Xi Jinping-u takohet me Emmanuel Macron-in
2022-11-15 12:31:51

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping u takua të martën paradite në ishullin Bali të Indonezisë me homologun e tij francez Emmanuel Macron.

Gjatë takimit, Xi Jinping-u vuri në dukje se tani bota ka hyrë në një periudhë të re ndryshimesh. Si forca të rëndësishme të multipolarizimit botëror, Kina e Franca dhe Kina e BE-ja duhet t'i përmbahen qëndrimit të pavarur, të hapur e bashkëpunues, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke i sjellë botës stabilitet, u shpreh ai.

Presidenti Xi theksoi më tej se Kina i përmbahet me vendosmëri hapjes me botën e jashtme të nivelit të lartë dhe promovon modernizimin me karakteristika kineze, duke u krijuar mundësi vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Francën. Të dy palët duhet të respektojnë interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të thellojnë bashkëpunimin në fushat tradicionale, duke zgjeruar potencialin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë së gjelbër, të risive tekniko-shkencore etj. Kina shpreson se Franca do t'u krijojë ndërmarrjeve kineze një mjedis tregtar më të barabartë, të drejtë e jodiskriminues.

Xi Jinping-u shtoi se, pas vitesh zhvillimi, Kina dhe BE-ja kanë vendosur marrëdhënie të ngushta ekonomike. Dy palët duhet të zgjerojnë tregtinë e investimet, të mbrojnë qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit, si dhe të mbrojnë rregullat e rendin e ekonomisë dhe të tregtisë ndërkombëtare. "Unë shpreh shpresën se Franca do ta nxitë BE-në të vijojë të zbatojë një politikë të pavarur e aktive ndaj Kinës," tha Xi Jinping-u.

Nga ana e tij, presidenti Emmanuel Macron theksoi se Franca e Kina përkrahin paqen, zhvillimin dhe lulëzimin ekonomik botëror, duke shtuar se modeli i modernizimit me karakteristika kineze është për t'u admiruar. Franca  ndjek një diplomaci të pavarur dhe kundërshton kundërvënien mes kampeve, vuri në dukje ai. Pala franceze shpreson të thellojë bashkëpunimin me palën kineze në fushën ekonomiko-tregtare, të aviacionit, të energjisë bërthamore civile etj. dhe i mirëpret ndërmarrjet kineze të shkojnë në Francë për bashkëpunim. Parisi është i gatshëm të forcojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin shumëpalësh me Pekinin në problemet globale, si ndryshimi i klimës, kriza ushqimore, mbrojtja e biodiversitetit etj., dhe dëshiron të promovojë dialogun e bashkëpunimin mes BE-së e Kinës, tha Macron-i.

Dy udhëheqësit shkëmbyen mendime edhe për situatën në Ukrainë. Xi Jinping-u theksoi se qëndrimi i Kinës në këtë problem është i qartë dhe konsekuent. Pala kineze nxit arritjen e armëpushimit dhe zhvillimin e bisedimeve paqësore e do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë drejtim. (Fani)