Vjeshtë në Malin Altay në Xinjiang/ foto nga VCG
Në shtator të vitit 2021, në malin Altay në veri të Kinës, punonjësit vendës gjetën një ari të vogël të murrmë, që ishte gati duke u mbytur. Pas shpëtimit dhe përkujdesjes prej 13 muajsh, ariu i murrmë, i quajtur "Nengneng", që ishte tashmë 1 metër i gjatë dhe peshonte 75 kilogram, u rikthye në mjedisin natyror të malit Altay.
Chu Wenwen, kryetarja e Shoqatës së Mbrojtjes së Natyrës të prefekturës Altay të rajonit autonom të Xinjiang Ujgurit tha: "Kjo është hera e parë që provojmë ta shpëtojmë e lëshojmë kafshë të egra pas shpëtimit, duke i rikthyer në mjedisin natyror. Pas një sërë stërvitjesh, 'Nengneng' zotëron tani aftësinë e kërkimit të ushqimeve."
Ndërkohë, Zhou Zhihua, zv/drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Florës e Faunës së Egër pranë Administratës Kombëtare të Silvikulturës dhe të Stepës të Kinës theksoi: "Kina është ndër vendet me biodiversitetin më të pasur në botë, me 370 mijë lloje bimësh të egra dhe 7300 lloje kafshësh vertebrore. Me forcimin e mbrojtjes këto vite, shumë lloje të rëndësishme të bimëve e kafshëve të egra janë shtuar në numrin e kopeve."
Dimri në Parkun Kombëtar të Pyllit Tropikal në Hainan / foto nga VCG
Në prill të këtij viti, Parku Kombëtar i Pyllit Tropikal në Hainan shpalli se gjatë vëzhgimit të përditshëm për kopenë D të gibonit në Hainan u zbulua lindja e një këlyshi giboni. Kështu numri kopeve të kësaj kafshe primate ndër më të rrallat në Tokë u kthye në 5 me gjithësej 36 individë.
Zhou Yadong, kyreinxhinieri i Drejtorisë së Silvikulturës të provincës Hainan tha: "Është shtuar sipërfaqja e rezervateve dhe ato të reja mund të mbështetin ekzistencën e gibonëve në Hainan. Kjo tregon plotësisht se pyjet tropikale në Hainan janë mbrojtur si duhet dhe janë zgjeruar hapësirat ekologjike duke përfshirë pyjet tropikale. Me ndërtimin e parkut kombëtar, është formuar fillimisht korridori ekologjik i zgjerimit të hapësirës së gibonëve."
Nga vitet 50-të deri në 80-të të shekullit të kaluar, numri i gibonëve në Hainan u ul nga mbi 2 mijë në më pak se dhjetë, ndërsa rishtimi i numrit të kopeve të këtij lloji pasqyron dhe rrugën e zhvillimit me bashekzistencën harmonike midis njeriut dhe natyrës.
Bashkekzistenca harmonike midis njeriut dhe natyrës është përmbajtja e rëndësishme e modernizimit me karakteristika kineze. Gjatë dekadës së fundit, janë zbatuar një sërë strategjish të rëndësishme në këtë drejtim, si plani i zhvillimit të Brezit Ekonomik përgjatë Lumit Jance, plani i mbrojtjes ekologjik dhe zhvillimit cilësor përgjatë rrjedhjes së lumit të Verdhë, projekti i mbrojtjes ekologjike të burimit të tre lumenjve kryesorë kinezë, plani për zhvillimin e parqeve kombëtare etj., me qëllim që të krijohet vatra me mjedis të bukur, gjatë zhvillimit cilësor ekonomik.
Pyllëzimi me avion në Tibet/ foto nga VCG
Kina ka zbatuar planin e pyllëzimit në përmasën më të madhe në botë dhe radhitet në vendin e parë për sipërfaqen e pyjeve artificiale. Në Tibet, me sipërfaqe të gjera toke dhe numër relativisht të pakët banorësh, u gjelbëruan malet e shkretëtira nëpërmjet teknologjisë së hedhjes së farës me avion.
Li Bingzhang, drejtori i Institutit Akademik të Silvikulturës të rajonit autonom të Tibetit u shpreh: "Një fluturim kryhet brenda 4 minutave pas shpërndarjes së 280 kg farërash në 32 hektarë. Sivjet do të kemi mbi 20 fluturime të tilla."
Hu Zhiguang, zv/drejtori i Drejtorisë së Silvikulturës dhe të Stepës të rajonit autonom të Tibetit tha: "Në Tibet mbi 66 mijë hektarë tokë pyllëzohen në mënyrë artificiale në vit. Nëse kjo do të zëvendësohet me pyllëzimin me avion, do të mund të pyllëzojmë 14 mijë e 520 hektarë tokë brenda disa ditësh, pra me shpejtësi shumë e madhe."
Dr. Michael Borchmann, ish-drejtori i Drejtorisë së Punëve Evropiane e Ndërkombëtare të landit Hessian dhe këshilltari i nivelit të lartë të Qendrës së Nxitjes së Investimeve Ndërkombëtare të Kinës në Gjermani tha: "Vihet në dukje qartazi se mbrojtja e mjedisit është një problem global përpara njerëzimit. Një botë e pastër, e bukur dhe me respektimin e natyrës do të ndërtohet vetëm nga ne të gjithë."
Urusov Volodymyr, profesor asistent i Fakultetit të Historisë të Universitetit Kombëtar të Kievit të Ukrainës shprehu mendimin se: "Zhvillimi i gjelbër i Kinës dhe vëmendja e treguar për qytetëzimin ekologjik do të favorizojnë miliarda popullsi brenda e jashtë Kinës. E gjithë bota po ndjek me vëmendje tranzicionin e Kinës drejt gjelbërimit dhe do të mësojë nga përvoja e saj." (Wang lei/ Eda)