Kina lëshoi me sukses të shtunën anijen kozmike Tianzhou-5 për të furnizuar Stacionin Hapësinor të Kinës, ndërtimi i të cilit pritet të përfundojë këtë vit.
Raketa “Marshimi i madh-7 Y6”, që mbante Tianzhou-5, u lëshua më 10:03, sipas orës së Pekinit, nga vendi i lëshimit të anijeve kozmike i Wenchang-ut në provincën Hainan të Kinës Jugore.
Anija kozmike Tianzhou-5 është e ngarkuar me furnizime për gjashtë muaj për ekuipazhin prej tre astronautësh, me lëndë shtytëse, pajisje eksperimentesh si dhe një satelit të edukimit shkencor, qeliza karburanti me bazë hidrogjeni dhe oksigjeni dhe një pajisje për zbulimin e grimcave me energji të lartë.
Lëshimi i Tianzhou-5 është misioni i 200-të për Qendrën e Lëshimit Satelitor Xichang këtë vit, si dhe i fundit për vendin e lëshimit të Wenchang-ut gjatë 2022-it.
Kina do të kryejë edhe dy misione të tjera pas lëshimit të anijes kozmike Tianzhou-5, lëshimin e anijes kozmike Shenzhou-15 me ekuipazh dhe kthimin e ekuipazhit të anijes kozmike Shenzhou 14 në Tokë, para se të përfundojë plotësisht ndërtimin në orbitë të Stacionit Hapësinor para fundit të këtij viti. (Li Huailiang/Edmond)
