Përmirësimi i marrëdhënieve kino-amerikane ka nevojë për konsensus dhe veprim
2022-11-15 18:46:37

foto/VCG

foto/Xinhua

Të hënën pasdite, presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi një takim me homologun e tij amerikan Joe Biden në ishullin Bali të Indonezisë. Gjatë takimit mbi tre orë, të dy krerët e shteteve zhvilluan një shkëmbim të sinqertë dhe të thelluar pikëpamjesh mbi çështjet strategjike në marrëdhëniet kino-amerikane dhe çështjet kryesore globale dhe rajonale, duke arritur një sërë konsensusesh dhe duke përcaktuar drejtimin e marrëdhënive kino-amerikane. 

Ky është takimi i parë ballë për ballë midis të dy liderëve në tre vjet, takimi i parë ballë për ballë i tyre që kur presidenti Biden mori detyrën dhe ndërveprimi i parë midis liderëve më të lartë të dy vendeve pas përfundimit nga Kina dhe ShBA-ja të agjendave të tyre kryesore të brendshme për këtë vit, gjë që ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Gazeta britanike “Financial Times” beson se liderët e Kinës dhe të ShBA-së kanë treguar gatishmëri për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe. Sipas CNN-it, takimi ka lehtësuar marrëdhëniet e tensionuara dypalëshe  ndërmjet Kinës dhe ShBA-së. 
Aktualisht, arsyeja themelore pse marrëdhëniet kino-amerikane kanë rënë në nivelin më të ulët që nga vendosja e lidhjeve diplomatike mes të dy vendeve është se pala amerikane ka një problem me perceptimin e Kinës. Nga përcaktimi i Kinës si konkurrentja më e madhe strategjike, në nisjen e luftërave tregtare e teknologjike kundër Kinës,  veprimet e gabuara të palës amerikane kanë prishur dhe çorientuar marrëdhëniet kino-amerikane.

foto/VCG

foto/Xinhua

Gjatë takimit, presidenti Biden tha se një Kinë e qëndrueshme dhe e zhvilluar përputhet me interesat amerikane dhe të mbarë botës. ShBA-ja duhet t'i tregojë botës se të dyja palët mund të kontrollojnë dallimet dhe të shmangin shkarjen në konflikt për shkak të perceptimit të gabuar. 

Cila është rruga e duhur që Kina dhe ShBA-ja të shkojnë mirë me njëra-tjetrën? Presidenti Xi Jinping propozoi më parë që Kina dhe ShBA-ja duhet t'i përmbahen respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Në këtë takim, presidenti Xi bëri një shpjegim më të detajuar. Ai theksoi se toka e gjerë ka vend për zhvillimin dhe lulëzimin e përbashkët të Kinës e të ShBA-së. Të dyja palët duhet të shohin drejt politikat e brendshme dhe të jashtme e synimet strategjike të njëra-tjetrës dhe të vendosin si qëllim dialogun e jo kundërvënien, përfitimet e përbashkëta e jo konceptin e "lojës ku fituesi i merr të gjitha".

Çështja e Tajvanit është thelbi i interesave themelore të Kinës, baza kryesore politike e marrëdhënieve kino-amerikane dhe vija e parë e kuqe e pakapërcyeshme e këtyre marrëdhënieve. Gjatë këtij takimi, presidenti Xi e bëri edhe një herë të qartë këtë pikë. Presidenti Biden përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm, duke shtuar se ShBA-ja nuk mbështet "Dy Kina" ose "Një Kinë, një Tajvan", nuk kanë ndër mend të kërkojë "shkëputje" me Kinën dhe nuk mendon të ndalojë zhvillimin ekonomik të Kinës dhe të frenojë Kinën. 

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Historia është mësuesja më e mirë.  Nga bashkëpunimi, Kina dhe ShBA-ja do të përfitojnë që të dyja, ndërsa kundërvënia do t'i dëmtojë të dyja palët. Ky takim i krerëve të shteteve ka vënë në dukje drejtimin e zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikanë në periudhën e ardhshme. Më pas, të dy palët duhet të ndjekin dhe të zbatojnë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shteteve. Veçanërisht pala amerikane duhet të vërë në jetë premtimet e presidentit Biden, të punojë së bashku me Kinën për të promovuar marrëdhëniet dypalëshe dhe ta lejojë botën të shohë sinqeritetin dhe përgjegjësinë që duhet të ketë një vend i madh.   (Fang Xiaoyu/Artan)