Kushtet e kreditimit për bizneset dhe individët
2022-11-14 09:34:25

Tregu i brendshëm financiar është karakterizuar nga rritje të normave të interesit, në ndjekje të ciklit normalizues të politikës monetare në vend dhe në botë. Ky është përfundimi i Bankës së Shqipërisë në publikimin e Raportit tremujor të politikës monetare.

Kreditimi (Foto Fondi Besa)

Kreditimi (Foto Fondi Besa)

“ Në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, rritjet e interesave kanë tejkaluar rritjen e normës bazë, në reflektim të pritjeve të tregut mbi reagimet e ardhshme të politikës monetare. Tregu valutor është karakterizuar nga një tendencë mbiçmuese e lekut kundrejt euros dhe nënçmim i tij ndaj dollarit amerikan, duke funksionuar gjithsesi brenda parametrave normalë. Në tërësi, primet e rrezikut në tregje mbeten në nivele të përmbajtura, ndërkohë që niveli aktual i normave të interesit është ende stimulues për rritjen e kredisë. Kredia ka vijuar të rritet në të gjitha kategoritë. Bilancet e bankave tregojnë për ecuri të mirë të likuiditetit dhe të shëndetit të kredisë”- thuhet ne raport.

Sipas Bankës Qendrore, interesat e tregut ndërbankar janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke qenë në linjë me ndryshimet e normës bazë.

“ Përtej këtyre zhvillimeve, normat e interesit në këtë segment janë shfaqur të qëndrueshme dhe me diferenca minimale nga norma bazë. Tregu nuk ka shfaqur presione të shtuara për likuiditet, duke mundësuar respektimin e objektivit operacional të politikës monetare. Banka e Shqipërisë ka vijuar të ofrojë likuiditet për sistemin bankar nëpërmjet instrumentit kryesor, repos njëjavore, si dhe nëpërmjet injektimeve me maturitet tremujor. Shuma e injektuar në këtë tremujor ka qenë afërsisht e njëjtë me atë të tremujorit të dytë. Nivelet aktuale të likuiditetit janë të përshtatshme për një përcjellje të sinjaleve të politikës monetare në tregun ndërbankar dhe  më tej në segmentet e tjera të tregut financiar.”

Raporti tremujor i politikës monetare thekson se Leku ka vijuar të mbiçmohet kundrejt euros edhe në tremujorin e tretë të vitit, përtej sa dikton sjellja sezonale, por duke mbetur brenda parametrave normalë të tregtimit.

“Mbiçmimi i lekut kundrejt euros, i nisur që prej fundit të muajit prill, kulmoi në tremujorin e tretë; kursi eur/lek rezultoi mesatarisht 117.1 lekë/euro, nga 120.4 lekë/euro që ishte në tremujorin e dytë të vitit dhe 121.9 lekë/euro në tremujorin e parë të tij. Në tre javët e para të muajit tetor, kursi eur/lek është luhatur pranë nivelit mesatar të muajve shtator dhe gusht, me një mbiçmim vjetor të lekut prej 3.9%.Në tërësi, ecuria e lekut kundrejt euros është përcaktuar nga lëvizjet e kërkesës dhe ofertës, brenda kushteve normale të tregtimit. Si luhatshmëria e kursit eur/ lek, ashtu edhe spread-i mes çmimit të kuotuar në shitje dhe atij në blerje, janë luhatur pranë vlerave normale të tyre. Intensifikimi i presioneve mbiçmuese, sikurse dëshmohet nga ecuria e treguesit të anshmërisë, reflekton prurjet më të larta valutore gjatë këtij viti. Përmirësimi i deficitit tregtar, i ndikuar më së shumti nga suficiti i lartë i shërbimeve, si dhe përshpejtimi i rritjes së flukseve neto të investimeve të huaja direkte9, kanë qenë burimet kryesore të rritjes së ofertës valutore në vend gjatë kësaj periudhe.”- thuhet me tej ne raport.

Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të kredisë për bizneset dhe individët janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, teksa bankat vijojnë të përcjellin gradualisht kushtet e reja financiare në ekonomi. Pavarësisht kësaj, nivelet aktuale të normave të interesit të kredisë janë ende stimuluese për rritjen e kreditimit.

“Interesi mesatar për kreditë e reja në lekë për bizneset rezultoi 6.2% në tremujorin e tretë të vitit, nga 5.7% që ishte në gjysmën e parë të tij. Rritja e normave ka vijuar në segmentin e kredive të vogla (deri në 35 mln lekë) dhe është përforcuar më shumë në muajin shtator. Ndërkohë, interesi për kreditë e mëdha mbetet i luhatshëm dhe prirja rritëse është ende e dobët. Rritja e normave të interesit është më e dukshme tek kreditë e reja për individë. Në tremujorin e tretë të vitit, interesi mesatar i tyre rezultoi 7.6%, me një ndryshim kumulativ prej 1.0 p.p. kundrejt tremujorit të parë të vitit. Rritje të ngjashme kanë shënuar si interesi mesatar i kredive për blerje banesash, ashtu edhe ai i kredive konsumatore, niveli i të cilëve ka arritur përkatësisht në 4.5% dhe 10.1%.”

Ne vend normat e interesit për kreditë në euro vijojnë të luhaten në nivele të ulëta dhe të krahasueshme me ato të vitit të kaluar. Interesi mesatar i kredisë së re në euro për biznese është shfaqur i luhatshëm gjatë këtij viti.

“Pas rënies në tremujorin e dytë të vitit, ai shënoi rritje në tremujorin e tretë, në 4.8%, duke u rikthyer pranë nivelit të tremujorit të parë. Interesi mesatar i kredisë për individë, prej 3.6% në këtë tremujor, mbeti thuajse i pandryshuar nga mesatarja e gjysmës së parë të vitit dhe nga ajo e vitit të kaluar. Rritja e normave të interesit të kredisë në lekë dhe vijimësia e normave të ulëta për kreditë në euro ka çuar në zgjerimin e diferencialit të interesit. Ai është rritur gradualisht që prej muajit maj dhe ka arritur në 3.0% në muajin shtator.”

Bankat kanë filluar të rrisin gradualisht normat e interesit për depozitat pas fillimit të normalizimit të politikës monetare. Interesi mesatar për depozitat me afat në lekë shënoi 1.3% në muajin shtator, nga mesatarja e qëndrueshme prej 0.6% - 0.7% e tre viteve të fundit. Të njëjtën tendencë kanë shfaqur edhe interesat e depozitave në euro, të cilat kanë arritur në 0.7% në muajin shtator, nga nivelet nën 0.2% të katër viteve të mëparshme. Kredia për sektorin privat është zgjeruar me ritme të larta në tremujorin e tretë.

“Rritja vjetore e portofolit me 13.9% ishte rreth 1.1 pp më e lartë se ajo e tremujorit të dytë. Gjithashtu, zgjerimi tremujor prej 26 miliardë lekësh ishte i krahasueshëm me ritmin e tremujorit të dytë, pavarësisht prirjes sezonale të dobët që ka kredia në këtë tremujor. Zgjerimi i kredisë reflekton kryesisht kërkesën e shtuar të bizneseve për të mbuluar rritjet e kostove dhe të çmimeve, si dhe përqasjen ende akomoduese të bankave ndaj saj. Ndërkohë, bankat kanë filluar të shtrëngojnë standardet e kreditimit në mënyrë të kujdesshme, krahas përcjelljes së shtrenjtimit të kostos së kredisë. Raporti i kredive me probleme ndaj totalit vijon të jetë në nivele të ulëta, prej 5%, duke mos sinjalizuar për një përkeqësim të aftësisë paguese.”

Në muajin shtator, sipas te dhënave te Bankës së Shqipërise  norma vjetore e rritjes së kredisë për individë prej 15.8% ishte në nivele të ngjashme me një tremujor më parë.

“Pavarësisht kësaj, pakësimi i kredive të disbursuara dhe i shtesës neto të portofolit sinjalizojnë për një ngadalësim në financimin e individëve, e ndikuar më së shumti nga rënia e kërkesës13. Rritja e shpejtë e kostove të kredisë në përgjigje të prirjes rritëse të normave të interesit dhe shtimi i pasigurive kanë qenë faktorët kryesorë në këtë ecuri. Gjithashtu, bankat kanë shtuar kujdesin e shqyrtimit të kërkesave për kredi, sidomos për individët që janë më shumë të rrezikuar nga përkeqësimi i aftësisë paguese.”- thuhet me tej nga Banka e Shqiperise.

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Zhvillimet në anën e pasivit të bilancit të bankave tregojnë për një rritje të qëndrueshme të grumbullimit të fondeve.

“Depozitat në total u rritën me 10%, po aq sa edhe në tremujorin e dytë. Ngadalësimi i normave të rritjes së depozitave në lekë është balancuar nga rritja më e fortë që kanë shfaqur depozitat në valutë. Kështu, depozitat në lekë u tkurrën lehtësisht gjatë tremujorit, duke shënuar një normë rritjeje vjetore prej 3.2%, ndërkohë që rritja vjetore e depozitave në valutë ishte 16.5%. Fluksi tremujor i këtyre depozitave - veçanërisht në muajin gusht - ishte i fortë, i mbështetur më së shumti nga rritja e depozitave të individëve në valutë. Kjo rritje është në linjë me sjelljen sezonale të tyre në këtë periudhë të vitit, karakterizuar nga flukse hyrëse të larta valutore, si dhe nga një zhvendosje e mbajtjes së kursimeve të individëve në llogari bankare.”- thuhet me tej.

Sipas Bankes Qëndrore  prej më shumë se një viti, vihet re tendenca e individëve për të vendosur kursimet në depozita me afat mbi dy vjet, në kërkim të kthimeve më të larta. Të dhënat tregojnë se rritja e kontributit të depozitave me afat po kompenson kontributin më të pakët që japin depozitat pa afat në rritjen totale. Rritja e normave të interesit në vend dhe jashtë duket se mbështet këtë zhvendosje të preferencës për të mbajtur kursimet nga depozita likuide në depozita me maturitete më afatgjata.