Adoleshentët në kërkim të identitetit
2022-11-18 10:31:06

Fjala adoleshencë vjen nga fjala latine ‘’adolesceso” që do të thotë pjekuri, rritje. Adoleshenca është periudha ku fillojnë pjekuria dhe ndryshimet fizike, seksuale, emocionale, psikosociale dhe kognitive. Kjo është periudha kur individi kalon nga fëmijëria,  të marrë përgjegjësitë e të rriturve. Adoleshenca e hershme (11-13vjeç) karakterizohet me ndryshime të dukshme fizike. Te shumica e personave  adoleshenca fillon në periudhën 12-13  vjeçare, por ka raste edhe nga mosha 9 vjeçare, sidomos te vajzat. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Këto ndryshime sjellin shqetësime te disa adoleshentë. Pjesa më e rrezikshme e adoleshentëve është ajo e adoleshentëve që arrijnë pjekurinë më herët se moshatarët. Zakonisht vajzat arrijnë pjekuri të hershme dhe kjo ndikon në shfaqjen e depresionit, abuzimit me droga dhe disa çrregullime në të ushqyerit. Djemtë që arrijnë pjekuri të vonshme, ka gjasa të shfaqin shenja depresioni, konflikte me prindër dhe vështirësi në të mësuar, sidomos nëse janë më të shkurtër se moshatarët e tyre e përjetojnë keq. Gjatë adoleshencës rëndësia e moshatarëve rritet dukshëm. Ata kërkojnë mbështetje nga moshatarët për t’u përballur me ndryshimet fizike, sociale dhe psikologjike, sepse moshatarët përjetojnë të njëjtën eksperiencë . Marrëdhëniet e adoleshentit me prindërit, mësuesit dhe të rriturit e tjerë janë të përmbushura me konflikte dhe moskuptime. Në kërkim të identitetit insiston për pavarësi, por prindërit janë “pengesë” dhe kjo është arsye e konflikteve, sidomos me prindër autoritarë dhe kontrollues. Adoleshenti identitetin e ndërton duke ju referuar ndonjë personi nga grupi që ndërvepron dhe ka marrëdhënie të ngushta apo me ndonjë individ që ka interesa te përbashkëta si fetare, etnike etj. Ata joshen nga vlerat e një personi i cili mund të jetë një artist, mësues ,vëlla, një shok. Adoleshentët janë të ndikuar nga disa role që duhen integruar në një identitet personal. Adoleshenti eksperimenton më shumë role derisa ta bëjë një zgjedhje që do ta karakterizojë si identitetin e tij.

Shumica e studiuesve bien dakord se adoleshentët duhet të përballojnë dy detyra zhvillimi: formimin e një identiteti, që do të thotë krijimi i vetes së integruar që kombinon një mënyrë të harmonizuar, elementë të ndryshëm të personalitetit dhe arritjen e pavarësisë prej prindërve të tyre. Për Grupin Mediatik të Kinës punonjësja sociale Loreta Kruja jep disa këshilla në lidhje me këtë temë.

Foto:VCG

Foto:VCG

CMG: Në shumicën e  rasteve si e ndërton adoleshenti identitetin e tij dhe duke ju referuar kujt?

Loreta Kruja: Zakonisht adoleshentët e krijojnë identitetin e tyre duke parë disa modele, ata modelojnë sjellje të rrjeteve sociale, të bashkëmoshatarëve të tyre që mund të jenë më të fuqishëm, që mund të kenë më shumë post, më shumë të ardhura ekonomike, pra shpeshherë adoleshentët janë të prirur të modelojnë sjellje të gabuara.  Nëse adoleshentët do zgjidhnin modelin e një personi të suksesshëm, ata nuk e vlerësojnë dot faktin se këta adoleshentë nuk e kuptojnë se si e kanë arritur këtë post e këtë pushtet, thjesht duan të imitojnë dhe të jenë si ata, prandaj shohin modelet në media, në jetën sociale  dhe jo modele të frytshme.

CMG: Në këtë moshë shumica e fëmijëve fillon të bien nga mësimet, por cila është rruga që prindi duhet të ndjekë?

Loreta Kruja: Zakonisht adoleshentët në këtë moshë fillojnë të bien nga mësimet dhe humbasin interesin për shkollën,  prandaj roli dhe rëndësia më e madhe në këtë moment janë prindërit. Ata mendojnë se shkolla nuk është e rëndësishme, duke dashur që të formojnë personalitetin dhe duke qenë se janë në konflikt  për identitetin e tyre, sepse në të vërtetë ata nuk dinë se çfarë duan, janë në konflikt të ëndrrave, të mendimeve, ndjenjave, janë në konflikt se nuk e dinë se kush janë ata  vetë. Nuk e kanë fokusin tek mësimet, por tek diçka që arrihet më shpejt. Në këtë rast duhet që prindi të ndërhyjë dhe elementi kryesor janë pikërisht prindërit sepse ata e kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me ta. Prindërit janë në një sfidë të madhe sepse adoleshentët kanë të bëjnë me mënyrën e ndryshimit të të menduarit, ndryshimit të sjelljes, ndryshimit të kohëve sepse nëse do flisnim për disa adoleshentë të para viteve '90 nuk mendonin, nuk perceptonin dhe nuk kishin kushtet sociale ekonomike siç janë sot. Adoleshentët sot shohin njëri- tjetrin, modelojnë sjellje të gabuara , janë të prirur se nëse një shok, një bashkëmoshatar ka makinë, veshje të shtrenjta ejt, dhe do e kishte edhe ai dëshirën, por prindi nuk e ka mundësinë. Kjo e bën që ai të ketë pabarazi, stres  dhe të gjejë rrugë të gabuara  që të jenë në të njëjtin nivel me bashkëmoshatarët e tyre.

Foto:VCG

Foto:VCG

CMG: Një pjesë e fëmijëve që i përkasin kësaj moshe, zgjedhin të rrinë vetëm, duke u izoluar. Cili është sugjerimi juaj për  këtë?

Loreta Kruja: Duke dashur që adoleshentët ta kalojnë këtë kohë të vështirë të  tyre, kur dimë që ka dhe një konflikt në personalitetin e tyre, ata zgjedhin se rruga më e mirë është të rrinë të izoluar. Ata humbasin kontakte sociale, nuk duan të kenë kontakte veçanërisht me prindërit dhe më të rriturit. Në aspektin psikologjik dhe social kjo nuk është e mirë për gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike sepse në këtë moshë ata kanë nevojë për këshilla dhe për mbështetje, kanë nevojë për të ruajtur kontakte të socializuara edhe me persona më të rritur, por edhe më të vegjël, mjafton që ata të kenë marrëdhënie ndërpersonale, kjo bën që ata të krijojnë një lloj izolimi, gjë e cila nuk i bën mirë. Shpesh herë kanë tendenca  vetëvrasëse, shpesh familjen e shikojnë gjithmonë si  kritikuese, që e monitoron gjatë gjithë kohës, prandaj është e rëndësishme që të përpiqemi që të komunikojmë me adoleshentët. Madje dhe në psikologji theksohet; të mundohemi t’i dëgjojmë adoleshentët, çfarë ka me personalitetin e tyre, çfarë do donin ata që të arrinin, çfarë mund t’i ofrojmë ne si prindër, si bashkëmoshatarë, si shokë, si miq,  si  psikologë. Është shumë e rëndësishme që në këtë moment të kërkohet që prindërit të jenë ndihmues, t’i kuptojnë. Është e vështirë, por mund të arrihet sepse në këtë moment mund t’i krijojmë adoleshentëve një vetëbesim, do të bëjmë ata të kuptojnë se nëse bashkëpunojmë dhe nëse do kenë mbështetjen e familjarëve, sigurisht që personaliteti i tyre do krijohet i fuqishëm dhe do të besojnë më shumë tek vetja. Ata nuk do të zgjedhin të qëndrojnë vetëm sepse të qëndruarit vetëm nuk është zgjidhje e mirë  për personalitetin e tyre.

CMG: Ndërsa fëmijët rritet dhe prindërit presin që fëmija i tyre t’i kuptojë më tepër, në fakt këtu lindin probleme edhe më të mëdha. Si mund t’i zgjidhin prindërit këto konflikte me fëmijën adoleshent?

Loreta Kruja: Zakonisht kur fëmijët rriten prindërit kanë një pritshmëri  që fëmijët e tyre t’i kuptojnë më tepër, të kenë një marrëdhënie ndër personale me fëmijët e tyre, por kur fëmija nis adoleshencën, pikërisht këtu fillojnë dhe problemet më të mëdha. Sigurisht që duhet të gjejmë një zgjidhje  edhe pse është e vështirë për shkak të presionit social dhe ekonomik, për shkak se modelojnë sjellje të moshatarëve të tyre dhe pabarazia i fut adoleshentët të konflikt emocional, psikologjik, social, i bën të humbasin besimin tek vetja dhe të ndjehen të pavlerë. Ne si prindër presim që fëmija të na mirëkuptojë, të na hapet, të na dojë më shumë, të jemi bashkëudhëtarë në jetën tonë, por ne harrojmë se ata në këtë moment janë në një fazë delikate të formimit të identitetit të tyre. Prandaj është e rëndësishme që në këtë proces, prindërit  të mirëkuptojnë më shumë adoleshentët sepse do jetë një fazë kalimtare dhe adoleshenca nuk do të zgjasë përgjithmonë, është thjesht një ndryshim biologjik, psikologjik, emocional  i gjithsecilit, që varet dhe nga karakteri se si e kalojnë këtë periudhë. Prindërit të jenë mbështetës, të rëndësishëm dhe pa diskutim që ka zgjidhje. Por është e rëndësishme dhe komunikimi me një psikolog apo me një punonjës social, kjo nuk do të thotë se fëmija i tyre ka probleme, por fëmija ka nevojë për ndihmën e një profesionisti për të kuptuar se cila është gjendja që ai ndodhet, për të kuptuar se si mund të dalim nga kjo gjendje, dhe për të forcuar dhe krijuar një identitet të mirë dhe me vetëbesim, që do i mësoj këta adoleshentë se si të sillen dhe se si ti kalojnë problematikat. Prandaj elementi kryesor në këtë moment është faktori prind, pasi prindërit janë ata që shënojnë forcimin e karakterit dhe i japin adoleshentëve një vetëbesim shumë të madh dhe pa diskutim dhe pjesa e socializimit, pjesa e marrëdhënieve që krijojnë në shkollë, nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë këtyre aktorëve, si dhe shërbimit psiko- social në shkollë. Kjo mund të bëjë që një adoleshent ta kalojë këtë periudhë me mbështetje dhe ndihmë, sepse është thjesht një periudhë kalimtare dhe është thjesht një periudhë e jetës sonë që do i forcojë karakterin. Të jemi të gjithë së bashku për t’i mbrojtur adoleshentët, për t’u kujdesur, që shëndeti i tyre mendor të jetë mirë, për të kuptuar gjërat që atyre i shqetësojnë dhe për të qenë të gjithë së bashku që ata ta kalojnë këtë periudhë me sa më pak stres dhe sa më pak pasoja. Prandaj është e rëndësishme ndërhyja në momentet sa më delikate të jetës.

Foto:VCG

Foto:VCG

-Sipas psikologut dhe psikanalistit Erikson, zhvillimi i identitetit është detyra kryesore për moshën e adoleshencës . Kriza themelore e zhvillimit në adoleshencës është ajo në mes zgjedhjes, pranimit ose zbulimit të një identiteti dhe shpërndarjes së energjive të adoleshentit që rezulton nga konfliktet dhe dyshimet e tij në lidhje me zgjedhjen e identiteteve. Adoleshentët gjenden para pyetjeve; Kush jam unë? Ku jam duke shkuar? Çfarë lloj profesioni do zgjedh? etj. Mjedisi përreth iu ofron atyre alternativa të ndryshme mirëpo këto alternativa mund të jenë në konflikt me njëra -tjetrën dhe e vështirëson procesin e zgjedhjes mes tyre dhe bën që adoleshentët të përjetojnë një krizë të identitetit. Ata adoleshentë që ja dalin mbanë me sukses dhe zgjedhin mes alternativave të ndryshme e kalojnë krizën dhe stabilizojnë një identitet, ndërsa adoleshentët që nuk janë të suksesshëm në zgjedhjen e krizës së identitetit, mund të vuajnë nga ajo që Erikson e quan konfuzioni i identitetit. Ky konfuzion sipas Erikson, mund të marrë njërën nga këto dy rrugë :

*Individi mund të tërhiqet nga pikëpamja sociale dhe të izolohet nga moshatarët dhe familja.

*Individi mund të humbë fare identitetin e tij.

 Intervistoi: Sava LENA