Të mërkurën në Tiranë nis festa e libri. Panairi mbush 25 vjeç
2022-11-14 10:17:56

Ditët e shumëpritura për të gjithë libërdashësit pothuajse kanë mbërritur! Nëntori njihet përveçse, si muaji i festave kombëtare, edhe si muaji i librit, pasi organizohet eventi më i madh për gjithë adhuruesit e librave. Edhe këtë vit, Panairi i Librit do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Edhe pse netët janë bërë më të gjatë dhe ditët më të shkurtra dhe të ftohta, kjo nuk është një arsye për të qëndruar në shtëpi e për të mos mbushur duart me libra të rinj. Sipas një tradite të bukur, të nisur 25 vjet më parë, Tirana edhe këtë vit, do të hapë dyert e Panairit të Librit, një aktivitet masiv, që tërheq vëmendjen e miqve të librit, qytetarëve të Tiranës, por edhe më gjerë.

Panairi Kombëtar i Librit, është ngjarja më e madhe e librit që përfshin gjithë lexuesit e librit, Brenda dhe jashtë vendit. Nën moton “Të gjithë jemi lexues”, Panairi “Tirana 2022” këtë vit do të mbahet më datat 16 dhe 20, nga ora 9 e mëngjesit deri në 9-të të darkës. Botuesit prezent, librat e rinj, autorët, përkthyesit, prezantimet, konkurset, konferencat etj... dhe sidomos lexuesit do t’i japin këtij panairi gjithë rëndësinë që meriton të ketë.

Ekspozim librash! Vizita në Panair, blerje me çmime interesante! Promovime, biseda me shkrimtarë, përkthyes, lexues, ëorkshope, seminare, diskutime, dhënie çmimesh e shumë të tjera! Të gjitha këto janë dritaret me një mijë ngjyra të panairit, që mbledh vit pas viti botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, pasi libri është miku i të gjithëve!

Si çdo vit, në panair nga shtëpitë botuese do të prezantohen tituj të rinj, mes të cilëve vijnë plot autorë surprizë. Ky është një vit i mbarë sa i takon botimeve. Viti 2022 na solli në shqip kryevepra të mëdha nga letërsia botërore si: “Burri pa cilësi” i Robert Musil, përkthyer nga Jonila Godole, “Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera” i mjeshtrit të madh të tregimit botëror, Frank O’Connor, përkthyer nga Sokol Cunga, “Vjeshta e Patriarkut” i Gabriel Garcia Marquezit, shqipëruar nga Mira Meksi, apo ardhja e plotë e kryeveprës së Haruki Murakamit, me librin e tretë “1084”, përkthyer me përkushtim nga Ilir Baçi.

Në lëmin e librave të nxjerra nëpër stenda në vitet e kaluara, prezenca e titujve nga letërsia e huaj dominon titujt e letërsisë shqipe, megjithatë edhe këtë vit nuk do të mungojnë librat e rinj të autorëve tanë. Puna që bëhet nga autorët shqiptarë në radhë të parë, sidomos të rinjtë që janë e ardhmja e letërsisë do të jenë pjesë e panairit dhe e aktiviteteve. Ndërkohë, autorë të afirmuar si Preç Zogaj, Tom Kuka, me romanin Rrethimi, Ben Blushi, Visar Zhiti, Ridvan Dibra, etj.. do të jenë prezent në këtë panair me vepra të reja.

Për të pasionuarit pas romaneve bestseller, “Mbaron me ne” pasohet me librin tjetër të Colleen Hoover, “Fillon me ne”, një nga titujt që sapo është botuar jashtë dhe fill, pas tre javësh, botohet edhe në shqip nga botimet Living. Saga “Vila e pëlhurave” e Anne Jacobs, përkthyer nga Albana Nexhipi Lekaj, hedhur në qarkullim nga “Dituria”, vjen me librin e dytë, “Vajzat e vilës së pëlhurave”.

Shtëpia botuese Dritan sjell romanet e Karen M. McManus, me tre librat e saj të thrillerit që ka magjepsur të rinjt. Irvin Yalom vjen me një tjetër libër në shqip, “Kuptimi i jetës”, hedhur në qarkullim nga botimet Morava. Dy biografitë për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel dhe për Rasputinin, përgatitur nga Botart, – padyshim që mbeten nga botimet më shënjuese të këtij viti në kategorinë e librave non-fiction.

Surpriza më e bukur për ata që duan të zhvillojnë edukimin në fushën e financave personale është botimi i katër librave të mjeshtrit të parasë dhe investimeve, Robert Kiyosaki: “Babai i pasur, babai i varfër 1”, “Babai i pasur, babai i varfër 2, – Skema e lëvizjes së parave”, “Babai i pasur, babai i varfër për adoleshentë” dhe “Biznesi i shekullit të XXI”, që të gjitha përgatitur dhe botuar nga Argeta LMG. Mes titujve të zhvillimit personal, rekordin absolut e ka shënuar që në dalje libri i Ermal Mamaqit, “Në garë me veten”, i botuar nga Pegi.

Në panair, në të cilin nuk shiten vetëm libra, por zhvillohen edhe takime autoriale me lexuesit. Si çdo herë tjetër, kalendari i aktiviteteve, sigurisht do t’i kushtohet librit, me seminare, diskutime, dhe takime me shkrimtarë të njohur, vendas e të huaj, ku veçanërisht një hapësire do t’i kushtohet krijuesve dhe përkthyesve të rinj.

Një vend të veçantë në panair do të zërë edhe “Sofaja e librit”, një aktivitet që përmbledh biseda dhe intervista me njerëz të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues, mësues etj. Këto takime mes miqve të librit, do të koordinohen nga gazetarja Albana Nexhipi dhe do të jenë ndër momentet më të bukura të ditëve të librit. Ndërkohë që promovime librash dhe autorësh, kanë përgatitur edhe shtëpitë botuese, si pjesë e programit të përgjitshëm, i cili pritet të bëhet publik gjatë këtyre dy ditëve.

Organizatorët premtojnë ulje çmimesh për librat e ekspozuar dhe në fund edhe ndarjen e çmimeve të panairi në disa kategori. Panairi i Librit është panairi më i madh i librit në Shqipëri. Ky panair është më i frekuentuari dhe më popullori, në krahasim me të gjitha panairet e organizuara në Tiranë. Ky panair tregon interesimin e librave për shqiptarët e të gjitha moshave.

Panairi i parë i librit në Tiranë u organizua në vitin 1998 dhe organizohej nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës në Tiranë. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht. Botuesit shqiptarë marrin pjesë edhe në panaire tjera ndërkombëtare të librit mes të cilëve më i rëndësishmi është Panairi i Librit në Frankfurt.

Neritana Kraja