Përkujtohet 120 vjetori i lindjes së artistit Mihal Ciko
2022-11-18 11:49:34

Ne perkujtim te 120 vjetorit te lindjes se Artistit Mihal Ciko (Foto CMG)

Ne perkujtim te 120 vjetorit te lindjes se Artistit Mihal Ciko (Foto CMG)

Javën e kaluar u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ceremonia përkujtimore me rastin e  120 vjetorit të  lindjes së artistit të parë lirik shqiptar, themeluesit të Filarmonisë së Operas, baritonit Mihal Ciko. Në përkujtim të tij, i biri i artistit Maestro Zhani Ciko ftoi personalitete të artit si Drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina,  artistë të njohur të skenës shqiptare, etj, të cilët dhuruan një mbrëmje artistike kushtuar  Artistit Mihal Ciko, një dëshmi e përjetshme dhe vlerë e shtuar e kujtesës sonë artistike. Një mbrëmje mes miqsh, familjarë të artistit ndoqën në Hollin Koncertor të Teatrit të Operas dhe Baletit dokumentarin "Rrënjët" i realizuar vite më parë, me  skenar  nga Teodor Laço,  Viktor Gjika, por edhe shumë kujtime që ndanë personalitete të ftuar si, Dr. Behar Arllati, Johan Botka, Pandi Bello, etj.

Fillimisht si bashkëthemelues i “Shoqërisë së Arteve të Bukura” në Korçë, artisti Mihal Ciko më pas si drejtor muzikor në “Radio Tirana” iu dedikua edhe ngritjes së orkestrës. Ai dha mësim në Liceun artistik e më tej në Institutin e Arteve, ndërsa pas themelimit të Operës punoi aty si regjisor, pedagog e solist. E veçanta e mbrëmjes së përkujtimit të artistit ishte edhe pjesmarrja e sopranos Ramona Tullumani, e cila interpretoi për nder të artistit Mihal Ciko, i cili ishte edhe profesori i gjyshit të saj, Ramiz Kovaçi. Në këtë mbrëmje artistike nuk munguan pjesë nga kompozitorët me famë botërore si, Giacomo Puccini, Georges Bizet,  për ta mbyllur me disa fjalë zemre që ndau me miqtë i biri i artistit Mihal Ciko,  Maestro Zhani Ciko si dhe bashkëshortja e tij Prof. Rudina Ciko, e cila interpretoi në piano një vepër  nga krijimtaria e kompozitorit Claude Debussy.

Maestro Zhani Ciko përkujton babain e tij nëpërmjet një interviste për Grupin Mediatik të Kinës.

Maestro Zhani Ciko ne interviste per CMG)

Maestro Zhani Ciko ne interviste per CMG)

CMG: Kemi dëgjuar për vlerat artistike të babait tuaj, por na tregoni për kujtimet që mbartni ju?

Zhani Ciko: Në jetën tonë familjare marrëdhënia ime me babain Mihal Ciko ishte shumë e veçantë, për arsye se ato nuk ishin thjesht marrëdhënie atërore me birin e tij. Sigurisht që i përkisnin viteve të para, por ato u lidhën ngushtë edhe kur unë fillova të studioja muzikë në moshën 4 vjeçare, atëherë kur daja im, kompozitori Nikolla Zoraqi, më vuri duart përpara tastierës së violinës. Që atëherë dhe për një periudhë shumë të gjatë, nuk u ndava prej saj. Përfundova gjjthë studimin tim muzikor, shkollën dhe punova në vitet e para me instrumentin e violinës, por më pas jeta ime mori një rrjedhë tjetër. Në këtë kohë im atë ishte personi që e mori shumë seriozisht studimin tim të violinës. Nuk i mati rezultatet e mia me rezultatet e kolegëve të tjerë, apo rezulatet e shkollës në Shqipëri, konktretisht Liceut Artistik, por ai kishte pikësynime të tjera dhe donte që unë të arrija një nivel profesional jashtë vendit tonë, që i përkiste fantazisë së tij në atë kohë. Ai mendonte se zhvillimet do të ishin të tilla, një shkollë që përgatiste nivele të ndryshme artistësh.  Kjo kërkesë ka patur një ndikim shumë të madh në jetën time, për të mos qenë i kënaqur as unë me rezultatet e mia, por padiskutim edhe im atë.

CMG: A ju ka komplimentuar ndonjëherë babai juaj dhe si e kujtoni atë moment?

Zhani Ciko: Kanë qenë të rradha momentet kur ai mund të më ketë bërë ndonjë kompliment në ndonjë koncert. Mbaj mend kur kam dalë në një koncert kur isha nxënës në klasën e tretë, dhe  Liceu Artistik organizoi një koncert të madh, në sallën e Teatrit Popullor, ish Teatri Kombëtar. Unë isha i vetmi nxënës i klasave të ulta sepse aty interpretonin nxënës të klasave më të larta. Mund të them se  isha nxënësi i parë që përfaqësoja klasat e ulta të fillores. Aty luajta një koncert për violinë që  dukej  një arritje për ato vite, një koncert të cilin edhe kur ua kemi mësuar studentëve më të avancuar me vonë, është dashur një vit përgatitje për ta realizuar. Në atë kohë  të gjithë më komplimentuan,  por babai im mbaj mend që më tha; "mirë, por duhet më shumë punë". Vërejtjet e tij ishin konkrete.

Këto nxitën atë që, unë veten time e shihja me modesti dhe nuk kënaqesha kollaj me arritjet e mia, pavarësisht notave të cilat ishin maksimale. Kjo ndikoi edhe në drejtimet e tjera. Klima në shtëpinë tonë edhe marëdhëniet në artin muzikor brenda familjes, jo vetëm me mua që studioja violinë, por dhe motra ime që studioi piano për një periudhë kohe. Gjithashtu edhe marëdhënia me dajën tim, i cili ishte në fillimi violinist, e më vonë kompozitor Nikolla Zoraqi, vërtiteshin rreth muzikës, e gjithçka i kushtohej asaj. Takimet familjare të dielave në shtëpinë  e motrës apo dajallarëve të mi, dreka shtrohej më e zgjeruar. Këtu kupa e verës e cila nuk mungonte ishte që nxiste muhabetin dhe debatin. Në atë kohë unë më shumë isha dëgjues sepse isha ende i vogël për të marë pjesë në ato muhabete, por nga ana tjetër shihja qëndrimet e ndryshme të cilat ishin sipas prirjeve. Nuk mungonte respekti për muzikën e madhe dhe qëndrimi i babait tim që unë, apo edhe daja im i cili  ishte  më i rritur se unë, dhe ishte në hapat e para të tij të karrierës si kompozitor, babai e nxiste që ai të synonte veprat e gjinive të mëdha dhe të shkruante  pa ngurim vazhdimisht muzikë. Babai kërkonte që jeta artistike e jona të ishte më e gjallë dhe pavarësisht se shfaqjet ishin të kufizuara, ai besonte se arti i madh do të triumfojë gjithmonë. Dhe për këtë ai synonte që edhe unë të isha i përgatitur për të ardhmen.

Mihal Ciko (Foto nga facebook)

Mihal Ciko (Foto nga facebook)

CMG: A i arriti babai juaj sukseset e tuaja në art?

Zhani Ciko: Shqipëria gjithmonë ka avancuar edhe pse në Shqipëri nuk ka pasur një art të avancuar, artisti Mihal Ciko arriti t’i mbërrijë zhvillimit të hershëm, por edhe të mëvonshme deri në fund të viteve '80. Babai nuk arriti t’i mbërrinte dot sukseset e mia jashtë shtetit, do të ishte gëzim shumë i madh. Po në rast se njeriu dhe shpirti i tij i ndjek personat e dashur, mendoj dhe jam i bindur se ai është gëzuar duke ndjekur zhvillimet tona. Babai gjithmonë donte që të shtronte kërkesën: "Mos u kënaq nëse bëre këtë apo atë arritje". Ai kërkonte  rezultate  përherë edhe më të larta dhe këtë nuk e kishte vetëm me mua, por me të gjithë studentët e tij, të cilët vinin herë pas here në shtëpi tonë. Ata vinin e merrnin pjesë edhe në tryezat tona të së dielës, ishin gati si fëmijët e tij. Çdo gjë na gatuante me kujdes mamaja ime, e cila kishte mjaft impenjime në atë kohë, por nuk përtonte asnjëherë  të gatuante. Gëzimet familjare na karakterizonin në atë periudhë. Kujtimet janë të shumta deri në ditët e fundit të jetës së tij intensive. Janë gjithmonë midis një artisti të formuar me një diferencë me ne dhe që kishte një autoritet. Asnjëherë marrëdhëniet tona nuk kanë qenë të një babai shok, por të një babai autoritar, shumë mirëkuptues, pra në të njëjtën kohë autoritar dhe i afërt. Nuk ka patur asnjëherë ndonjë pakënaqësi nga ana e tij, ai thonte dy fjalë dhe kjo mjaftonte për mua. Kam pasur fatin që kisha dy prindër  me vlera të larta profesionale, qytetare dhe patriotike.

Mihail Ciko është i pari artist lirik shqiptar që ka hapur artin  vokal  në Shqipëri. Nga bankat e “Mësonjëtores së parë” e deri tek studimet për kanto në Bukuresht, që u konsoliduan më tej në konservatorin “Giuseppe Verdi” të Milanos, Mihal Ciko talentin dhe edukimin e tij e investoi në vendlindje. Që në vitet ’20 bashkë me personalitete të artit e kulturës si Lasgush Poradeci, Vangjush Mio e të tjerë ai nisi të jepte kontributin e tij në vend e më pas në themelimin e Filarmonisë së Operas dhe hapjen e degës së kantos. Gjatë këtij përkujtimi Maestro Zhani Ciko kujtoi edhe ndihmesën që ka dhënë i ati i tij në njohjen e origjinës së aktorit Aleksandër Moisiu, me të cilin ka patur miqësi. Historia e  muzikës lirike shqiptare  është e lidhur ngushtë me emrin e Mihail Cikos si interpret, krijues dhe pedagog i Katedrës së Operas. Viktor Gjika e Teodor Laço e kanë përjetësuar krijimtarinë e historinë përtej saj të Mihal Cikos, përmes dokumentarit “Rrënjët”, që u rishfaq edhe në këtë përvjetor lindjeje, ku u pasqyruar puna e tij, talenti, përkushtimi, karakteri i tij i fortë dhe vendosmëria për të qenë një nga iniciatorët e artit lirik shqiptar.

Intervistoi: Sava Lena

Maestro ZHani Ciko (Foto nga facebook)

Maestro ZHani Ciko (Foto nga facebook)