Presidenti kinez takon homologun afrikanojugor
2022-11-15 18:21:40

foto/VCG

foto/VCG

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të martën pasdite me homologun e vet afrikanojugor Cyril Ramaphosa në Bali të Indonezisë.

Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe Afrika e Jugut janë të dyja vende të rëndësishme në zhvillim, dhe mbrojnë që të dyja me vendosmëri drejtësinë ndërkombëtare dhe interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim. Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet me Afrikën e Jugut nga një perspektivë strategjike dhe është e gatshme të konsolidojë besimin e ndërsjellë politik me palën afrikanojugore dhe të nxitë zhvillimin më të madh të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet të dy vendeve.
Më tej Xi Jinping-u theksoi se Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës vendosi si detyrë kryesore kthimin e Kinës në një vend të fuqishëm socialist modern në mënyrë të gjithanshme. Zhvillimi i Kinës do të sjellë më shumë mundësi për vendet e botës, duke përfshirë Afrikën e Jugut. Pala kineze është e gatshme të forcojë shkëmbimin e përvojës në qeverisjen dhe administrimin e shtetit me Afrikën e Jugut, të mbështesë Afrikën e Jugut në eksplorimin e një rruge modernizimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare dhe të forcojë ndërlidhjen midis nismës “Një brez, një rrugë”dhe Planit të Rindërtimit dhe Rimëkëmbjes Ekonomike të Afrikës së Jugut. 

Nga ana e tij, Ramaphosa i shprehu falënderime Kinës për dhënies e ndihmës së vyer për Afrikën e Jugut dhe vendet e tjera afrikane në luftën e tyre kundër epidemisë së COVID-19 dhe për marrjen e drejtimit në ndihmën ndaj vendeve afrikane për të lehtësuar krizën e borxhit. Kina është një partnere e rëndësishme strategjike e Afrikës së Jugut dhe Afrika e Jugut do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri dhe pa ngurrim parimin e“një Kine". Afrika e Jugut është e gatshme të mësojë nga përvoja e Kinës në zhvillimin e gjelbër dhe transformimin e energjisë, të marrë pjesë aktive në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe të hapë dyert e saj për të mirëpritur ndërmarrjet kineze për investime dhe bashkëpunim në Afrikën e Jugut. 
Të pranishëm në takim ishin ndër të tjerë edhe Ding Xuexiang, Wang Yi dhe He Lifeng.   (Fang Xiaoyu/Artan)