Agim Lika ka kryer studimet në Shkollën e Bashkuar Ushtarake në Tiranë dhe ka një karrierë të gjatë pune me forcat e armatosura. Ai ka ushtruar dhe profesionin e pedagogut për 24 vjet në Shkollën e Bashkuar, punë të cilën e ka kryer me shumë pasion dhe profesionalizëm. Gjatë kohës kur ka qenë në marrëdhënie pune ai ka botuar artikuj të ndryshëm në gazeta dhe revistën “Mbrojtja”. Së fundi Agim Lika ka botuar librin e tij të parë, një botim familjar me histori dhe fakte reale të fisit të tij në fshatin Shetaj. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për rrugëtimin e tij si ish ushtarak, trajnimet dhe udhëtimet jashtë vendit si dhe botimin e librit të tij të parë.
Libri i autorit në bibliotekë
CMG: Keni një karrierë të gjatë në fushën ushtarake si dhe pedagog në Shkollën e Bashkuar. Si ka nisur ky rrugëtim?
Agim Lika: Që në moshë fare të vogël kur më pyesnin njerëzit se çfarë do të bëja, unë thoja se do bëhesha oficer dhe babai im ma plotësoi këtë dëshirë, duke më dërguar në Shkollën e Mesme ushtarake Skënderbej në vitin 1983. Pas mbarimit të shkollës së mesme kam vazhduar Shkollën e Bashkuar për 4 vjet dhe pas mbarimit të shkollës së lartë jam emëruar komandues në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ish Akademinë Ushtarake.
CMG: Gjatë karrierës suaj ushtarake ju keni ushtruar dhe profesionin e pedagogut në Shkollën e Bashkuar Ushtarake. Si i kujtoni vitet si pedagog dhe marrëdhëniet me studentët?
Agim Lika: Pas mbarimit të kursit të oficerit bazë në Turqi, jam emëruar pedagog në Akademinë Ushtarake ku kam punuar në vitet 1996-2004. Kjo ka qenë një nga detyrat më të bukura dhe ndoshta një nga pasionet e mia, një punë të cilën e kam bërë me shumë pasion duke u ndjerë mjaft mirë. Edhe sot ndjehem mirë kur takoj në rrugë ish studentë të mi, të cilët akoma më thërrasin pedagog dhe kjo gjë më bën të ndjehem mjaft mirë. Unë kam punuar në sistemin arsimor ushtarak për rreth 24 vjet, duke filluar nga detyra e pedagogut, shefit të inspeksionit, detyra të tjera në shkollën e trupës si zëvendës shef dhe komandant kursesh, shef departamenti dhe njëkohësisht edhe komandant batalioni në brigadën e stërvitjes bazë në Bonavi.
CMG: Mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur me këtë profesion dhe pse jeni shkëputur tani nga kjo fushë?
Agim Lika në intervistë për CMG
Agim Lika: Unë e kam përjetuar mjaft mirë këtë punë, e kam bërë me pasion dhe është një nga detyrat të cilat unë përsëri po të më pyesësh se çfarë do të bëja, përsëri do të vazhdoja këtë karrierë. Për arsye shëndetësore jam shkëputur nga forcat e armatosura, por vetëm unë e di se sa e ndjej këtë dhimbje që jam shkëputur nga kjo fushë. Ndoshta është detyra që i kam kushtuar jetën time.
CMG: Flasim për trajnimet dhe udhëtimet e ndryshme që ju keni bërë në disa vende të botës gjatë kohës që ju ishit në forcat e armatosura.
Agim Lika: Unë kam mbaruar kursin bazë të oficerit në Turqi për 16 muaj. Pastaj kam marrë pjesë në delegacione të ndryshme në Danimarkë dhe Athinë. Gjithashtu kam marrë pjesë kur isha në akademinë e forcave të armatosura në një vizitë mësimorë në Romë, në kolegjin e mbrojtjes së NATO-s dhe në komandën e NATO-s në Napoli. Pra janë disa vizita të cilat i kam kryer kur kam qenë në marrëdhënie pune. Gjithashtu kam mbaruar dy kurse, kursin e oficerit të shtabit dhe kursin e lartë të oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.
CMG: Si kanë qenë për ju këto shkëmbime eksperiencash jashtë vendit?
Agim Lika: Këto janë eksperienca shumë të bukura, të cilat na kanë shërbyer neve për rritjen profesionale dhe mësimet që kemi përfituar i kam vënë në jetë në Akademi gjatë kohës që isha pedagog, punë të cilën e kam bërë me mjaft profesionalizëm.
CMG: Një ushtarak që edhe shkruan, pasi ju keni botuar disa artikuj në gazeta të ndryshme në vend. Ka qenë të shkruarit një pasion tjetër i juaji?
Agim Lika: Unë kam qenë mjaft aktiv në shkrimet dhe publikimet e mia në revistën “Mbrojtja”, ku kam shkruar disa artikuj, po ashtu dhe në gazetën “Tirana Observer”. Tani mbas shkëputjes nga forcat e armatosur kam qenë aktiv në Shoqatën Ishmi ku kam shkruar disa materiale për uebsitin e kësaj shoqate. Së fundi kam botuar librin tim të parë “Malikajt e Shetajt dhe pasardhësit e tyre”. Të shkruarit është një ëndërr e imja, pra krahas pasioneve të tjera edhe të shkruarit është një pasion i imi i hershëm, të cilin e vura në jetë tani me botimin e librit.
CMG: Si erdhi ky botim, i cili është një libër për fisin tuaj në fshatin Shetaj?
Agim Lika: Ky është një libër familjar ku përfshihen disa breza nga viti 1800 deri në vitin 2022 dhe përshkruhet e gjithë ecuria e fisit Lika në këtë fshat me të gjithë paraardhësit, duke përfshirë të gjithë figurat kryesore të fisit. Ky është një shërbim mjaft i mirë që unë mendoj se i kam bërë fisit tim me këtë botim, duke ju ardhur atyre në ndihmë për të njohur paraardhësit e tyre të gjakut, gjë të cilën po mos botohej ky libër nuk do kishte mundësi të bëhej një gjë e tillë.
CMG: Ky botim i juaji përfshin fakte reale, histori si dhe trashëgiminë kulturore të zonës?
Agim Lika: Libri ka një përshkrim të detajuar, ku unë kam folur për fshatin, për traditat, të gjithë ecurinë e fistit, lëvizjet e tyre nga Gjakova deri në vendosjen në fshatin Shetaj, evoluimin e mbiemrit, lëvizjen e njerëzve të fisit nga Shetaj në Sukth të Durrësit dhe ndryshimin e mbiemrit. Pra janë të gjitha këto zhvillime dhe me mijëra emra që janë trajtuar në këtë libër. Kuptohet që faktet janë mjaft interesante dhe shumë të sakta. Lidhur me këtë unë kam bashkëpunuar edhe me Ali Gjylin, i cili është kushëriri i parë i babait tim, duke më ndihmuar jashtë mase për hartimin e pemës së familjes.
CMG: Cili është kuptimi i mbiemrit tuaj në titull Malikajt, ku në fakt ju njiheni Lika?
Agim Lika: Ne në fshat identifikohemi me mbiemrin Malikët e Shetajt. Ky është një bashkim i emrit mal me mbiemrin Lika, duke na dhënë mbiemrin Malikët. Madje ne jemi shumë krenarë që identifikohemi me një mbiemër të tillë. Stërgjyshi im ka qenë një nga figurat kryesore, i cili përshkruhet dhe në libër. Ai ka marrë pjesë në dy luftëra, në luftën e Shkodrës dhe në atë Vlorës, njëkohësisht ka qenë dhe kryeplak në fshatin Shetaj.
Agim Lika
CMG: Si është pritur ky libër nga lexuesit?
Agim Lika: Me thënë të drejtën jam ndjerë shumë mire dhe libri është shpërndarë në masën 80 për qind tek të afërmit, miqtë dhe shokët e mi. Një nga faktet më interesante është se mbas leximit të librit më kanë telefonuar shumë shokë dhe miq të cilët e kanë përjetuar mjaft mirë. Një nga përjetimet më të mira është se shumë veta kanë qarë në momente të caktuara, janë ndjerë të emocionuar me materialin e trajtuar në libër. Unë do të përmend Shyqyrie Likën, vajza e xhaxhait tim, e cila më mori në telefon dhe më falënderoi duke më thënë se nëpërmjet këtij libri njoha gjyshin tim. Ajo tha se kishte qarë kur kishte lexuar në libër dhe pjesën për familjet çame në Shetaj. Gjithashtu Ali Gjyla e përshkruan librin mjaft dinjitoz, që nga paraqitja e jashtme, raporti fotografi tekst si dhe faktet shumë të sakta që janë trajtuar në libër. Të njëjtën gjë edhe Eduart Gjyli, e cili e vlerëson librin si një risi për fisin Likaj, por dhe Prof.Dr. Bernard Zotaj i cili është dhe redaktor i librit dhe e ka vlerësuar këtë libër si një sjellje shumë dinjitoze.
CMG: Do t’i bëni një promovim këtij libri?
Agim Lika: Faktikisht unë e kam përcaktuar që më 3 dhjetor të bëhet promovimi i librit me pjesëmarrjen e familjarëve të mi, ish kolegëve, përfaqësues nga Shoqata e Ishmit si dhe shokë e dashamirës.
CMG: Keni në plan të botoni ndonjë libër tjetër në të ardhmen?
Agim Lika: Unë i kam të gjitha mundësitë për ta vijuar këtë proces dhe mendoj se kjo punë nuk do të mbetet me këtë material. Unë testova veten time dhe kjo ishte një aventurë që kam bërë, duke shkruar një libër i cili ishte shumë i vështirë, ku faktet kanë qenë shumë të pakta dhe unë kam investuar një periudhë dy vjeçare që nga fillimi i punës për këtë libër. Më është dashur të komunikoj me shumë njerëz për të marrë informacionin e duhur. Besoj se pas këtij botimi kam disa projekte të cilat mendoj se do t’i realizoj me kalimin e kohës.
CMG: Kujt ja dedikoni këtë libër?
Agim Lika me familjarë
Agim Lika: Meritën më të madhe në këtë libër ja dedikoj babait tim të ndjerë, i cili na ka treguar historitë e tij, rrëfimet, ngjarjet e ndryshme për prejardhjen e fisit deri te gëzimet dhe hidhërimet familjare. Këto tregime të tij unë i kam memorizuar dhe i kam zbardhur në këtë libër
CMG: Së fundi një përshëndetje për miqtë tuaj.
Agim Lika: Uroj që gjithë dashamirësit e mi ta kërkojnë dhe ta lexojnë këtë libër sepse do ndjehen mjaft mirë me përshkrimet dhe materialin që trajtohet në libër.
Intervistoi: Gazmend Agaj