Gjeto Luca është këngëtar i njohur, stili i të cilit është unik dhe njerëzit e konsiderojnë si përfaqësuesin e tyre kur bëhet fjalë për trashëgiminë dhe traditat shqiptare. Ai dallohet për bashkëpunimet e shumta me këngëtaren Ingrit Gjoni në këngët "Hajde sonte", "Mbretëreshë", me të cilën morën pjesë në “Netët e Klipit Shqiptar 14” në vitin 2015. Një tjetër bashkëpunim i këngëtares Ingrid Gjoni me Gjeto Lucën është videoklipi "Fustani Pika Pika" dhe këngën "Flakë". Ndërsa në vitin 2019, Marko dhe Gjeto Luca publikuan videoklipin "3000 Vjet", ku janë tekstshkrues. Për gjithë këto bashkëpunime, jetën e tij artistike dhe shumë më tepër se kaq, këngëtari Gjeto Luca flet në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës.
Gjeto Luca
CMG: Ju jeni një personazh i dashur për publikun, si kanë qenë fillesat tuaja?
Gjeto Luca: Karriera ime ndër vite ka qenë sa e bukur edhe sfiduese. Nisja ime ka qenë në moshë shumë të re, kur zgjidheshim që të vegjël si vokale më të bukura dhe unë kisha nisur t’i bija lahutës sepse e kisha trashëgimi nga familja ime. Kur mora pjesë në një festival pionieri u zgjodha si vokal i fortë, i rëndësishëm dhe aty nisi gjithçka. Fillova ta ushtroj edhe më tepër lahutën që ta zhvilloja, pasi nuk kisha arritur akoma t’i bija ashtu si duhej. Mora pjesë në disa festivale folklorike dhe u hodha në treg si lahutari më i ri i trevave shqiptare. Për gjashtë muaj më dërguan në Romë për të ushtruar profesionin por u mërzita tepër atje.
Më pas bëra një tekst që më nxorri nga mërzia, një tekst për emigracionin. U ktheva në Shqipëri në një studio shumë të vogël në Lezhë dhe arrita me një grup shokësh që ta bëj si këngë. Asokohe ka qenë media e parë “TV Lezha” e cila e transmetonte mbi 20-të herë në ditë këngën time. I gjithë qyteti më donte dhe ndihesha i privilegjuar. Ky ishte një sukses i shpejtë dhe jo shumë i pritur, por ndonjëherë në jetë ka shumë shanse.
CMG: Çfarë vlerësoni më tepër tek vetja, si artist?
Gjeto Luca: Nisur nga ajo që të tjerët duan, arrij të kuptoj që vokali im dhe forca ime janë shumë të ëmbla për dëgjuesit. Nuk kam pasur vështirësi për t’u treguar se kush jam, kurrë... Më kanë dashur njerëzit. Natyra ime është e tillë që nuk tërhiqem mbrapa. Sot numëroj mbi 90-të këngë me 99% tekste të miat. Çdo këngë e imja ka qenë pjesë e jetës sime. Pra, aty gjen pak nga realiteti im.
CMG:Çfarë i thua më shpesh vetes?
Gjeto Luca dhe Ingrid Gjoni
Gjeto Luca: Kjo në fakt është pak për të qeshur sepse vetes sime përherë i kam thënë: “Ti ke lindur artist dhe ti ke një ndër vokalet më të fuqishme dhe të ëmbla në shqiptari”. Këto unë ja kam përsëritur vetes gjithmonë. Nëse nuk e bindim ne veten, kush do ta bëjë? Dua të ndaj një detaj, unë kam shumë frikë nga udhëtimet me avion. Por, vetes i kam vendosur një qëllim “Të udhëtoj botën me avion” Ky ka qenë qëllimi im më i madh dhe ja kam arritur.
CMG: A jeni produkt i ëndrrave apo i fatit?
Gjeto Luca: Jam produkt i një pune shumë të madhe, por edhe të një fati të cilin e kam ndjekur ngadalë. Bëj pjesë tek njerëzit të cilët nuk nxitojnë për t’i bërë gjërat sepse nuk dua të ngjitem në shkallë që nuk më takojnë, dua t’i marr shkallët dalëngadalë.
Bëj pjesë tek shtresa e mesme e shoqërisë, e cila është më e bukura. Duke qenë kështu mendoj që 99% të ëndrrave i kam plotësuar dhe atë 10% që ka mbetur po punoj për ta realizuar. Ëndrra ime e fundit është që të realizoj djalin tim, i cili është në vitin e fundit në Akademinë e arteve dhe shumë shpejt do të nxjerrë këngën e tij të radhës. Ka bërë tre këngë me mua, por tani është momenti ta vazhdojë vetë. Nëse djali im do të ecë në karrierë, atëherë unë do jem i plotësuar.
CMG: Kush ju ka mbështetur më tepër gjatë karrierës suaj?
Gjeto Luca: Mua më ka mbështetur së pari publiku i Lezhës, ata të cilët më duan dhe i dua së tepërmi. Kam bërë tre recital, të cilat janë pritur shumë mirë, pra po flasim për vitet e para të karrierës dhe nuk ka pasur as vende ku të rrinë njerëzit.
Tekstet e këngëve unë zakonisht i bëj vetë, por dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Të gjitha hitet që kam bërë janë për të falënderuar shumë bashkëpunëtorët. Por, një ndër njerëzit që më ka mbështetur më tepër në jetë është partnerja ime, pavarësisht orëve të gjata në punë etj. Ajo është treguar mirëkuptuese dhe unë e falënderoj.
CMG: Sa të pasur ju ka bërë muzika?
Gjeto Luca
Gjeto Luca: Unë jam një njeri që punoj shumë dhe si çdo njeri që përkushtohet, kam marrë frytet e investimit që kam bërë dhe mund të them se jetoj mirë.
Komercial s’do të thotë të mos dish të këndosh live Vera përgjithësisht, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolegët është e ngarkuar me koncerte. Gjithsesi, unë do përpiqem të gjej pak kohë për të pushuar me të dashurit e zemrës.
CMG: Cila është kënga juaj që e zgjedh më të bukurën?
Gjeto Luca: Në fakt unë kam dy këngë që i dua shumë, sepse kanë ndikuar në karrierën time. E para ka qenë kënga që kam bërë gjatë viteve në emigrim dhe kënga e dytë është ajo që kam bërë me Ingrid Gjonin “Mbretëreshë”. Kjo këngë i është dedikuar femrës shqiptare dhe jemi shumë të lumtur që e kemi sjellë.
CMG: Karrierë më mirë në Shqipëri, apo jashtë vendit?
Gjeto Luca: E gjithë bota është e jona në fakt. Të gjithë ata që duan të bëjnë karrierë mund ta bëjnë këtë gjë në Shqipëri edhe jashtë saj. Për fatin tonë të mirë shqiptarët janë kudo. Rëndësi ka të duan të jenë të suksesshëm dhe të punojnë për atë gjë.
CMG: Çfarë është për ju muzika?
Gjeto Luca: Muzika për mua është shoku më i mirë i jetës, pa muzikë nuk ka dashuri dhe asgjë tjetër. Muzika është pjesa ngjitëse e jetës sime.
CMG: Me çfarë projektesh jeni duke u marrë?
Gjeto Luca: Njërin nga projektet e mia e kam me trashëgimtarin e muzikës sime , Markon. Marko do ta ketë edhe më të lehtë sepse do ta mbështes në gjithë rrugëtimin e tij. Pres që muzika jonë të jetë trashëgimi ndër breza.
I njohur si një prej këngëtarëve më të spikatur të muzikës live, Gjeto Luca ka përsëritur edhe njëherë suksesin me Ingrit Gjonin. “Fustani pika pika” është kënga që e riktheu edhe njëherë këtë dyshe. Një mbështetës i artistëve të rinj, këngëtari thotë po kultivojnë të kënduarit live.
CMG: Nga të kënduarit live në klipe, si është ky ndryshim për Gjeton?
Gjeto Luca: Unë nuk kam hequr dorë për asnjë moment nga mbrëmjet live, kështu që investimi në klipe thjesht mendoj që e pasuron CV-në time.
CMG: Ku e shijoni më shumë këngën, në skenë apo në klip?
Gjeto Luca: Pa diskutim adrenalinën që të jep skena dhe publiku, nuk ta jep asnjë klip, edhe më i bukuri në botë. Përballja me publikun është ajo që të jep emocion dhe pafund kënaqësi për të kënduar.
Intervistoi:Megi Latifi