Rama: Spitali Infektiv do të jetë qendër ekselence
2022-11-17 16:12:57

Spitali infektiv (Foto RTSH)

Spitali infektiv (Foto RTSH)

Spitali i ri i Sëmundjeve Infektive pranë QSUT-së, që u hap të mërkurën, është një tjetër pjesë e infrastrukturës së rilindur shëndetësore që do t’u vihet në dispozicion qytetarëve shqiptarë. Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga Spitali i ri Infektiv, u shpreh se ai do të jetë qendër ekselence, citon “RTSH”.

Punimet për rindërtimin dhe zgjerimin e Spitalit Infektiv nisën në pranverë.  Investimi vjen në kuadër të planit të qeverisë për përballimin e emergjencave shëndetësore, me fuqizimin e kapaciteteve në sistemin spitalor si dhe planin e masave 2021-2022 për përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19.
Me një vlerë investimi prej 5.6 milionë eurosh, spitali ka të gjitha pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë si dhe gjithë rrjetin e monitorimit të aktivitetit të spitalit si dhe rrjetin e të dhënave për monitorimin e pacientëve në kohë reale. Spitali i ri Infektiv është i pajisur edhe me auditor dhe salla leksioni për studentët e mjekësisë. (Elona)