Xi Jinping dha një fjalim të shkruar për Forumin Ndërkombëtar mbi Ndihmën e Orizit Hibrid dhe Sigurinë Globale të Ushqimit
2022-11-13 17:50:22

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping dha një fjalim të shkruar për Forumin Ndërkombëtar mbi Ndihmën e Orizit Hibrid dhe Sigurinë Globale të Ushqimit, i cili u zhvillua të shtunën në Pekin.

Në fjalimin e tij, Xi vuri në dukje se siguria ushqimore është thelbësore për mbijetesën njerëzore. Gjysmë shekulli më parë, orizi hibrid u zhvillua me sukses për herë të parë dhe u mboll në Kinë. Falë kësaj teknologjie, Kina ka arritur të ushqejë rreth 20 për qind të popullsisë së globit me më pak se 9 për qind të tokës së punueshme në botë, duke u shndërruar në prodhuesin më të madh të ushqimit dhe eksportuesin e tretë më të madh në botë. 

Prej vitit 1979, orizi hibrid filloi të prezantohej në botë, duke përfituar rreth 70 vende nga pesë kontinentet. Ky ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm në rritjen e prodhimit të tyre të drithërave dhe zhvillimin bujqësor, duke dhënë një zgjidhje kineze mbi mungesën e ushqimit për vendet në zhvillim. 

“Aktualisht, siguria globale ushqimore përballet me sfida dhe kompleksitete të rënda. Kina do të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet me një frymë solidariteti dhe një të ardhmeje të përbashkët për të çuar përpara Iniciativën e Zhvillimit Global, për të forcuar bashkëpunim mbi sigurinë ushqimore dhe zhdukjen e varfërisë, duke dhënë kontribute më të mëdha për zbatimin e shpejtë të Agjendës së OKB-së 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe ndërtuar një botë pa uri dhe varfëri.” - shkruan presidenti kinez.

Këshilltari i Shtetit i Kinës dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi mori pjesë në forum. Ai theksoi se Kina është e gatshme të punojë me komunitetin ndërkombëtar për ruajtjen e sigurisë ushqimore globale dhe dhe të kontribuojë më shumë në realizimin e Agjendës së OKB-së 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. (Li Huailiang/Edmond)