Samiti i G20-s: Krijimi i konsensusit dhe kërkimi i rimëkëmbjes së përbashkët
2022-11-14 19:37:22

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Më 15 dhe 16 nëntor do të mbahet në ishullin Bali të Indonezisë Samiti i 17-të i Grupit të 20 Vendeve (G20). Në kohën e sotme situata ndërkombëtare është e trazuar, ekonomia botërore është në prirje rënieje dhe zhvillimi global përballet me sfida të mëdha. Në këtë sfond, vendi kryetar i radhës i G20-s, Indonezia, përcaktoi si temë të samitit “Rimëkëmbje e përbashkët, rëmëkëmbje më e fortë.”

“Ne kemi nevojë për frymën e solidaritetit për të kapërcyer vështirësitë, dhe duhet të krijojmë një atmosferë tolerance e bashkëpunimi brenda vendeve anëtare, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për një rimëkëmbje të qëndrueshme,” tha ambasadori i Indonezisë në Kinë Djauhari Oratmangun. Ai theksoi se Kina, si një fuqi gjeoekonomike dhe politike me ndikim, do të luajë një rol të rëndësishëm. Për të arritur një rimëkëmbje të përbashkët dhe të fortë, Kina është pa dyshim udhëheqëse, vuri në dukje përfaqësuesi i diplomacisë indoneziane në Kinë.

Drejtori i Qendrës së Promovimit dhe Zhvillimit të Nismës Kineze “Një brez, një rrugë” të Bosnjë dhe Hercegovinës Faruk Boriç u shpreh se Kina ka propozuar Nismën e Zhvillimit Global për të ndihmuar vendet në zhvillim të zhdukin varfërinë dhe nismën “Një brez, një rrugë” për të ofruar mundësi investimi për mbarë botën dhe për të përmirësuar ndërlidhshmërine ndërmjet vendeve. Këto nisma jo vetëm që kontribuojnë në përgjigjen ndaj krizave të tanishme, por edhe përcaktojnë rrugën e zhvillimit për të ardhmen e njerëzimit në tërësi dhe duhet të shqyrtohen me kujdes, theksoi Boriç. 

Volodymyr Urusov, profesor i asociuar në Departamentin e Historisë në Universitetin Shtetëror “Taras Shevchenko” të Kievit në Ukrainë, tha se koncepti i Kinës për një bashkësi me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin e ka bërë botën të kuptojë se çdo vend mund të ketë karakteristikat e veta dhe të jetojë në harmoni. 

Eksperti për çështjet kineze në Shkollën e Ekonomisë dhe Menaxhimit të Zagrebit, Ivica Bakota, tha se Kina ka propozuar Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale, ka promovuar në mënyrë aktive zbutjen e tensioneve dhe ka gjetur zgjidhje që plotësojnë interesat e përbashkët të të gjitha palëve mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe kërkimit të të përbashkëtave, duke ruajtur dallimet.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Studiuesi i njohur Brazilian i marksizmit, Elias Jabbour, u shpreh se Kina ka mbjellë një “farë” për paqen dhe stabilitetin botëror. 

Ish-kryeredaktori i gazetës “Albanian Daily News” Genc Mlloja mendon se Kina është një ndër ofrueset kryesore të të mirave publike globale dhe se veprat e mira të Kinës sjellin shpresë te njerëzit dhe frymëzojnë të gjitha vendet që të punojnë së bashku për interesat e përbashkët të njerëzimit.

Shumë analistë ndërkombëtarë besojnë se samiti i G20-s duhet të fokusohet në temën e "rimëkëmbjes", të krijojë konsensus dhe të kundërshtojë përpjekjet e disa vendeve të veçanta për të sjellë kundërvënie në grup dhe shkëputje në samitin e G20-s. Drejtori i Qendrës së Promovimit dhe Zhvillimit të Nismës Kineze “Një brez, një rrugë” të Bosnjë dhe Hercegovinës, Faruk Boriç, tha se samiti i G20-s është shumë i rëndësishëm për mbarë botën. Çështje të tilla si siguria globale, ndryshimet klimatike, kriza energjetike dhe recesioni ekonomik kanë shpërthyer në mënyrë të përqendruar. Njerëzit presin zgjidhje globale për këto çështje në samitin e G20-s, vuri në dukje ai.

Ish-drejtori i Departamentit të Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, dr. Michael Borchmann, theksoi që, nëse vendet e veçanta kërkojnë hegjemoninë ose përpiqen të krijojnë ndarje e kundërvënie, kjo do të jetë një rrugë që do ta çojë botën më tej në humnerë. (Fang Xiaoyu/Artan)