Marrëveshje trepalëshe për mbrojtjen nga trafikimi të veprave të trashëgimisë kulturore
2022-11-17 17:21:08

Marreveshja trepaleshe (Foto RTSH)

Marreveshja trepaleshe (Foto RTSH)

Një marrëveshje trepalëshe mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, e nënshkruar të martën, synon mbrojtjen kundër trafikimit të veprave të trashëgimisë kulturore.

Firmat përkatëse u hodhën nga titullarët e këtyre institucioneve, Elva Margariti, Bledi Çuçi dhe Olsian Çela. Në ceremoninë e nënshkrimit ra në sy ekspozimi i disa prej 20 ikonave që Shqipëria do t’i kthejë Maqedonisë së Veriut, sipas një marrëveshjeje ndërshtetërore të nënshkruar të hënën pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, bën të ditur “RTSH”. Një tjetër marrëveshje të ngjashme Shqipëria ka nënshkruar me Kongresin Amerikan kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore.
Veprimet konkrete dhe bashkëpunimi i frytshëm me Interpolin e kanë renditur Shqipërinë në vendet bashkëpunuese në këtë fushë.

Ndërkaq, janë mbi 2200 vepra të trashëgimisë kulturore shqiptare të deklaruara në kërkim që synohet të kthehen në atdhe. E pyetur nga “RTSH” se për cilat vepra po punohet konkretisht, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pa dhënë detaje konkrete, përmendi se përparësi ndër to do të kenë veprat arkeologjike. (Elona)