Presidenti i Republikës Bajram Begaj pret delegacionin e Republikës Popullore të Kinës
2022-11-13 17:42:16

Foto nga faqja e Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Foto nga faqja e Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti një delegacion të Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga ambasadorja Jiang Yu, përfaqësuese e posaçme e Ministrisë së Jashtme për bashkëpunimin me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës shqiptare bëhet e ditur se presidenti Begaj e vuri theksin në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i vlerësuar ato si të mira dhe bashkëpunuese. 

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve u konsiderua si një ecuri pozitive, ndërsa një theks i veçantë u vendos te rëndësia e tregtisë edhe në të ardhmen, thuhet në deklaratë.

Kryetarja e delegacionit kinez falënderoi për pritjen dhe tha se Shqipëria mbetet një vend mik dhe i rëndësishëm për Republikën Popullore të Kinës. Ajo theksoi kontributin që Shqipëria i ka dhënë këtij vendi për anëtarësimin në OKB, theksohet në deklaratë. 

Në një postim në “Facebook”, Ambasada e Kinës në Shqipëri, bëri të ditur se ambasadorja Jiang Yu, përfaqësuesja e Këshilltarit të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm të Kinës, njëkohesisht përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Jashtme për bashkëpunimin me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore të Kinës për Bashkëpunimin Kinë-EQL, zhvilloi takime me drejtues të lartë të shtetit shqiptar, ku u bisedua për marrëdhëniet kino-shqiptare, bashkëpunimin praktik midis dy vendeve dhe bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në njoftimin e ambasadës bëhet e ditur se ambasadorja Jiang, shoqëruar dhe nga ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, mori pjesë dhe në promovimin e produkteve shqiptare, të organizuar së bashku nga Ambasada e Kinës në Shqipëri, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Agjencia e Tregtisë e Bashkisë Ningbo të Kinës.

“Kjo ndërton një urë për ndërmarrjet kineze dhe shqiptare për t'u lidhur dhe negociuar, si dhe do të injektojë një shtysë të fortë në bashkëpunimin në import dhe eksport midis dy vendeve”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri.  (Irma)