Guximtar Rushani, koncerti recital dhe jeta mes dy profesioneve
2022-11-13 16:53:46


Guximtar  Rushani është këngëtar i muzikës së lehtë, serenatave dhe asaj popullore qytetare. Ka mbi dy dekada që merret me muzikë dhe ka marë pjesë në shumë festivale në Maqedoninë e Veriut, Kosovë  dhe në Shqipëri. Në jetë ai përkushtohet në dy profesione, në muzikë që është profesioni i tij prej 23 vitesh, por edhe mësimdhënia  ku prej 17 vitesh është pedagog dhe kancelar i Universitetit Ndërkombëtar në Strugë. Të dyja profesionet janë shumë të dashura për të sepse i bën me shumë dashuri dhe shpeshherë për të zë shumë vend shprehja: "Nëse një person e bën me dashuri punën e vet, atëherë nuk ka për të punuar asnjë ditë të jetës së tij, sepse puna e tij nuk është më punë, por është kënaqësi". 

Kjo ndodh edhe me artistin Guximtar Rushani, për të cilin dy profesionet e tij i japin vërtetë shumë kënaqësi. Ai sapo ka realizuar recitalin e tij të parë me materialet  muzikore të përpunuara enkas për të, koncert i cili pati vërtetë shumë sukses. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Guximtari na rrefën për punën e madhe dhe suksesin e koncertit,  puna si pedagog në fushën e drejtësisë, si dhe energjia që i dhuron muzika gjatë interpretimeve live në fundjavë. 

Guximtar Rushani  (Foto personale)

Guximtar Rushani  (Foto personale)

CMG: Si shkoi ky koncert dhe a i arriti pritshmëritë e tua?

Guximtar Rushani: Mendoj se koncerti shkoi shumë mirë. Ishte një event, i cili u organizua nga ana ime, bashkë me bandën time muzikore për dy muaj. Kjo bëri që koncerti të dalë ashtu siç e prisja unë, madje edhe më mirë, kishte shumë publik që më ka nderuar jo vetëm nga Struga, por edhe nga  qytete të tjera, të cilët ishin mjaft euforik dhe kaluam shumë mirë. Koncerti u realizua në Pallatin e Kulturës dhe doli gjithçka jashtë parashikimeve të mia. Kaluam një mbrëmje vërtetë magjike. 

CMG: Si lindi ideja për ta sjellë këtë koncert dhe prej sa kohësh punon për këtë recital?

Guximtar Rushani:  Ideja ka qenë, por periudha e pandemisë bëri që të ngecte realizimin e aktiviteteve muzikore. Tani gjetëm kohën, bandën muzikore dhe ja arritëm qëllimit që ky koncert të dilte sa më bukur dhe sa më profesional.

CMG: Ti ke sjellë edhe koncerte të tjera vite më parë, çfarë të veçante kishte këtë herë për ta konsideruar, recitali i parë? 

Guximtar Rushani: Është e vërtetë që unë kam sjellë edhe më herët shumë koncerte, por fakti që më 29 tetor solla një koncert me materialet e  mia muzikore, të cilat erdhën të përpunuara, pra ishin të gjitha këngët e mia ndër vite, më bëri që ta quaja koncerti im i parë recital. I gjithë publiku erdhi për të dëgjuar këngët e mia origjinale, por edhe disa këngë të përpunuara që unë i kam kënduar përgjatë karrierës time 23 vjeçare. Shpresoj që gjithashtu të mos jetë i fundit, por të ketë sa më shumë koncerte të tjera të ngjashme në jetën time.  

Guximtar Rushani Foto nga koncerti recital (Foto personale)

Guximtar Rushani Foto nga koncerti recital (Foto personale)

CMG: Cila ishte surpriza e kësaj mbrëmjeje? 

Guximtar Rushani: Mbrëmja ishte shumë e bukur dhe unë u surprizova nga vetë fakti që publiku këndonte njëzëri me mua dhe realisht i gjithë publiku ishte i intonuar muzikalisht. Një tjetër surprizë ishte fakti që i pranishëm në koncertin tim ishte edhe miku im Menderez Lumani, i cili është edhe kompozitori i këngëve të mia. 

CMG: A do të udhëtojë nëpër qytete të tjera?

Guximtar Rushani: Uroj që ky koncert të mos mbesë vetëm në Strugë. Sapo të përfundojmë montazhin dhe të publikohet në televizion, më pas do vendosim nëse do shkojmë edhe në qytete të tjera. 

CMG: Ti Guximtar ke guxuar në fillimet e tua të marësh pjesë në festivalin e Rtsh-së. Pse vitet e fundit nuk të kemi parë më në këto konkurime? A do të shohim në të ardhmen?

Guximtar Rushani: Kam qenë pjesëmarrës në shumë koncerte në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Këto kohët e fundit nuk kam marrë pjesë sepse angazhimi im ka qenë në profesionin tim si pedagog, por muzika live gjatë fundjavave  më merr kohë,  gjithashtu edhe evente të ndryshme live, dhe vahdoj të kem një axhendë shumë të ngjeshur. Por të shohim se çfarë do na sjellë e ardhmja, ndoshta na sjell ndonjë risi. 

Guximtar Rushani (Foto  personale)

Guximtar Rushani (Foto  personale)

CMG:  Koncerti mbanti titullin "Vjeshtë e vendit tim", por edhe shumë këngë të repertorit tënd i janë dedikuar vjeshtës. Çfarë kujtimesh të lidhin kaq shumë me stinën e vjeshtës?

Guximtar Rushani: E para, koncerti u realizua në qytetim tim të lindjes në Strugë, gjithashtu edhe disa këngë të miat që janë krijuar nga kompozitorë të ndryshëm i janë dedikuar stinës së vjeshtës, por në brendësi të saj përveçse ka vjeshtë, ka dhe dashuri,  pikëllim, por ka dhe gëzim. Pra në brendësi nuk ka vetëm vjeshtë, por ka dhe më shumë se aq.  Meqënëse koncerti u mbajt më datë 29 tetor në stinës e vjeshtës,  në qytetin tim të lindjes, vendosa ta titulloj "Vjeshtë e vendit tim”. 

CMG: A do  publikohen këngët e koncertit në youtube për t’i ndjekur publiku i gjerë?

Guximtar Rushani: Sapo të publikohet koncerti recital në televizionin e Maqedonisë së Veriut dhe pasi të ndiqet nga publiku i gjerë, më pas do kem mundësi ta publikoj në youtube, por edhe të realizoj një Cd me këngët e koncetit, të cilën mund t'ja dhuroj të  gjithë miqve të mi dhe dashamirëvse të muzikës. 

Guximtar  Rushani (Foto personale)

Guximtar  Rushani (Foto personale)

CMG: Çfarë nismash të tjera të rëndësishme për jetën tënde, ke marë ti në stinën  e vjeshtës? 

Guximtar Rushani: Muzika nuk është e vetmja gjë që na preokupon, por jeta është goxha e bukur ku përveç muzikës ke edhe aktivitete të tjera si puna, angazhimet famijare , fëmijët, bashkëshortja, apo siç është i tërë ky angazhim i përditshëm që na preokupon dhe na bën të jetojmë çdo ditë jetën tonë. Nuk kam ndonjë risi tjetër, por mundohem të jetoj normalisht si gjithë të tjerët, duke bërë më të mirën e mundshme, si në aspektin profesional ashtu edhe në pasionin tim, muzikën.

CMG: Përpos muzikës ti prej vitesh  je shumë i angazhuar paralelisht edhe me arsimin. Si i ndërthur këto dy profesione?

Guximtar Rushani: Unë për gati 17 vite jam pjesë e Universitetit Ndërkombëtar në Strugë ku jam pedagog dhe kancelar. Mundohem në të njëjtën kohë të jem profesionist në punën time, të bëj më të mirën e mundshme si profesionist dhe pedagog. Por ja që muzika është ajo e cila më plotëson, duke më kthyer energjinë time në fundjava. Edhe pse është një punë e lodhshme muzikore, por mua më kënaq shumë dhe më jep kënaqësi të paparë. E di që të gjjthë muzikantët që më degjojnë tani më kuptojnë, sepse e dinë që edhe ata muzika i ushqen në aspektin shpirtëror. Unë nuk jam nga ata këngëtar që nuk jam pasuruar nga muzika, por jam nga ata këngëtar që nga muzika kërkoj që të pasurohem shpirtërisht dhe mundohem që nga muzika të gjej kënaqësinë shpirtërore. Dhe mendoj se me muzikën e kam arritur këtë gjë. 

Guximtar Rushani (Foto personale)

Guximtar Rushani (Foto personale)

CMG: Ku e ndjen veten më mire, në cilin nga profesionet? 

Guximtar Rushani: Të dy profesionet më pëlqejnë sepse i bëj me shumë dashuri dhe shpeshherë them shprehjen: "Nëse një person e bën me dashuri punën e vet, atëherë nuk ka për të punuar asnjë ditë të jetës së tij, sepse puna e tij nuk është më punë, por është kënaqësi". Unë kënaqem me të dyja profesionet që po i bëj dhe të dyja i bëj me kënaqësi. Me të dyja profesionet kam  punë me njerëz të ndryshëm, me studentë, të rinj e të reja që më ndjekin live dhe të dyja profesionet i dua dhe i respektoj.

CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen? 

Guximtar Rushani: Kam nisur disa aktivitete në aspektin e krijimtarisë,  po punoj për një këngë origjinale por edhe nja dy këngë të ripërpunuara. Po punoj [ër të sjellë një duet me këngëtarin Aranit Hoxha që është nga zërat më të mirë të muzikës popullore shqiptare. Do jetë një realizim shumë i mirë dhe shpresoj që ta pëlqejë publiku. 

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese! 

Guximtari Rushani: Faleminderit për mundësinë që i jep artistëve për të treguar për rejat e tyre në fushën e artit dhe projekteve të tyre muzikore. Shpresoj që të kemi sa më shumë intervista të ngjashme, për të folur për artin, muzikën, për të rejat muzikore. Faleminderit dhe suksese! 

Intervistoi: Sava Lena