Xi Jinping-u mban fjalim të rëndësishëm në Samitin e 17-të të G20-s
2022-11-15 15:35:59

Presidenti kinez Xi Jinping në samitin e G20-të(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping në samitin e G20-të(Foto:Xinhua)

foto/VCG

foto/VCG

Të martën u mbajt në ishullin Bali të Indonezisë Samiti i 17-të i G20-s. Presidenti i Kinës Xi Jinping ishte i pranishëm në samit dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm me titull “Së bashku për të përballuar sfidat e kohës dhe së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”. Në këtë fjalim, kreu i shtetit kinez theksoi se vendet anëtare të G20-s janë të gjitha fuqi botërore e rajonale, prandaj duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e vendeve të mëdha, të luajnë një rol shembullor dhe të kërkojnë zhvillim për të gjitha vendet, mirëqenie për njerëzimin dhe përparim për botën.

Presidenti Xi Jinping vuri në dukje se bota e tanishme po përballon ndryshime të mëdha të papara në një shekull, të cilat janë ndryshime të botës, të kohërave dhe të historisë. Tani epidemia e COVID-19 po vazhdon të përhapet, ekonomia botërore është më e dobët, situata gjeopolitike është e tensionuar, qeverisja globale ka mangësi serioze, kriza të shumta, si ato ushqimore dhe energjetike, po mbivendosen dhe zhvillimi njerëzor po përballet me sfida të mëdha.

“Përballë këtyre sfidave, të gjitha vendet duhet të krijojnë ndjenjën e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, të promovojnë paqen, zhvillimin, bashkëpunimin e përfitimet e përbashkëta dhe të zëvendësojnë ndarjen me solidaritetin, konfrontimin me bashkëpunimin e përjashtimin me tolerancën, duke  i dhënë përgjigje pyetjes së epokës sonë se‘çfarë ka ndodhur me botën dhe çfarë duhet të bëjmë?’, për të kaluar vështirësitë dhe për të krijuar të ardhmen së bashku,”u shpreh Xi Jinping-u. Ai vuri në dukje që vendet anëtare të G20-s janë të gjitha fuqi botërore e rajonale, prandaj duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e vendeve të mëdha, të luajnë një rol shembullor dhe të nxitin një zhvillim global më gjithëpërfshirës e më të qëndrueshëm.  

“Ne duhet të promovojmë një zhvillim global më gjithëpërfshirës. Uniteti është forcë dhe ndarja nuk është rrugëzgjidhje. Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, të kërkojmë bazën e përbashkët dhe të lëmë mënjanë dallimet, të bashkëjetojmë në paqe, të nxitim ndërtimin e një ekonomie globale të hapur dhe të mos krijojmë ‘qarqe të vogla’ për të përjashtur të tjerët. Ne duhet të promovojnë një zhvillim global më gjithëpërfshirës. Modernizimi nuk është privilegj i asnjë vendi. Vendet e përparuara duhet të ndihmojnë sinqerisht vendet e tjera të zhvillohen, duke ofruar më shumë produkte publike globale. Kina po nxit Nismën e Zhvillimit Global me mbi 100 vende dhe organizata ndërkombëtare. Ne duhet të promovojmë një zhvillim global më të qëndrueshëm. Është e nevojshme të ndërtojmë një partneritet për rimëkëmbjen ekonomike globale dhe të thellojmë bashkëpunimin në fushat e luftës kundër epidemisë, inflacionit, borxhit, ekonomisë digjitale dhe transformimit të gjelbër. Kina mbështet përfshirjen e Bashkimit Afrikan në G20”, tha presidenti kinez në fjalimin e tij.

Xi Jinping-u theksoi më tej se duhet të ruhet sistemi tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb, të nxitet në mënyrë aktive reforma e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe të promovohet lehtësimi e liberalizimi i tregtisë dhe i investimeve. Kina ka propozuar një plan veprimi për bashkëpunimin në fushën e inovacionit digjital dhe pret të punojë më të gjithat palët për të krijuar një mjedis të zhvillimit të ekonomisë digjitale të hapur, të drejtë e jodiskriminues, me qëllim për të ngushtuar hendekun digjital mes vendeve të Veriut dhe atyre të Jugut. "Përballë sfidës së ndryshimit të klimës dhe kalimit drejt zhvillimit të gjelbër me lëshim të ulët karboni, ne duhet t’u ofrojmë mbështetje vendeve në zhvillim në drejtim të kapitalit, teknologjisë dhe ndërtimit të kapaciteteve, bazuar në parimin e përgjegjësisë së përbashkët, por të ndryshme. Ne duhet t’i përmbahemi tolerancës zero ndaj korrupsionit dhe të forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar në ndjekjen e të arratisurve," u shpreh ai.

Xi Jinping-u vuri në dukje po ashtu se siguria ushqimore e energjetike janë sfidat më urgjente në fushën e zhvillimit global. Shkaku i krizës së tanishme nuk është problemi i prodhimit dhe i kërkesës, por problemi i zinxhirit të furnizimit dhe ndërhyrjet në bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Vendet duhet të krijojnë marrëdhënie partneriteti, për të ndërtuar një treg të hapur, të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm mallrash, që do të sigurojë funksionimin e lirshëm të zinxhirit të furnizimit dhe stabilitetin e çmimeve të tregut. Ne duhet të kundërshtojmë me vendosmëri politizimin, instrumentalizimin dhe 'armëzimin' e të heqim sanksionet e njëanshme dhe kufizimet mbi teknologjinë. G20-a duhet të mbështetë vendet në zhvillim në fushat e prodhimit, magazinimit, kapitaleve, teknologjisë etj. Ne duhet t'i bëjmë jehonë krijimit nga OKB-ja të një ‘Grupi global të reagimit ndaj krizave ushqimore, energjetike dhe financiare'," vuri në dukje Xi Jinping-u.

Në fund të fjalimit të vet, ai theksoi se Partia Komuniste e Kinës ka mbajtur së fundmi Kongresin e 20-të Kombëtar, i cili planifikoi objektivat, detyrat dhe politikat kryesore për zhvillimin e partisë dhe të vendit në pesë vjetët e ardhshëm ose më gjatë. Kina do të ndjekë në mënyrë të palëkundur rrugën e zhvillimit paqësor, do të thellojë reformën, do të zgjerojë hapjen dhe do të nxitë modernizimin e stilit kinez, për të promovuar përtëritjen e madhe të kombit kinez.

"Një Kinë që shkon vazhdimisht drejt modernizimit, me siguri do të krijojë më shumë mundësi për botën, do t'i ofrojë një shtysë më të fortë bashkëpunimit ndërkombëtar dhe do të japë kontribut më të madh për përparimin e gjithë njerëzimit!", shtoi presidenti Xi.  

Po të martën, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi takime të veçanta me homologun e tij francez Emmanuel Macron, kryeministrin australian Anthony Albanese, kryeministrin e Holandës Mark Rutte, presidentin jugkorean Yoon Suk-yeol, presidentin afrikanojugor Cyril Ramaphosa, kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez dhe krerë të tjerë të G20-të.

Tema e Samitit të 17-të të G20-s është "Rimëkëmbje e përbashkët, rimëkëmbje më e fortë". Sipas agjendës, faza e parë dhe faza e dytë e samitit, që do të zhvillohen të martën, do të fokusohen përkatësisht në sigurinë ushqimore e energjetike, shëndetësinë e çështje të tjera, ndërsa faza e tretë të mërkurën në transformimin digjital.   (Fang XiaoyuArtan)