Gerald Murrja gjjatë koncertit recital Wave Symphony (Foto CMG)
Mbrëmjen e datës 9 Nëntor 2022 tenori Gerald Murrja mbajti në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë recitalin e tij të parë. Një koncert me muzikë klasike dhe të lehtë, ku tenori Murrja interpretoi në skenë me emra të njohur të muzikës Kastriot Tusha, Soni Malaj, Renisa Laçka, Tiri, “etj. Tenori Murrja është një nga tenorët më premtues të operas. Në sallën “Tonin Harapi”, në Liceun Artistik ku studioi, artisti dibran Gerald Murrja mbajti recitalin “Wave Symphony” me pjesët më të njohura të muzikës botërore si kënga “My way” e Frank Sinatrës, “Dance with me” të Leonard Cohen, “You raise me up”, “Grande amore” etj. Për Geraldin dëshira për muzikën klasike ka lindur vite më parë, kur ai mbaroi shkollën 9-vjeçare, duke vazhduar në Liceun Artistik, pikërisht aty ku ai solli dhe recitalin e tij të pare. Në këtë lice nisi gjithçka me pedagogen Zina Zdrava me të cilën pati edhe mësimet e para të kantos për të vijuar drejt muzikës operistike, ku sot vazhdon të interpretojë si solist në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ndërsa në Universitetin e Arteve, pedagogu udhëheqës i tij ka qenë tenori Kastriot Tusha. Geraldi realizoi dëshirën që në këtë koncert recital të interpretonte bashkë me pedagogun e tij, Kastriot Tusha.
Recitali “ WAve Symphony” ishtë një miks mes muzikës klasike dhe asaj të lehtë, një ndërthurje për të tërhequr sa më shumë publik dhe ia arriti qëllimit. Salla ishte e mbushur me miq, kolegë, pedagogë, por edhe të ftuar specialë, të cilët e kanë duartrokitur deri në fund të programit artistik prej 60 minutash. Ky ishte një sukses për t’i lënë hapësirë projekteve në vazhdim, ku më i afërti do të jetë “Don Pascuale” në Teatrin e Operas dhe Baletit, një tjetër sfidë kjo e cila padiskutim do të ketë suksesin e merituar.
Përgatiti: Sava Lena