Rritja e akcizës së birrës. Reagimi i prodhuesve vendës
2022-11-16 10:40:51

Me paketen e re fiskane 2023 parashikohet edhe heqja e pragut të akcizës, e diskutuar për disa vite rresht. Sipas ligjit, prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër. Vendosja e fashës në akcizës ndaj birrës fillimisht kishte qëllim për të mbrojtur birrën vendase nga importi, me vonë gjatë zbatimit u bë shkak për evazion, pasi fasha u shfrytëzua për nënraportim. Gjatë raportimeve në Kuvend Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka deklaruar se ndryshimet në akciza synojnë procesin e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së dhe transpozimin e Direktivave përkatëse, konkretisht të Direktivës së Tatimeve  Indirekte të Akcizave.  Sipas ministres Ibrahimaj, ky harmonizim ka qenë kërkesë e vazhdueshme në diskutimet e nënkomitetit Shqipëri-BE për tregtinë, industrinë, tatimet dhe doganat.

Birre (Foto gazeta Si)

Birre (Foto gazeta Si)

“Sipas përllogaritjeve ky ndryshim do te ketë efekt prej +262 milionë lekë, te cilat do të jenë në masën +184 milionë lekë mbi prodhimin e vendit dhe +78 milionë lekë mbi importin. Gjithashtu, ky ndryshim tarifimi do të ndihmojë edhe vetë kompanitë vendase për të rritur prodhimin dhe për te qene me konkurruese ne rajon. Edhe me këtë ndryshim, niveli i akcizës që aplikohet në vendin tonë është e ulët krahasuar me vendet e tjera europiane” – ka theksuar Ministrja.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Ibrahimaj (Foto Ministria e Ekonomisë)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Ibrahimaj (Foto Ministria e Ekonomisë)

Me ligjin aktual, akciza e birrës është 1,2 lekë për litër. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve fiskale do të jetë 2,3 lekë për litër. Kjo nuk është pritur mirë nga prodhuesit e birrës në vend, të cilët parashikojnë falimentim në rast se Parlamenti do të miratojë këtë ndryshim. Në intervistën për Revisten  “Monitor” Stefan Pinguli, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës kërkoi mosmiratimin e ndryshimit të propozuar, pasi dëmton prodhuesit dhe favorizon birrën e importit.

“ Jemi i vetmi vend në botë, që kemi 53-55% birrë të importit. Ndërkohë që dhe vendet e Ballkanit dhe vendet e botës nuk i kalon 3-4% birra të importit. Kjo tregon se investitorët e huaj kanë gjetur një klimë biznesi relativisht të mirë dhe çmime dhe taksa relativisht mesatare ose të ulëta, që të mund të vijnë. Ndryshe, po i rritëm taksat e birrës dhe po i shkëputëm këto diferenca ndërmjet birrave të importit ne besojmë në mënyrë absolute, nuk është puna se po bëjmë ndonjë zmadhim të problemit, ne do të falimentojmë në mënyrë të plotë. Sot kemi 53-55% birra të importit, por nesër kur këto të barazohen atëhere do të arrihet deri në 100%  birra të importit.” -  tha Stefan Pinguli Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës.

 

Biznesmeni Stefan Pinguli (Foto Klan TV)

Biznesmeni Stefan Pinguli (Foto Klan TV)

Ky ndryshim në taksa sipas Pingulit i shtohet problemit që ekziston me pullat.

“Ne kishim kohë që po niseshim të diskutonim çështjen e pullave, jemi i vetmi vend në botë që kemi pullën mbi birrë. Këto pulla mbi birrë kushtojnë sa gjysmat e akcizës së sotme. Në fakt ne akcizën e sotme nuk e kemi më 0015 euro për litër, por e kemi 0022-23 euro për liter. Evropa ka përcaktuar që të mos ketë akcizë të përgjithshme, të mos ketë akcizë më të madhe se 001 euro për litër. Ndërkohë ne kemi gati 2 fish, 3 fish më të lartë se Evropa. Atëherë përse na rriten këto këtu? Nga ana tjetër jemi në një krizë të jashtëzakonshme të rritjes së lëndëve të para ku vetëm lënda e parë  shkon 3-fishi i asaj që ka qenë para 3 vjetëve, 2019-tës, nga 320-350 ka shkuar 900 sot. “- shton më tej Stefan Pinguli.

Sipas Pingulit situata aktuale është mjaft e vështirë për bizneset për shkak të kostove të shtuara dhe heqja e pragut të akcizës e godet sektorin vendas te birrës. Rritja e çmimit tek konsumatori final, sipas tij do te ule shitjet.

“Nuk po flasim për të gjithë elementët, ju e dini vetë ç’bëhet me energjinë. Energjia ka shkuar gati 2-fish i asaj që ka qenë. Nuk po flasim për naftën, e cila është pjesë e kostove tona, nga 12% ka shkuar gati 20% vlera e transportit dhe megjithatë po presim që të rrisim çmimet në mënyrë të kujdesshme, por tani çfarë të bëjmë. Të rrisim çmimet në mënyrë galopante? Kjo tregon momentin që do të rrisim çmimet, atëherë automatikisht xhiro do të jetë më e vogël. Duke pasur xhiron më të vogël edhe taksat e mbledhura për njësi shitje do të jenë më të ulëta dhe do të kemi një depresion. Prodhuesit nën 200’000 hektolitra paguajnë 003 euro për një shishe, ndërkohë që në Shqipëri paguhet 005 euro për një shishe 330 ml.”- shton më tej  Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës.

Pinguli flet edhe për nismën për  amnistinë fiskale.

“Afërsisht unë di që janë 35’000 biznese. Unë nuk po them që të gjithë kanë nevojë për këtë lloj falje, por parimisht të gjithë bizneset kanë grupe të elementëve të kaluar në këtë marrëdhënie kaq të vështirë 30 e ca vjeçare me këto luhatje ekonomike, me luhatje politike. Të gjithë kanë akumuliar difekte të cilat janë të rimbursueshme nga shteti, se nuk është ndonjë problem i madh. Një pjesë e këtyre bizneseve kanë të deklaruara disa pjesë lekësh dhe përse të mos i deklarojnë. Sigurisht shteti e ka bërë këtë disa vite më parë dhe amnistia fiskale është një avokat mbrojtës i lekëve mbase dhe të papastra.”, ka theksuar për revistën “Monitor” Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli.