Ferit Hoxha: Muzikën nuk e ndërpremë as në emigrim
2022-11-14 10:11:08


Ferit Hoxha është muzikant i njohur nga qyteti i Fierit, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar si drejtues i orkestrës së estradës së këtij qyteti, instrumentist dhe krjijues. Ai është kompozitori i muzikës së parodisë së famshme ‘Po martojmë Malon”, që edhe sot ka mbetur në memorien e artdashësve. Prej shumë vitesh jeton bashkë me familjen e tij në SHBA, ku nuk është ndarë nga krijimtaria muzikore. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për rrugëtimin e tij artistik, emigrimin dhe integrimin jashtë vendit si dhe projektet muzikore në të ardhmen.

CMG: Ju keni kompozuar parodinë ‘Po martojmë Malon” që është shumë e famshme për publikun shqiptar. Na flisni për këtë krijim tuajin?

Ferit Hoxha: Krijimtaria letrare është e Pëllumb Kullës dhe ne kemi punuar dhe nxjerrë shumë premiera së bashku dhe në një nga premierat e radhës ishte kjo. Ai më dha tekstin që ishte shumë i bukur, një tekst që të shtynte për të bërë një muzikë festive, një muzikë dasmash se ishte dasma e Malos dhe ne duhet ta nderonim patjetër me muzikën. Mendoj se ajo e arriti qëllimin e saj. Motivet janë me Vallen Pogonishte dhe ishte një këngë tre pjesëshe që u realizua me shumë sukses. Kjo bëri jehonë në gjithë Shqipërinë  dhe më bëhet shumë qejfi që ka jetuar aq gjatë dhe më ka shoqëruar dhe mua gjithë jetën, pavarësisht që shumë nuk e dinin që e kisha krijuar unë, por ndjeja kënaqësi.

CMG: Si i kujtoni vitet kur keni punuar si drejtues i orkestrës në Estradën e Fierit?

Ferit Hoxha: Së pari, unë u emërova në Estradën e Fierit në vitin 1974 mbasi mbarova Institutin e Lartë të Arteve për klarinetë. Sapo fillova atje drejtoria më ngarkoi detyrën që të nxirrja një premierë me këngët e festivalit të radios. Kur fillova pashë që ishte një orkestër shumë e vakët, kryesisht me amatorë, të cilët nuk lexonin dot profesionalisht dhe unë isha në një dilemë shumë të madhe, të vazhdoja me këtë stil që kishin ata apo të fusja stilin tim. Atëhere vendosa të sakrifikoja ata dhe i shkruajta partiturat profesionalisht ashtu siç ishin shkruar në radio dhe i përshtata për estradën tonë. Kur ata filluan provat u ndjenë shumë në vështirësi dhe që atë ditë u shkëputën të gjithë, duke nxjerrë justifikime për t’u shmangur. Unë shkova në shkollën e muzikës dhe mora instrumentistë profesionistë dhe realizova një formacion ashtu siç e doja unë, ndryshe nga estradat e tjera. Estradat vazhdonin në stilin e vjetër, por mosha ime ishte 21 vjeçar dhe isha në kulmin e gonxhes, kur është duke lëshuar lulet e bukura.

CMG: Në atë moshë jeni njohur dhe me këngëtaren e njohur Bruna Sota?

Ferit Hoxha: Shumë e saktë, unë në atë vit veç detyrës që kisha në estradë më ngarkoi seksioni i arsimit që të bënim konkurimin e shkollave të mesme të Fierit. Mua më caktuan në gjimnazin e Fierit, atje ku ishte Bruna nxënëse dhe sa erdhi e pashë që ishte një zë shumë i bukur dhe i fuqishëm, por veç zërit të bukur ishte dhe e bukur dhe më tërhoqi dhe piketova ato shikimet e para të cilat u bënë realitet.

CMG: Që nga ajo kohë vazhdoni rrugëtimin tuaj artistik së bashku brenda dhe jashtë vendit, të pandarë nga njëri tjetri.

Ferit Hoxha: Natyrisht ne punuam kaq vite për Fierin  dhe e ndjenim për detyrë që Fierit t’i japim akoma kur kemi mundësinë, pavarësisht moshës se unë mbusha moshën e pensionit, kurse Bruna do dhe pak. Njeriu kur kujton të kaluarën i përket të kaluarës, kurse kur ka projekte i përket të ardhmes. Ne nuk e kemi lënë veten të kujtojmë të kaluarën, por vazhdojmë me projekte të tjera që t’i japim Fierit akoma më shumë.

CMG: Jeni larguar nga Shqipëria në fillim të viteve 90-të, ku si fillim u vendosët në Athinë dhe më pas Zvicër e SHBA, ku dhe jetoni aktualisht. Si ishte largimi nga vendi dhe si u integruat me jetën jashtë shtetit?

Ferit Hoxha: Mbas vitit 1991 ishte një situatë që pllakosi gjithë Shqipërinë, ku njerëzit ishin të pavendosur dhe përpara një pikëpyetje shumë të madhe që nuk dinin se ku të shkonin. Njerëzit nuk sakrifikonin më shumë ndaj vetes, prandaj gjetën edhe rrugën e emigrimit. Ndërsa ne morëm drejtimin për në Athinë ku atje punuam gati 7 vjet, pastaj shkuam dhe dy vjet në Zvicër dhe në të dyja këto vende u morëm me muzikë. Në vitin 1999  ikëm në Amerikë, ku kemi dhënë koncerte pothuajse në të gjithë vendin. Kemi pasur grupin tonë si dhe një këngëtar tjetër që është në grupin tonë Arjan Papa nga Fieri dhe  së bashku kemi dhënë shumë koncerte. Gjithashtu kemi bërë dhe punë të ndryshme sepse duhet të nxirrnim të gjitha shpenzimet.

CMG: Edhe pse kaq vite në emigrim ju nuk u shkëputët nga muzika, duke mos e ndjerë mungesën e anës profesionale.

Ferit Hoxha: Muzikën nuk e ndërpremë asnjëherë pavarësisht punëve të tjera që kemi bërë, kemi gjetur kohën edhe në lodhje sepse muzika tek ne nuk është vetëm hob, por është profesion dhe na ka mbajtur lidhur. Edhe në ndonjë moment që neve kemi qenë të lodhur, ajo na ka tërhequr mbas vetes, duke u shplodhur me muzikën.

CMG: Dy projektet e fundit ishin koncerti recital i Brunës në qytetin e Fierit si dhe një koncert tjetër realizuar nga muzikanti Gjergj Leka. Flasim për këto dy projekte.

Ferit Hoxha: Në vitin 2012 erdhëm në Shqipëri të ftuar nga Bashkia e Fierit, ku dhamë një koncert me këngë të muzikës së lehtë dhe popullore, pastaj u rikthyem prapë në Amerikë dhe tani erdhëm në maj të ftuar nga kompozitori i madh dhe kantautori Gjergj Leka, të cilin e falenderojmë shumë sepse ishte një mbështetje dhe një rifreskim i enëve tona të gjakut, të cilat i takonin Shqipërisë, por jetonim në Amerikë. Ai na ftoi të bënim një koncert me këngë të muzikës së lehtë, ku dolëm shumë mirë. Është padyshim Gjergj Leka ai që përpiqet të mbajë brezin e artë të Shqipërisë që kontribuoi për gjysëm shekulli dhe është i vetmi që vazhdon ta mbështesë muzikën e vërtetë. Mendoj se duhet të marrin shembull të gjithë kompozitorët shqiptarë nga ai si dhe mos ta lenë atë të vetëm në luftë, por duke u bërë shumë fuqizohet edhe muzika e vërtetë shqiptare.

CMG: Si profesionist në fushën e muzikës, a mendoni se vitet e fundit muzika ka ndryshuar, ku dhe publiku po ushqehet me një muzikë jo profesionale?

Ferit Hoxha: Kjo është e vërtetë  dhe është fatkeqësi që shumë kompozitorë dhe muzikantë që i përkasin asaj periudhe janë tërhequr dhe nuk e di arsyen. Kjo është e vërtetë që muzika e sotme ka plakosur gjithë planetin dhe në Amerikë ku ne jetojmë është kjo lloj muzike sepse kompjuterat kanë bërë punën e tyre duke prodhuar disa gjëra që vërtetë i kanë prodhuar specialistët, por ja shesin amatorëve, dhe ato vazhdojnë dhe i përdorin pa kriter. Kështu pë përgjegjësia e muzikantëve të vërtetë duhet të jetë më e lartë. Vërtetë ka rryma të kësaj lloj muzike që krijohet nga amatorët në Amerikë apo Greqi, por në fund të fundit kompozitorët nuk janë larguar nga fusha e betejës dhe mendoj se edhe në Shqipëri duhet të bëhen njësh të gjithë.

CMG: Ju keni dhënë një kontribut të madh në muzikën shqipare ndër vite, por a keni menduar ndonjëherë të jetoni pa muzikën në çdo vend ku keni jetuar?

Ferit Hoxha: Nuk e kam menduar se nuk e kam lënë asnjëherë sepse ajo të kap nga këmbët, duart dhe mendja dhe ne jemi të përkushtuar për atë punë, që edhe të duam ne nuk na le ajo.

CMG: Gjatë karrierës suaj muzikore keni sjellë dhe orkestrale të bukura. Keni ndonjë projekt të ri së afërmi?

Ferit Hoxha: Unë kisha disa orkestrale edhe në koncertin recital të Brunës, mbasi unë në të gjitha premierat e estradës së Fierit kam interpretuar me instrumentin e klarinetës dhe të saksit pjesë të ndryshme tepër profesionale të shkruajtura nga kompozitori i madh Agim Krajka dhe i madhi Gjergj Leka. Nganjëherë i jam përkushtuar më shumë këngës që kam kultivuar në estradën e Fierit sesa vetes time si instrumentist. Por gjej herë pas herë kohën dhe kam edhe unë një projekt, një album me pjesë orkestrale me saks dhe klarinetë. Me këto instrumenta unë luftoj ditë për ditë dhe nuk harrohen kurrë sepse janë armët e mia.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Ferit Hoxha: Meqë po i afrohemi fundit të vitit ju uroj të gjithëve që të kenë një vit të shëndetshëm  dhe ju sugjeroj atyre që të dëgjojnë më shumë muzikë bio sesa muzikë artificiale, sepse i bën mirë dhe shëndetit të tyre. 

Intervistoi: Gazmend Agaj