:45:23

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Të premten paradite u mbajt në Qendrën Kombëtare të Konferencave në Bangkok të Tajlandës Mbledhja e Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut. Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në këtë mbledhje dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm me titullin “Unitet, bashkëpunim dhe guxim për të marrë përsipër përgjegjësitë - Ndërtimi i bashkësisë me të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit”.

“Azi-Paqësori është vendi ku jetojmë e punojmë dhe është burimi i rritjes së ekonomisë globale,” vuri në dukje Xi Jinping-u në fjalim. Sipas tij, gjatë dekadave të fundit, bashkëpunimi ekonomik rajonal i Azi-Paqësorit është zhvilluar fuqishëm, duke krijuar “Mrekullinë e Azi-Paqësorit” dhe duke qenë prej kohësh i rrënjosur thellë në zemrat e njerëzve. “Tani bota ndodhet përsëri përpara një udhëkryqi historik dhe pozicioni i Azi-Paqësorit po bëhet më i rëndësishëm e roli i këtij rajoni po spikat më shumë. Në kushtet e reja, të gjithë ne duhet të ndërtojmë një bashkësi me të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit dhe të krijojmë arritje të reja të shkëlqyera në kuadër të bashkëpunimit të Azi-Paqësorit,” tha ai.

Më tej në fjalimin e tij presidenti Xi paraqiti disa propozime.

“Së pari, duhet duhet të ruajmë drejtësinë ndërkombëtare dhe të krijojmë një Azi-Paqësor të qëndrueshëm”, theksoi Xi. Rritja e shpejtë e ekonomisë së Azi-Paqësorit në dekadat e fundit ka qenë një frymëzim i rëndësishëm për respekt të ndërsjellë, unitet dhe bashkëpunim, tha ai. “Kur dalin çështje të rëndësishme, ne duhet t’i diskutojmë ato dhe të kërkojmë emëruesin e përbashkët. Duhet t’i përmbahemi konceptit të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese e të qëndrueshme, të respektojmë sovranitetin e integritetin territorial të të gjitha vendeve, të mos ndërhyjmë në punët e brendshme të vendeve të tjera, të respektojmë rrugën e zhvillimit dhe sistemin shoqëror të zgjedhur nga popujt e të gjitha vendeve në mënyrë të pavaruar, t’u kushtojmë vëmendje shqetësimeve të ligjshme të sigurisë e t’i zgjidhim dallimet e mosmarrëveshjet mes vendeve nëpërmjet dialogut. Duhet të marrim pjesë aktivisht në qeverisjen globale, të nxitim zhvillimin më të drejtë e më të arsyeshëm të rendit ndërkombëtar dhe të ofrojmë garanci për paqen e stabilitetin në Azi-Paqësor dhe në botë,” tha ai.

“Së dyti, duhet t’i përmbahemi hapjes e gjithëpërfshirjes dhe të ndërtojmë një Azi-Paqësor me begati të përbashkët,” vuri në dukje Xi Jinping-u. Sipas tij, vendet e APEC-ut duhet të ngulin këmbë në rajonalizimin e hapur, të forcojnë bashkërendimin e politikave makroekonomike, të ndërtojnë zinxhirë më të ngushtë rajonalë të industrisë e furnizimit, të promovojnë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, të forcojnë procesin e integrimit ekonomik rajonal dhe të ndërtojnë sa më parë një zonë të tregtisë së lirë të Azi-Paqësorit të nivelit të lartë. Gjithashtu, sipas tij, duhet edhe të këmbëngulet te zhvillimi për njerëzit, duke u mbështetur te njerëzit, dhe duke i ndarë rezultatet e zhvillimit me njerëzit, për të promovuar begatinë e përbashkët për të gjithë popujt e Azi-Paqësorit. “Pala kineze dëshiron ta zbatojë me palët përkatëse Marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) me cilësi të lartë, si edhe të vazhdojë të nxitë pjesëmarrjen në Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit dhe Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik Digjital, me qëllim për të forcuar zhvillimin e integruar të rajonit. Në vitin e ardhshëm, pala kineze do të shqyrtojë mundësinë e zhvillimit të Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar ‘Një brez, një rrugë’, për t’i dhënë energji të re lulëzimit e zhvillimit të Azi-Paqësorit dhe të botës,” theksoi Xi.

“Së treti, duhet t’i përmbahemi zhvillimit të gjelbër e me lëshim të ulët karboni dhe të ndërtojmë një Azi-Paqësor të pastër dhe të bukur. Duhet të forcojmë bashkëpunimin ekonomik e teknologjik, të shpejtojmë zhvillimin e koordinuar të digjitalizimit dhe gjelbërimit, të promovojmë përmirësimin e burimeve të energjisë, stukturën e sektorëve dhe strukturën e konsimit dhe të nxitim zhvillimin e gjelbër ekonomik- shoqëror,”u shpreh Xi. Sipas tij, pala kineze do të ofrojë mbështetje ndaj synimit të Bangkokut për realizimin e një ekonomie të gjelbër bioqarkulluese, duke promovuar bashkërendimin e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të ekonomisë. Ai mirëpriti pjesëmarrjen aktivisht të vendeve të Azi-Paqësorit në Nismën e Zhvillimit Global dhe forcimin e bashkëpunimit konkret në fusha të tilla si ulja e varfërisë, ushqimi, energjetika dhe shëndetësia.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

“Së katërti, duhet t’i përmbahemi konceptit të bashkësisë së fateve të përbashkëta dhe të ndërtojmë një Azi-Paqësor me mbështetje të ndërsjellë,” theksoi Xi Jinping-u. Ai bëri thirrje që bashkëpunimi i Azi-Paqësorit të shikohet nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë dhe të ruhet roli i APEC-ut si platforma kryesore e bashkëpunimit rajonal, si edhe drejtimi i duhur i këtij bashkëpunimi. “Duhet të mbështesim qëllimet dhe parimet e APEC-ut, të thellojmë marrëdhëniet  e partneritetit me besim  reciprok, përfshirje, bashkëpunim e përfitime të përbashkëta, të përhapim ‘frymën e familjes së madhe’, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të vazhdojmë të përparojmë drejt  ndërtimit të bashkësisë me të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit,” u shpreh ai.

Xi Jinping-u theksoi më tej se muajin e kaluar u mbajt me sukses Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, duke treguar drejtimin e duke bërë planifikimin e zhvillimit të Kinës në të tashmen dhe në të ardhmen. “Kina është e gatshme të bashkëjetojë në mënyrë paqësore dhe të zhvillohet së bashku me të gjitha vendet mbi bazën e respektit të ndërsjellë, barazisë e përfitimeve të përbashkëta. Kina do të vazhdojë të zbatojë një hapje më të gjerë e më të thellë, t'i përmbahet rrugës së modernizimit me karakteristika kineze, të ndërtojë një sistem të ri ekonomik të hapur të nivelit më të lartë dhe të vazhdojë të ndajë mundësitë e zhvillimit të vet me botën, veçanërisht me vendet e Azi-Paqësorit,” tha kreu i shtetit kinez.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Së fundi, Xi Jinping-u u shpreh se në Tajlandë ka një fjalë e urtë: "Çfarë të mbjellësh, do të korrësh." “Ne kemi mbjellë farat e Vizionit të Putrajaya-s dhe duhet t'i kultivojmë me kujdes e të kujdesemi për to së bashku, për të marrë frytet e zhvillimit të përbashkët të Azi-Paqësor!”, tha presidenti kinez.

Mbledhja, me temë “Hapje, ndërlidhje  dhe balancë”, u drejtua nga kryeministri i Tajlandës Prayut Chan-o-cha.

Në mbrëmjen e së enjtes, presidenti Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan morën pjesë në darkën e mirëseardhjes të Mbledhjes së Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut.   (Fang Xiaoyu/Artan)