Bujqësia shqiptare, sfidat, prioritetet dhe bashkëpunimet globale
2022-11-18 16:30:42

Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së çdo vendi. Shqipëria vitet e fundit po bën përpjekje  për një profil të ri bujqësor më të modernizuar. Prof.asc  Elizabeta Susaj një akademike e njohur e bujqësisë shqiptare, autore e shumë studimeve në këtë fushë, aktualisht specialiste e Sektorit të Menaxhimit të Integruar të Fermës pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjisë Bujqësore Fushë Krujë, për Grupin Mediatik të Kinës sjell një informacion të zgjeruar rreth zhvillimit aktual të bujqësisë, sfidat me të cilat përballet dhe nevojën për bashkëpunim, duke përfituar nga përvojat më të mira botërore.

Prof. asc Elizabeta Susaj në intervistë për GMG (Foto CMG)

Prof. asc Elizabeta Susaj në intervistë për GMG (Foto CMG)

Gjatë punës kërkimore në bujqësi (Foto QTTB)

Gjatë punës kërkimore në bujqësi (Foto QTTB)

CMG: Cila është panorama e bujqësisë shqiptare aktualisht?

Prof.asc. Elizabeta Susaj: Bujqësia është një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në Shqipëri. Produktet bujqësore janë pjesë e formimit të identitetit rajonal të vendit, me një gamë të gjerë të ndryshimeve mjedisore, natyrore dhe klimatike. Shqipëria, megjithëse në shtrirje jo të madhe gjeografike, pra, me një sipërfaqe të vogël të punueshme (24% e sipërfaqes së përgjithshme),  karakterizohet nga një larmishmëri klimash në rajonet e saj, duke bërë që kushtet e pafavorshme të motit në një rajon për kultivimin e kulturave të ndryshme, shpesh të kompensohen nga kushtet optimale në një rajon tjetër. Gjithashtu, nga viti në vit, vërehet një rritje e konsiderueshme e prodhimit bujqësor në serra, duke bërë që nevojat e tregut të brendshëm dhe të atij të jashtëm (kryesisht perime), të mbulohen pak a shumë në të gjithë vitin, pavarësisht kushteve klimatike.

Të dhënat e INSTAT (Vjetari Statistikor i Bujqësisë, 2021) tregojnë se sipërfaqja e mbjellë vitin 2021, janë mbjellë në total 420 600 ha tokë, me drithëra, perime dhe foragjere.

Drithërat kryesore të kultivuara në vendin tonë janë gruri, misri, elbi, thekra dhe tagjitë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipërfaqja e mbjellë me drithëra gjatë vitit 2021 ka qenë rreth 134 337 ha, nga të cilat grurë 54514 ha, misër 58 288 ha, thekër 1318 ha, elb 5071 ha dhe tagjira, kryesisht tërshërë, 15 146 ha. MBZHR, nëpërmjet AZHBR, këtë vit, ka mbështetur financiarisht (me 30 mijë lekë për hektar) një numër të konsiderueshëm fermerësh të cilët kanë mbjellë jo më pak se 1 ha grurë. Këtë vit parashikohet të mbillen rreth 70 000 ha grurë n total nga 54514 ha të mbjellë vitin e kaluar (vjeshtë 2021), me një rritje prej 28.4%.

Perimet, patatet dhe fasulet zënë gjithashtu një peshë të konsiderueshme në prodhimin e bimëve të arave. Në vitin 2021, janë mbjellë në total 33 506 ha perime, nga të cilat perime të njoma (domate, kastravec, spec) 28 557 ha, perime të thata (qepë e thatë, hudhër) 6914 ha, bostanore (shalqin, pjepër) 7523 ha,  120 ha luleshtrydhe (119 ha në Fier dhe 1 ha në Tiranë) 10 378 ha patate dhe 13 363 ha fasule.

Një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore, 219 704 ha ose rreth 52.2% mbillet me bimë foragjere, si jonxhë, tërfil aleksandrin, misër foragjer, lolium, etj, për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë.

Pamje nga trajnimi online (Foto Ambasada e Kinës)

Pamje nga trajnimi online (Foto Ambasada e Kinës)

Po kështu, një vend të rëndësishëm në bujqësinë shqiptare zënë drufrutorët e kultivuar, si pemët frutore (molla, dardha, pjeshka, kumbulla, qershia, arroret, etj) (14 milion e 286 mijë rrënjë), ulliri (10 milion e 746 mijë rrënjë), agrumet (1 milion e 644 mijë rrënjë) dhe rrushi (11 057 ha vreshta dhe 6 milion e 664 mijë rrënjë pjergulla).

Në vitin 2021, sipërfaqja e serrave të mbjella kryesisht me perime, të para dhe të dyta ka qenë 3656 ha.

CMG: Bujqësia organike, bujqësia e zgjuar dhe agroturizmi pritet të bëhen shtyllat e reja në rritjen e ekonomisë shqiptare. Cili është komenti juaj?

Prof. Asc. Elizabeta Susaj: Bujqësia “natyrale” është bujqësia, e cila për të ushqyer bimën, përdor gjithmonë vetëm produkte po natyrale që nuk prodhohen në fabrika nëpërmjet sintezës kimike. Bujqësia “natyrale” ka lindur me njeriun. Fjala natyrale edhe mund të keqkuptohet. Duhet të jemi të qartë: kudo ku ka ndërhyrë dhe ndërhyn njeriu, kudo ku favorizohet të ushqyerit  dhe ndihmohet prodhimi i një lloj bime apo kafshe në krahasim me të tjerat, nuk mund të flitet për natyralitet absolut.

Në ditët e sotme, shumica e njerëzve kanë dëgjuar dhe flasin për  “produkte bio”, “ushqim bio”, “bujqësi organike”, “produkte organike” dhe “ushqime organike”. Fjalët  “bio” dhe “organik/e” përdoren si fjalë që kanë të njëjtin kuptim dhe thonë të njëjtën gjë, pavarësisht se shpesh ka shumë konfuzion për këto dy terma midis njerëzve që nuk janë të profesionit.

Bujqësia organike moderne n botë u zhvillua si përgjigje ndaj dëmit mjedisor të shkaktuar nga përdorimi i pesticideve dhe plehrave kimike sintetikë në bujqësinë konvencionale. Përfitimet e bujqësisë organike janë të shumta.

Së pari, janë përfitime mjedisore që lidhen me rritjen/ruajtjen e biodiversitetit,  mbrojtjen e ajrit, tokës dhe ujit nga ndotësit të cilët vijnë nga përdorimi dhe mbetjet e pesticideve dhe të ushqyesve sintetikë. Kjo ndotje arrin deri tek njeriu si nëpërmjet ushqimit direkt nga bimët dhe kafshët e rritura në kushtet e bujqësisë konvencionale,  ashtu edhe nga bimë dhe  kafshë, tek të cilët nuk janë përdorur produkte sintetike direkt, por që i kanë marrë nga mjedisi i ndotur apo janë u ushqyer me organizma që janë rritur në atë mënyrë.

Së dyti, produktet ushqimore që vijnë nga bujqësia organike konsiderohen më të shëndetshëm për njeriun për faktin se nuk përmbajnë mbetje të kimikateve që përdoren sot në masë të gjerë në prodhimin bujqësor dhe blegtoral.

Me rritjen e popullsisë në nivel botëror është rritur nevoja për ushqim dhe produkte të tjera bujqësore, është pakësuar sipërfaqja e tokës për frymë të popullsisë, prandaj rritja e intensifikimit të bujqësisë apo rritja e prodhimit për një sipërfaqe të caktuar është e domosdoshme. Kjo ka çuar në situatën ku ndërhyrja e njeriut është më e madhe, përdoren më shumë plehra kimike ushqyese për bimët, përdoren më shumë produkte për mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet e dëmtuesit, sepse, pikërisht edhe këta të fundit janë shtuar si rezultat i prishjes së ekuilibrave natyrorë nga ndërhyrja e njeriut.

Së treti, bujqësia organike është sistemi bujqësor që për të ushqyerit e bimëve dhe për kontrollin e sëmundjeve dhe dëmtuesve përdor produkte organike, si plehrat organike të kafshëve, plehrat e prodhuara nga dekompozimi i mbetjeve të bimëve, përdoren bimët bishtajore si batha, bizelja, fasulja, soja, etj, të cilat fiksojnë azotin e ajrit të tokës ose të atmosferës. Bujqësia organike, krahasuar me atë konvencionale,  përdor më pak ushqyes / plehra nga jashtë fermës, ndikon në reduktimin e erozionit të tokës, redukton kalimin e nitrateve në ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore dhe riciklon mbeturinat e bimëve dhe kafshëve brenda fermës.

Sfida për bujqësinë organike në të ardhmen është sigurimi i përfitimeve mjedisore, ndërkohë që rriten rendimentet, ulet kostoja e prodhimit (çmimi), ndërkohë që përballohen sfidat e ndryshimeve të klimës në kushtet e rritjes së popullsisë botërore.

Prof.asc E. Susaj gjatë punës kërkimore (Foto QTTB)

Prof.asc E. Susaj gjatë punës kërkimore (Foto QTTB)

Sipas Vjetarit Statistikor të Bujqësisë, botuar nga INSTAT (2022), numri i fermave organike në Shqipëri në vitin 2020 ka qenë 113, nga të cilat 49 ferma me bimë aromatike mjekësore, 4 ferma me perime, 4 ferma me foragjere, 19 ferma me pemë frutore, 12 ferma me ullinj, 2 ferma me vreshta, 16 ferma me pjergulla, etj, me një sipërfaqe totale prej 1097 ha, nga të cilat 912.6 ha të certifikuara nga “Albinspekt”, një njësi e financuar nga qeveria zvicerane për krijimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së bujqësisë organike në Shqipëri. Fermat organike shqiptare që zotërojnë këtë certifikatë mund të eksportojnë në vende të tjera, por në mënyrë që këto produkte të eksportohen edhe në BE si organike, ato duhet të përdorin metoda të prodhimit organik të përcaktuara në legjislacionin e BE-së, proces që auditohet nga një certifikues i akredituar nga BE. Produktet duhet të kenë logon organike të BE-së, si dhe logon e standardit.

Bujqësia e zgjuar ka të bëjë me përdorimin e teknologjive të reja inteligjente në bujqësi me qëllim rritjen e performancës dhe prodhimit në zonat rurale. Në botë janë zhvilluar disa teknologji, si p.sh, traktorët pa drejtues, dronet ajrore të cilët tregojnë pamjen ajrore të tokës dhe tregojnë sa plehra të përdorin apo të trembin zogjtë, përdorimi i çipeve elektronike të vendosura tek kafshët e fermës i lejon fermerët të identifikojnë bagëtitë nëpërmjet frekuencave radiofonike, programet e menaxhimit të fermave, sistemet GPS të drejtimit të automjeteve bujqësore, pajisjet e mjeljes së lopëve, etj. Nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme që mund të shkarkohen në telefonët smartphone, fermerët mund të kryejnë veprimtari të ndryshme, si matje të thellësisë së tokës, përcaktimin e periudhave të pjellorisë së bagëtive, etj.

Bujqësia e zgjuar në Shqipëri është në fazat e para. Një projekt që mbështetet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), në kuadër të programit EU for Innovation, ka nisur të zbatohet në disa ferma pilot nga Agjencia Rajonale e Zhvillimit Korçë në partneritet me Bashkinë e Korçës. Me anën a imazheve satelitore dhe të indekseve të ndryshme që ofron aplikacioni mund të ndjekësh nga shtëpia ecurinë dhe të marrësh vendime. Indekset për vegjetacionin, klorofilin, stresin ujor dhe të dhëna të tjera në ndihmë të fermerëve në fermat pilot.

Rritja e konkurrencës në tregun global, ndërgjegjësimi ndaj mjedisit, orientimi drejt sektorëve të shërbimeve dhe fokusi i politikës publike për transformimin e zonave rurale në peizazhe tërheqëse, ka nxitur krijimin e një modeli të ri të zhvillimit rural. Agroturizmi paraqitet si një faktor kyç për zhvillimin lokal, sidomos për zonat e margjinalizuara rurale përmes rritjes së pasurisë dhe diversitetit të aktiviteteve fitimprurëse. Strategjia e diversifikimit të aktiviteteve bujqësore ndikon në rritjen e punësimit, mbrojtjen e peizazhit, parandalon shpopullimin dhe braktisjen e kulturave tradicionale dhe ofron teknika më të qëndrueshme në proceset e prodhimit që, nga ana tjetër, kanë ndikime pozitive në biodiversitetin dhe burimet natyrore.

CMG: Ngritja e fermave moderne, a është një prirje e bujqësisë shqiptare?

Prof. Asc Elizabeta Susaj: Ngritja e fermave moderne në Shqipëri është relativisht e re. Fermat e para moderne kanë qenë komplekset e mëdha blegtorale të cilat futën teknologjitë moderne të prodhimit të qumështit, mishit dhe vezëve dhe disa kompani agropërpunuese të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Këto ferma u ngritën nga sipërmarrës të rinj dhe me vizion.  Serrat izraelite apo të teknologjive të tjera moderne, p.sh, me sensor temperature, me sensor lagështire, etj, për kultivimin e perimeve të hershme (domate, kastravec, spec, etj) dhe luleshtrydhe, kryesisht për eksport në vendet e rajonit dhe më gjerë, serrat e luleve, etj, janë një tjetër rast i fermave moderne me perspektivë. Po kështu, vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit në serra – një metodë moderne dhe mjaft efektive, që garanton prodhime të hershme rrushi për eksport, duke siguruar të ardhura të mira për fermerët. Fermat moderne zënë një përqindje shumë të vogël, krahasuar me numrin e madh të fermave familjare. Për momentin, nuk mund të themi se është një prirje e bujqësisë shqiptare, për shkak se vetë madhësia e vogël e fermave nuk e lejon një gjë të tillë. Vetëm bashkimi dhe kooperimi mund të shërbejë si një mjet për modernizimin e bujqësisë shqiptare.

CMG: Sa ka ndikuar teknologjia në zhvillimin e fermave?

Prof. Asc. Elizabeta Susaj: Sipas studimeve të kryera ndër vite nga kërkues të ndryshëm, teknologjia e kultivimit të bimëve apo mbarështimit të kafshëve të fermës ndikon në 50% të prodhimit të realizuar, ndërkohë që 50% tjetër ëstë rezultat i farës së zgjedhur për bimët apo racës së kafshëve që mbarështohen. Kjo do të thotë që sado e mirë e prodhuese të jetë fara e një kulture, asnjëherë nuk mund të merret prodhimi maksimal pa zbatuar një teknologji të përparuar.

Specialistët e Drejtorisë së Teknologjive Bujqësore në QTTB Fushë-Krujë, ku bëj pjesë edhe unë prej një periudhe disavjeçare, prodhojnë dhe transferojnë teknologjitë më të mira në vend, testojnë, krahasojnë dhe rekomandojnë kultivarët dhe hibridet më të mirë të kulturave foragjere në kushtet e vendit tonë. Disa nga studimet që po kryhen janë: testimi dhe krahasimi i kultivarëve të tërfilit aleksandrin, testimi dhe krahasimi i kultivarëve të jonxhës, testimi dhe krahasimi i kultivarëve të loliumit, testimi dhe krahasimi i kultivarëve të elbit, testimi dhe krahasimi i përzierjeve / bashkëshoqërimeve foragjere graminore + bishtajore,  prodhimi i gjeneracioneve të larta (paraparabazë, parabazë dhe bazë) të farës së kulturave jonxhë, tërfil aleksandrin, lolium, tërshërë, etj.  Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe asistencën teknike ndaj fermerëve, specialistëve të Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB), tregtarëve të inputeve bujqësore, etj, nëpërmjet trajnimeve, ditëve fushore dhe aktiviteteve të tjera.

Puna në bujqësi (Foto QTTB)

Puna në bujqësi (Foto QTTB)

CMG: Ditët e fundit u zhvillua ceremonia e diplomimit të trajnimit për ndërtimin e fermave moderne në Shqipëri. Ky është një projekt i rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit në trajnimin e burimeve njerëzore midis Kinës dhe Shqipërisë, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Mekanizimit Bujqësor të Kinës. Pesëdhjetë e gjashtë studentë nga fushat e mësimdhënies bujqësore, kërkimit shkencor dhe agrobiznesit në Shqipëri kanë përfituar njohuri të thella të përvojës së zhvillimit te Kinës të bujqësisë së zgjuar, bujqësisë ekologjike, makinerive dhe pajisjeve bujqësore. Cili është mendimi juaj për këtë bashkëpunim?

Prof.asc.Elizabeta Susaj: Specializimet dhe trajnimet janë mjete të forta informimi mbi përparësitë e ngritjes dhe zhvillimit të bujqësisë moderne dhe bujqësisë së zgjuar në ditët e sotme. Ky është një mjet shumë i mirë për të transferuar këtë informacion tek nxënësit, kërkuesit apo specialistët të cilët kanë patur fatin të ndjekin këtë trajnim. Ky është një projekt shumë i mirë i  Akademisë së Shkencave të Mekanizimit Bujqësor të Kinës. Shumë kolegë të mitë kanë marë specializime në Republikën Popullore të Kinës nëpërmjet trajnimeve të organizuara atje, qoftë para periudhës së pandemisë, por dhe pas saj. Këto trajnime shërbejnë si një dallandyshe, sepse duke e ditur që Kina ka një popullsi rreth 1.4 miliard banorësh dhe për këtë popullsi ka punuar për ngritjen dhe zhvillimin modern të bujqësisë. Eksperienca e tyre nëpërmjet këtyre trajnimeve është transferuar në fermat shqiptare.

CMG: Edukimi i të rinjve të këtij profili mendoj se do të jetë me interes. Ju theksuat më parë se bashkëpunimet e Shqipërisë në bujqësi kanë një gjeografi të zgjeruar, si me Izraelin, Suedinë dhe shembulli i Kinës në zhvillimin bujqësor të zgjuar, a do të jenë në dobi të zhvillimit të bujqësisë shqiptare?

Prof. Asc Elizabeta Susaj: Patjetër. Shpresoj që në të ardhmen ashtu si vendet e tjera ne të ecim përpara, veçanërisht duke patur si perspektivë Bashkimin Europian ne duhet të përshtatim teknologjitë tona të kultivimit, prodhimin bujqësor dhe blegtoral me kërkesat e legjislacionit europian që të jemi konkurrues në tregun europian, pavarësisht se jemi vend i vogël dhe profili ynë është i kufizuar për shkak të sipërfaqes së vogël. Ne mund të konkurrojmë me cilësinë e prodhimit, me kohën e daljes në treg të prodhimit, të cilat mund t’i shfrytëzojmë shumë mirë.  

Trajnimi nga Kina për specialistët shqiptarë të bujqësisë (Foto Ambasada e Kinës)

Trajnimi nga Kina për specialistët shqiptarë të bujqësisë (Foto Ambasada e Kinës)