Autoritetet shqiptare shprehin ngushëllime për tragjedinë e Stambollit
2022-11-15 11:23:56

Shpërthimi në Stamboll të Turqisë që u mori jetën të paktën 6 personave dhe la me dhjetëra të plagosur ka sjellë reagime të politikës shqiptare, shkruan “RTSH”.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për humbjen e jetëve të qytetarëve nga shpërthimi në Stamboll, ndërsa dënoi aktin brutal që çoi në këtë tragjedi.

“Lutjet tona janë për familjet e viktimave dhe të plagosurve nga shpërthimi vdekjeprurës në Stamboll. Të tronditur nga kjo tragjedi, ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe dënojmë çdo akt që synon cenimin e njerëzve të pafajshëm”, shkruan presidenti Begaj në mesazhin e tij.

Shefja e diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka e ka cilësuar lajmin si shokues. “Lutjet tona shkojnë për familjet e atyre që humbën jetën dhe shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këtë ditë të dhimbshme”,- shkruan ndër të tjera ministrja e Jashtme shqiptare.

Ajo bëri të ditur se deri tani nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar në këtë ngjarje ndërsa është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet turke. (Fatosi)