Ekspozita CIIE, “tabela e artë” e Kinës për tërheqjen e investimeve
2022-11-15 17:28:59

VCG

VCG

Ekspozita Ndërkombëtare e Importeve e Kinës (CIIE) është një platformë me katër funksione kryesore: blerjet ndërkombëtare, nxitja e investimeve, hapja e bashkëpunimi dhe shkëmbimet njerëzore e kulturore. Ndër këto funksione kryesore, nxitja e investimeve ka pasur efekte më të dukshme, duke i shndërruar me sukses produktet e ekspozuara në mallra për tregtim dhe ndërmarrjet ekspozuese në ndërmarrje investuese. Falë zhvillimit për pesë vjet me radhë, CIIE-ja po bëhet një “tabelë e artë” për tërheqjen e investimeve të huaja në tregun kinez.

 

Më shumë efekte “nga ekspozues në investitor”

 

Në ekspozitën e sivjetshme, shumë kompani ndërkombëtare morën pjesë jo vetëm si ndërmarrje tregtare, por edhe si investitore. Ato besojnë që CIIE-ja është një platformë, ku mund të njihen gjendja e tregut kinez dhe pritshmëritë e konsumatorëve kinezë për produktet e këtyre kompanive. Në këtë ekspozitë ndërmarrjet ndërkombëtare mund të mësojnë nëse produktet e mallrat e tyre preferohen nga konsumatorët, nëse përshtaten me kërkesat e tregut, nëse ka nevojë për shtimin e investimeve dhe se cilat janë destinacionet më të mira për investime.

 

CIIE-ja në fakt është shndërruar nga një dritare në një “pikë testimi” dhe gjithnjë e më shumë ndërmarrje janë shprehur që do të shpejtojnë e do të thellojnë investimet në tregun kinez dhe do të ndërtojnë qendra kërkim-zhvillimi në Kinë, sigurisht për tregun kinez, por edhe për tregun botëror.

 

Në CIIE-në e këtij viti u hap për herë të parë zona “Nga ekspozues në investitor” dhe u caktuan pesë pavijone të posaçme për vendosjen e lidhjeve dhe të kontakteve, duke organizuar pothuajse 50 aktivitete promovimi. Në këtë zonë, mbi 500 ndërmarrje ekspozuese nga 60 vende e rajone të botës dhe mbi 2 mijë ndërmarrje blerëse, institucione për promovim investimesh dhe parqe industriale kanë bërë kontakte dhe kanë krijuar lidhje, duke pasur shumë arritje në nxitjen e investimeve.

 

Nëpërmjet platformës CIIE, shumë projekte investimesh janë tërhequr në tregun kinez, si projekti i helikopterëve Kinë-Itali dhe projekti i baterisë me hidrogjen për automjetet “Hyundai”. Këtë vit, për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare, parqet industriale dhe bashkitë e 9 qyteteve në Deltën e Lumit Jance, si dhe Korridori i Inovacionit Teknologjik i Deltës së Lumit Jance G60, kanë zhvilluar seri aktivitetesh promovuese, duke bërë përpjekje për lidhjen e saktë mes kërkesave të tregut dhe investitorëve ndërkombëtarë.

 

VCG

VCG

Arritje më të mëdha në vitin 2022

 

Një ditë përpara hapjes së edicionit të CIIE-së për vitin 2022, kryeministri gjerman Olaf Scholz bëri një vizitë në Kinë, duke drejtuar një delegacion të sipërmarrësve gjermanë.

 

Vitet e fundit, ndërmarrjet gjermane kanë marrë pjesë aktive në CIIE. Në edicionin e kaluar të ekspozitës ato patën arritje të mira dhe sipërfaqja e përgjithshme e pavijoneve gjermane ishte më e madhja ndër vendet europiane,  ndërsa kompanitë gjermane dhe ato kineze nënshkruan kontrata me vlerë 16.9 miliardë dollarë amerikanë. Ndër kompanitë gjermane të organizuara nga Dhomat Gjermane të Tregtisë jashtë Vendit (AHK), niveli i ripjesëmarrjes së ndërmarrjeve gjermane në CIIE është mbi 50 %.

 

Në CIIE 2022, kompania gjermane “Kärcher” ekspozoi shumë produkte të reja. Nëpërmjet kësaj ekspozite, “Kärcher” ka përshpejtuar shumë ngritjen e nivelit të investimeve të saj në tregun kinez. Roboti i larjes së makinave që u ekspozua në edicionin e vitit 2019, është futur tashmë në Kinë dhe mbi 800 robotë të tillë janë vënë në përdorim. Ndërkohë, roboti i larjes së makinave me teknologjinë AI që u ekspozua në CIIE 2021, është vënë në punë në stacionin hekurudhor “Hongqiao” të Shangait në fillim të vitit 2022.

 

Në CIIE 2022 mori pjesë edhe presidenti i kompanisë së energjisë fotovoltaike “Heraeus”, Gao Changlu (Bill Gao). Ndër drejtuesit e mbi 10 njësive të biznesit global të këtij grupi gjerman, Gao është i vetmi kinez.

 

VCG

VCG

“Ka një sinjal të qartë që ‘Heraeus’ i kushton rëndësi tregut kinez dhe ka besim të madh te zhvillimi afatgjatë në sektorin fotovoltaik e për një kohë të gjatë do ta zhvillojë biznesin e vet në tregun kinez,” thotë Gao. Ai bëri të ditur që në vitin 2019, “Heraeus” e ka zhvendosur qendrën globale të studimeve fotovoltaike nga ShBA-ja në Shangai, ndërsa sivjet janë vendosur në Shangai edhe selia dhe grupi drejtues i tij.

 

Përveç ndërmarrjeve gjermane, edhe kompani të vendeve të tjera janë futur në tregun kinez nëpërmjet CIIE-së.

 

Sipas të dhënave zyrtare, në edicionin e sivjetshëm të CIIE-së janë firmosur kontrata me vlerë prej 73.52 miliardë dollarësh, 3.9 % më shumë se në edicionin e vjetshëm, duke shënuar rekord të ri. Kështu që në pesë edicionet e para të CIIE-së janë nënshkruar kontrata me vlerë të përgjithshme afro 350 miliardë dollarë amerikanë.

 

Zv.drejtori i CIIE-së, Sun Chenghai, u shpreh në ceremonisë e mbylljes së ekspozitës së sivjetshme që CIIE-ja e 5-të ka pasur sukses dhe ka realizuar objektivat e saj.

 

“Tani ka nisur procesi i përgatitjes për edicionin e 6-të dhe sipërfaqja e ekspozimit e ndërmarrjeve të regjistruara i ka kaluar 100 mijë metrat katrorë,” thotë Sun Chenghai. (Jiang Lei)