Liderët e biznesit kërkojnë më shumë risi
2022-11-17 11:36:17

Ndërkohë që në Indonezi po zhvillohet samiti i G20-s, udhëheqësit e bizneseve nga ekonomitë kryesore të botës po bëjnë thirrje për më shumë inovacione digjitale dhe fuqizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Liderët e B20-s kërkojnë bashkëpunim për të kontribuar në rimëkëmbjen globale. B20-a bëri thirrje për inovacion për të zhbllokuar rritjen pas efekteve të pandemisë.

 

VCG

VCG

Liderët e biznesit kërkojnë më shumë risi

 

Udhëheqësit e bizneseve nga ekonomitë kryesore të botës po bëjnë thirrje për më shumë inovacione digjitale, fuqizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe rritje të bashkëpunimit midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, për të siguruar një rimëkëmbje ekonomike globale.

 

Këto janë tre rekomandimet kryesore të politikave që u prezantuan në komunikatën përfundimtare të Samitit “Business 20”. B20 është grupi zyrtar i biznesit që udhëheq angazhimin me G20-n, samiti i 20 ekonomive me të mëdha në botë, që po zhvillohet në Bali të Indonezisë.

Shinta Widjaja Kamdani, kryesuesja e B20 Indonezi, tha se këto rekomandime janë plane vepruese dhe vijnë në përgjigje të thirrjes së presidentit indonezian Joko Widodo për B20-n për të bashkëpunuar me G20-n, për të kontribuar në rimëkëmbjen globale. Kjo është në përputhje me temën e G20-s: “Të rikuperohemi së bashku, të rikuperohemi më të fortë”.

“Ne kemi bërë rekomandime për ta çuar këtë çështje përpara. Kjo është trashëgimia e B20 Indonezi”, tha ajo në fjalën përmbyllëse.

Përmbyllja e samitit B20 paraqiti gjithashtu krijimin e një fondi prej 2 miliardë dollarësh për automjetet elektrike.

Fondi bashkon Autoritetin e Investimeve të Indonezisë, (INA), me prodhuesin kinez të baterive “CATL” dhe kompaninë e shërbimeve financiare “CMB International”. Ajo do të investojë në zinxhirin e vlerës së automjeteve elektrike.

Shefi ekzekutiv i INA-së, Ridha Wirakusumah, tha se fondi i automjeteve elektrike është në përputhje me qëllimin e Indonezisë për të arritur emetimet neto zero të karbonit duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër të vendit. Ai shtoi se autoriteti është partner me “CATL” dhe “CMB”, pasi ata kanë të dhëna.

B20-a bëri thirrje për inovacion për të zhbllokuar rritjen pas efekteve të pandemisë. Kjo mund të realizohet duke avancuar digjitalizimin për të kapërcyer ndarjen digjitale, duke promovuar akses më të gjerë në modelet inovative të financimit dhe duke zbatuar masa për të siguruar që risitë digjitale të jenë të përqendruara te njerëzit, të përgjegjshme dhe të sigurta.

 

VCG

VCG

Thirrje për qasje të barabartë

 

“Për të mundësuar një rimëkëmbje të shpejtë dhe rritje solide pas krizës, bota nuk mund të lejojë të lërë pas, ose të vërë në rrezik, pjesë të konsiderueshme të popullsisë që, duke pasur qasje të barabartë në mundësitë e inovacionit, do të ishin në gjendje të kontribuojnë shumë në rritjen ekonomike globale. Prandaj, B20 Indonezi ka vënë një theks më të madh në promovimin e themeleve të qëndrueshme dhe të barabarta për inovacionin që mund të zhbllokojë mundësitë e krijimit të vlerës për të gjithë palët e interesuara, veçanërisht grupet që aktualisht janë nën shërbim dhe të nënpërfaqësuar”,- thuhet në komunikatë.

Arsjad Rasjid, kryetar i Dhomës Indoneziane të Tregtisë dhe Industrisë dhe mikpritës i B20 Indonezi deklaroi për “China Daily”: “Të flasësh për rekomandimin e politikave është thjesht bisedë. Ne duhet t'i drejtohemi planeve të veprimit dhe më pas edhe projekteve”.

B20-a synon gjithashtu të fuqizojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe grupet vulnerabël. Kjo nënkupton përfshirjen e më shumë ndërmarrjeve të tilla dhe bizneseve të udhëhequra nga gratë në ekonominë globale dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit. Gratë dhe grupet e tjera të cenueshme gjithashtu duhet të promovohen dhe mbrohen në vendin e punës.

Përveç kësaj, drejtuesit e biznesit kërkuan gjithashtu rritje të bashkëpunimit midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Ky bashkëpunim përfshin një tranzicion të gjelbër, forcimin e bashkëpunimit për të ndërtuar elasticitet ndaj goditjeve të ardhshme në ekonominë globale dhe zhvillimin e ndërveprueshmërisë për të mundësuar një bashkëpunim më të fortë global.

B20 Indonezi ka iniciuar gjithashtu katër Programe të Trashëgimisë së Indonezisë B20: Qendra e Ekselencës së Karbonit, një platformë për të ndihmuar bizneset të dinë më shumë rreth tregtimit të karbonit; Wiki B20, një platformë për të rritur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme; Fuqizimi Global i Grave, një platformë për të grumbulluar kapacitete dhe rrjete për të përshpejtuar përpjekjet për fuqizimin e grave; dhe Fushata “Global One Shot”, e cila synon të shfrytëzojë potencialin e vaksinave dhe injeksioneve të gjeneratës së ardhshme.

Rasjid tha se zërat e biznesit global janë thirrur për të siguruar rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të ardhmen.