Ibrahimaj: Garanci sovrane për familjet e reja që do të marrin kredi
2022-11-16 15:16:02

Foto: ATSH

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se po punohet për një garanci sovrane për të mbështetur familjet e reja që do të marrin kredi për shtëpi në vitin 2023.  

Gjatë një konference për mediet, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj tha se kjo garanci do të shërbejë për të siguruar kredi me normë interesi më të ulët për këto familje, citon “ATSH”.  

Ministrja renditi edhe një sërë masash të ndërmarra nga qeveria për të zbutur goditjen në buxhetet e familjeve dhe bizneseve nga inflacioni i luftës në Ukrainë dhe çmimet e energjisë elektrike.  

“Masat kanë qenë të shënjestruara për të ruajtur buxhetet e familjeve shqiptare. Mbajtja e pandryshuar e çmimit të energjisë elektrike mbrojti këto buxhete pasi pesha e energjisë në shportën e familjes shqiptare nga 5.6% që është sot do të shkonte mbi 20%. Ndërkohë për një shtresë të mesme të familjeve u rritën pagat mbi mesataren e inflacionit. Pikërisht këto masa kanë bërë që inflacioni në Shqipëri të jetë sa gjysma e normës së inflacionit në vendet e rajonit dhe dukshëm më i ulët se në vendet e BE-së”,- tha Ibrahimaj.  

Ministrja po ashtu bëri të ditur se mbajtja e çmimit të energjisë për bizneset ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit në vend. (Elona)