Shqipëri-Francë, marrëveshje për ujësjellësin e Durrësit, Rama: Do të sjellë transformim rrënjësor
2022-11-16 10:27:10

Foto: VCG

Agjencia Franceze për Zhvillim do të financojë rrjetin e ujësjellësit të Durrësit, ku do të japë 60 milionë euro kredi dhe 1 milion euro grant. Një investim i madh që vjen në kuadër të fondeve që u mblodhën në Konferencën e Brukselit për tërmetin e 26 nëntorit 2019, shkruan “RTSH”.  

Marrëveshja e arritur mes Francës dhe qeverisë shqiptare, u firmos nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe sekretarja franceze e Shtetit për Çështjet Europiane, Laurence Bonne.  

Kryeministri Edi Rama tha ky investim do të transformojë të gjithë rrjetin e furnizimit me ujë në zonën e Durrësit.  

“Firmosje e rëndësishme e dakordësuar në parim për të ndërhyrë me një investim masiv në të gjithë zonën e Durrësit, që faktikisht plotëson një proces të gjatë dhe të ndërlikuar, transformimin e të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit. Që pas tragjedisë së 26 nëntorit, presidenti francez Emmanuel Macron ishte ndër të parët që u interesua për situatën. Janë fonde që një pjesë e tyre janë futur në procesin e zbatimit me programin e BE-së për shkollat dhe çerdhe”, tha Rama.  

Sekretarja franceze e Shtetit për Çështjet Europiane, Laurence Bonne, tha se Shqipëria ka ecur para me reformat dhe se Franca do të jetë gjithmonë krah të saj.  

“Përshëndesim reformën e drejtësisë që Shqipëria ka kryer dhe nuk ka të ngjashëm në BE. Perspektiva në BE kërkon shndërrime të thella në fushën ekonomike, sociale dhe mjedisit dhe pozicioni juaj gjeografik ju jep një avantazh të madh. Mund t’ju them se do të keni gjithmonë mbështetjen e Francës për aq sa do të keni nevojë. Metodologjia e re për negociatat e aderimit do të bëjë të mundur shkëmbimin përgjatë rrugës”, tha Bonne. (Elona)