Eksperti i taksave Gjokutaj: Bizneset kërkojnë klimë të përmirësuar
2022-11-17 09:31:58

Eksperti i taksave  pranë “Qendrës Altax” Eduart Gjokutaj  në një intervistë për mediet është shprehur se “ paketa fiskale 2023 nuk ofron atë që kërkon sipërmarrja dhe klima aktuale e të bërit biznes në vend.

VCG

VCG

Gjokutaj thotë se përfaqësues të subjekteve kërkojnë një klime më të përmirësuar.

“Paketa fiskale në tërësi ka një përmbledhje shumë të vogël në raport me atë cfarë ka kërkuar biznesi dhe i gjithë ambjenti që rrethon biznesin përfshirë këshilltarë fiskalë dhe aktorë të tjerë. Natyrshëm që gjobat tërheqin vëmendje për arsye të madhësisë së tyre, në raport me historikun e vendosjes së penaliteteve dhe duke pasur parasysh dhe precedentin përbëjnë një shqetësim i cili mendoj që do të ketë diskutime të forta në komisionet e kuvendit ashtu siç kanë nisur ato. Përsa i përket ligjit, procedura përmban dhe gjobat dhe më së shumti kemi të bëjmë me sistemimin dhe rregullim të administrimit në funksion të përdorimit të forcës dhe një nga këto është vendosja e hetimit tatimor si një strukturë tashmë operacionale kur historikisht ka qenë një structure, e cila më së shumti mbështeste dhe po ashtu një përzierje të funksioneve operacionale që tashmë dhe drejtoria e përgjithshme i merr duke thyer një historik që nga momenti i miratimit të ligjit të procedurave”- thotë Gjokutaj.

Eksperti i taksave EduartGjokutaj (Foto ALTax)

Eksperti i taksave EduartGjokutaj (Foto ALTax)

Sipas tij biznesi ka qënë gjithmonë i hapur për të ofruar sugjerime tek qeveria.

“Orientimi që merr paketa dhe fryma që përhap, krahasuar me atë çfarë kërkojnë jo vetëm bizneset por të gjithë ata që kanë lidhje me bizneset, janë në kahe të kundërta. Bizneset kërkojnë tjetër gjë, kërkojnë një klimë të përmirësuar me masa të cilat duhet të ishin të thelluara, ndërkohë paketa është një prekje e cekët e atyre problemeve që mendon se ndoshta mund të adresojë probleme të informalitetit që është shumë gjigant si problem. Evazioni nuk mund të luftohet vetëm nga qeveria dhe qeveria në këtë paketë duhej të kërkonte ndihmë nga biznesi dhe nga gjithë ata që rrethojnë biznesin, këshilltarë fiskalë, dhoma tregtie dhe industrie, sindikata të cilat përjashtohen dhe të tjerë faktorë për t’i pasur aleatë në luftën ndaj informalitetit”- shprehet eksperti I taksave.

Ajo që më së shumti është komentuar nga bizneset është rritja e gjobave dhe penaliteteve që varion deri në 13 mijë euro.  Ky hap, sipas ekspertëve, nuk e lufton informalitetin.

“Në fakt qoftë gjobat, të cilat më së shumti tentojnë frikësimin të quajtur si një tavan i cili nuk duhet të preket, qoftë pjesë të tjera të unifikimit të tarifës së akcizës janë të tilla që nuk e luftojnë dot të vetme informalitetin për arsye se prishin terezi të caktuara. Nga ana tjetër në momente që ndërmerren nisma të tilla qeveria, jo vetëm kjo por çdo qeveri duhet të fusë përiudha tranzitore. Pra, nëse një masë e ndërmerr sot për të prishur një situatë të caktuar financiare si ndërhyrje vendimmarrje, duhet të lësh një periudhë të paktën 3-4 vjecare sipas analizave që mund të dalin për t’i lënë periudhën që dhe prodhuesit e vegjël të  përshtaten me atë politikë të re që do futet. Tendenca është për t’u disiplinuar informaliteti, ata janë në marrëdhënie të ndryshme kreditimi, marrëdhënie punësimi, kontrata të cilat në momentin që ti i ndërhyn me këtë forcë i ke marrë pjesën e madhe të aksioneve të biznesit dhe je bërë ti “de facto” pronari dhe vendimmarrësi. Në fakt politika fiskale ose parimet e fiskut janë neutraliteti, drejtësia tatimore, mungesa e të mos jenë komplekse dhe nga ana tjetër të tilla që të mos prekin vendimmarrjen. Asnjë nga këto parime nuk duket se paketa i respekton plotësisht, pavarësisht se ka tendenca për drutë e zjarrit, e cila është e diskutueshme në aspektin tërësor, por është një tëndencë e mirë.”- shprehet Gjokutaj.

Paketa fiskale (Foto Abs news)

Paketa fiskale (Foto Abs news)

Nga 1 janari behet futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira dhe kjo vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me mbi 2 miliardë lekë në vit. Janë mbi 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik, të cilat do të jenë subjekt i tatimit, duke ndikuar në këtë mënyrë  në dekurajimin e fenomenit të kalimit nga listëpagesa me statusin e të punësuarit dhe me barrë fiskale progresive 13 % dhe 23 %, tek personi fizik i vetëpunësuar   me barrë fiskale 0 %. si edhe në eliminimin e praktikave të transferimit brenda vendit të fitimit nga personat juridikë subjekt i tatimit mbi fitimin 15 % tek personat fizikë të vetëpunësuar me shkallë tatimore 0 %, nëpërmjet faturimit të shërbimeve.

“Ky ligj, i cili ka një relizionim të pjesshëm nga ato çfarë ne kemi komentuar drejtpërdrejt me ministren e Financave, në vetvete nuk arrin dot të përmbushë ato katër kritere. Pra, në këtë rast ka humbur drejtësia tatimore dhe parimi i neutralitetit, duke trajtuar në mënyrë të diferencuar një sektor siç mund të jetë sektori i profesionistëve të lirë të të gjitha fushave në raport me të tjerët. Me normë taksimi ke ndërhyrë dhe në vendimmarrjen e bizneseve pa lënë një periudhë tranzitore që në vetvete të gjitha bizneset të akomodohen. Masa të tilla të marra qoftë dhe me ligjin e tatimit të ri të të ardhurave do të prodhojnë efekte negative. Në aspektin e ekonomisë ka informalitet, pra i drejton drejt informalitetit, ose drejt organizimit të bizneseve, duke prishur dhe atë strukturë të krijuar për arsye se bizneset tona kanë një dinamizëm shumë të pakët që krijohen sot, mbyllen nesër. Ndërkohë që të jesh konkurues në treg duhet të jesh me jetëgjatësi, të kesh përfitimet që janë thënë dhe duke u ndërhyrë në këto forma të politikave ti nuk i lë ata që të jenë të lirë në vendimmarrje. Nga ana tjetër unë do thosha që në të gjithë tërësinë e ligjit progresiviteti është i pjesshëm për arsye që taksimi i kapitalit do të kishte një tjetër qasje dhe në emërtim ne kemi aty taksimin e të ardhurave nga investimet, në fakt investimet burojnë nga kapitali, kapitali është tjetër gjë dhe i prodhon ai investimet dhe investimet janë pritshmëria e rifitimit.”- thotë Gjokutaj.

Hetimi Tatimor (Foto Java News)

Hetimi Tatimor (Foto Java News)

Eksperti thekson se duhen parë të gjithë komponentët dhe jo thjesht taksimi i lartë i punës.

“Në këtë mes doja të bëja një koment, dividenti i cili është një taksë shumë e rëndësishme dhe tregon thelbin e tatimit të kapitalit në tërësinë e tij, mund të ishte prograsiv meqë ligjin e kemi dhe në botë tatohet dividenti mbi aksione të përfituara në mënyrë normale dhe ato që përfitohen në mënyra speciale. Kështu është ndërtuar dhe mënyra e biznesit dhe kështu fut dhe parime progresiviteti tërësore dhe gjithëpërfshirëse. Në momentin që ti takson punën më shumë dhe vazhdon t’i mëshosh kësaj, duke mos e ndarë mirë strukturalisht dhe nga ana tjetër kapitalin e lë prapë me norma të vjetra, unë nuk e di sesi mund të quhet një ligj që ka marrë në konsideratë gjithë jetën e tanishme dhe atë çfarë do të ndodhë në të ardhmen”- shton Gjokutaj.

Ndërkohë tatimi për bizneset e vogla që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtisë, prodhimit, transportit, artizanatit etj, të organizuara si persona fizikë tregtarë, por edhe SHPK, dhe që realizojnë xhiro deri në 14 milionë lekë do të vijojë të jetë 0 % deri në fund të vitit 2029.