Këngëtarja Bruna Sota Hoxha është një emër i njohur në Shqipëri dhe diasporën shqiptare. Me zërin e saj të ëmbël dhe melodioz, me talentin dhe mjeshtërinë artistike, Bruna që herët u shqua për vlerat e saj artistike muzikore. Në rrugën profesionale Brunën e futi dirgjenti i estradës së Fierit, Ferit Hoxha i cili është dhe bashkëshorti i artistes fierake. E vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, e njohur si “bilbili i këngës myzeqare”, mbas një rrugëtimi të gjatë artistik në Shqipëri, SHBA dhe vende të ndryshme të Europës, Bruna rikthehet në qytetin e saj të lindjes për t’i dhuruar publikut fierak një buqetë këngësh qytetare. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për rrugëtimin muzikor, emocionet e koncertit ecital në qytetin e Fierit si dhe projektet për të ardhmen.
Bruna Sota Hoxha rikthehet me koncert recital në qytetin e Fierit
CMG: Para pak kohësh ju realizuat një koncert recital në qytetin e Fierit, ku publiku ju priti shumë mire, sepse u rikthyet pas 10 vitesh me një koncert live. Cilat ishin emocionet që përjetuat në këtë recital?
Bruna Sota Hoxha: Përpara se të flas për koncertin në radhë të parë dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë Armando Subashi, i cili na bëri një ftesë për të qenë pjesë në festën e ditës së çlirimit të qytetit të Fierit. Këtë ftesë e mirëpritëm me shumë dashamirësi, dhe ishim të gatshëm të bënim këtë koncert në këtë ditë të shënuar të qytetit. Dua të them që ishte një nga koncertet që unë nuk do ta harroj, që më ka dhënë jetë duke më ndryshuar komplet gjendjen time shpirtërore.
Unë erdha në qytetin tim të dashur, erdha tek fierakët e mi që kisha shumë kohë pa kënduar për ta. Kisha kënduar në shumë vende të botës, por e kënduara në Fier seç ka diçka tjetër, është kaq e bukur dhe kaq e ëmbël sa nuk ka ku të vejë më. Spektatori na ka pritur në mënyrën më të jashtëzakonshme, ka kënduar së bashku me ne, ka duartrokitur, edhe lot shikoja që njerëzit derdhnin nga malli.
Bruna Sota Hoxha gjate nje festivali te kenges (facebook)
CMG: Në këtë koncert ju sollët këngë nga krijimtaria juaj në vite, apo kishit dhe këngë të reja?
Bruna Sota Hoxha: Ky koncert titullohej “Të këndojmë së bashku”, dhe jo pa qëllim sepse gjatë gjithë kohës që ne bëmë koncertin, spektatori ka kënduar bashkë me ne shumë këngë sepse brenda programit kishte këngë të vjetra fierake. I kishim lënë ashtu siç ishin bio me iso dhe me të kthyer. Pastaj kishim këngë të përpunuara qytetare fierake, dhe së treti kishim dhe këngën e re qytetare fierake, këngë të reja të kërcyeshme. Këto këngë i këndova duke i lëshuar mbrapa ekranit tekstin e refrenit, ku ja paraqisja spektatorit për të parën herë, për të dytën herë këndonim së bashku dhe kur këndohej kënga, këndonin të gjithë së bashku me mua. Ishte një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe.
CMG: Bruna keni një jetë në muzikë, por dhe bashkëshortore me muzikantin e mirënjohur Rik Hoxha, që ishte dhe mbështetja kryesore në realizimin e recitalit si dhe të sjelljes ndryshe të këngëve popullore fierake.
Bruna Sota Hoxha me aktoren fierake Miola Sitaj pas koncertit (facebook)
Bruna Sota Hoxha: Është e vërtetë që gjithë krijimtaria e këtij programi ishte mbështetur tek Riku. Ai ishte kompozitori i shumë këngëve, ishte orkestruesi dhe poet i shumë teksteve. Ai ishte drejtuesi i këtij koncerti, pra pati një meritë shumë të madhe në këtë recital, dhe më vjen shumë mirë që të gjitha gjërat që ai i organizoi dolën kaq mirë dhe bukur. Nuk dua të flas si bashkëshort, por dua të flas si partner muzikant që jemi. Është vërtetë një nga artistët më të talentuar që ne kemi.
CMG: Ju gjithmonë keni qenë bashkë edhe nëpër koncerte të ndryshme. Besoj që përveçse një bashkëshort, e keni dhe një mbështetje nga ana profesionale?
Bruna Sota Hoxha: Kemi shumë vite bashkë, por koha që jemi dashuruar, fejuar dhe martuar kanë lozur një rol të mrekullueshëm edhe në punë artistike sepse duke u ndjerë mirë dhe ana tjetër artistike bëhet akoma edhe më e bukur dhe më me dëshirë.
CMG: Keni qenë në koncerte në disa vende të botës. Çfarë emocionesh keni përjetuar nga publiku në këto vende ku ju keni mbajtur koncerte?
Bruna Sota Hoxha: Kam provuar shumë emocione me thënë të drejtën. Në Greqi kam qenë e befasur që kam kënduar për grekët dhe jam pritur shumë mirë, plus këngëve shqiptare që fusja në programin kur këndoja në tavernat e ndryshme apo në buzuk. Ndërsa në Zvicër kam kënduar për bashkëatdhetarët tanë, shqiptarët e Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut. Kurse në Amerikë ishte ndryshe sepse atje bëja dhe punë të tjera për të mbajtuar familjen dhe në të njëjtën kohë mbanim të ndezur dhe muzikën duke dhënë koncerte në festa të ndryshme, në gëzime familjare, për Vitin e Ri, festën e nënës dhe 28-29 nëntorin. Pra e kemi pasur më të programuar, duke bërë dhe punë të tjera, por dhe këngët nuk i kemi harruar asnjëherë.
CMG: Përveç muzikës popullore ju keni interpretuar bukur dhe në muzikën e lehtë shqiptare në festivale të këngës në ato vite. Ku ndjeheni më mirë te këngët popullore myzeqare apo këngët e lehta?
Bruna Sota Hoxha: Unë ndjehem mirë në të dyja anët edhe kur këndoj muzikë të lehtë ndjehem jashtëzakonisht mirë, por dhe kur këndoj populloren ndjehem shumë mirë. Nuk e di pse ndodh kjo, por e ndjej veten shumë mirë dhe me këmbë në tokë në të dyja këto lloj gjinish këngësh.
CMG: Flasim për krijimtarinë tuaj muzikore dhe videoklipet e realizuara. Ju keni gati 30 vite që jeni larguar nga Shqipëria, por besoj që keni publikuar këngë dhe klipe për artdashësit tuaj?
Bruna Sota Hoxha: Me thënë të drejtën kemi publikuar, por jo shumë. Shumë pak kemi publikuar dhe kjo është e vërteta. E kemi filluar me largimin nga Greqia, Zvicra, Amerika, dhe vitet e fundit duke qenë në Amerikë që e kemi përvetësuar edhe më shumë punën e të kënduarit, atje arritëm dhe mundëm që të bënim disa video, por nuk janë të shumta sepse ato janë vërtetë shumë të kushtueshme.
Ne andej kemi punuar me djersë për të realizuar të gjitha detyrimet që kishim, për të paguar pagesat e detyrueshme dhe keshtu që se kemi nxjerrë shumë të ardhura për të arritur që të realizonim shumë videoklipe. Disa këngë i kemi reklamuar në YouTube me fotografi, por krijimtarinë e kemi të jashtëzakonshme. Kemi shumë këngë akoma pa i publikuar, muzikë të lehtë dhe popullore.
Bruna Sota Hoxha me bashkeshortin dhe muzikantin Gjergj Leka (facebook)
CMG: Në Shqipëri ju ishit të ftuar edhe te programi i muzikantit të njohur Gjergj Leka, pra një brez artistësh të një kohe të bukur të muzikës.
Bruna Sota Hoxha: E falenderojmë shumë dhe nuk kam fjalë se çfarë të them për të madhin Gjergj Leka, për muzikantin më të mirë që ka vendi ynë. Ai na dha një mbështetje shumë të madhe me lëvizjen e parë që bëmë pas kaq vitesh dhe që erdhëm këtu në Shqipëri. Kërkesa ka qenë nga Gjergji i cili kishte dëshirë që të merrnim pjesë në programin e tij televiziv në televizionin News 24. Jemi ndjerë jashtëzakonisht mirë dhe vërtetë u shkund një pluhur që kishte shumë vite që asnjeri nuk ishte kujtuar për ne këtu nga Shqipëria. Këtë e bëri vetëm Gjergj Leka. E falenderojmë pa masë dhe i jam shumë mirënjohëse.
CMG: Gjatë koncertit tuaj recital në qytetin e Fierit ju veshët dhe kostumin e bukur tradicional. Cila është ndjesia që përjetoni kur e vishni kostumin popullor?
Bruna Sota Hoxha: Këtë radhë u paraqita me dy kostume shumë interesante, ku njëri ishte i qytetit të Fierit, nga zona e Sheqit dhe ishte vërtetë një kostum shumë i bukur. Unë e thashë edhe në shfaqje që me këtë kostum jam paraqitur në Festivalin Ballkanik që organizohej në Turqi dhe përfaqësonim Shqipërinë, ku veç këngëve ata bënin dhe vlerësime për kostumet. Një nga kostumet e vlerësuara ishte dhe ky që unë vesha atë natë në koncert. Kurse kostumi i dytë ishte i bërë nga një stiliste fierake që jeton në New York. Ajo sa mësoi që unë do të vija në Fier dhe do të realizoja këtë koncert, tha se kishte dëshirë të më bënte një kostum dhuratë për qytetin tim. Kur unë të këndoja dhe qyetit i Fierit ta kishte dhuratë në ditën e festës nga ajo. Kur dola me atë kostum spektatorët e duartrokitën shumë, u duk që ishte më shumë duartrokitja për veshjen që unë ndryshova dhe falenderoj stilisten, Geraldinën që i jam shumë mirënjohëse.
Bruna Sota Hoxha ne skene (Facebook)
CMG: Cili është mendimi juaj për ecurinë e muzikës popullore sot dhe si mund ta ruajmë të pastër atë?
Bruna Sota Hoxha: Mendimi im është që secili këngëtar duhet patjetër të bëjë të pamundurën që të ruajë traditën e vendit prej nga është, se nëse të gjithë do bëjmë këtë që unë bëra, atëhere ata do të zhvillohen akoma më shumë dhe nuk duhet që tradita të harrohet. Ne bëmë diçka shumë të bukur, ku Riku kompozoi një këngë të re në koncertin recital dhe unë i lashë vendin të rinjve, duke thënë që tani jam në një moshë më të rritur dhe kam dëshirë që stafetën t’ua lë të rinjve, por ata duhet të përpiqen që ta vazhdojnë këngën qytetare fierake. Nuk duhet ta harrojmë dhe kjo duhet të kalojë brez pas brezi siç janë këngët arbëreshe që nuk harrohen dhe ne nuk duhet të harrojmë kurrë tabanin dhe këngët tona që janë kaq të bukura. Këngët popullore janë jashtëzakonisht të bukura, sidomos flas për trevën tonë të Myzeqesë që kemi këngë vërtetë shumë të bukura.
CMG: Ju merr malli për qytetin tuaj të lindjes Fierin kur jeni larg?
Bruna Sota Hoxha: Për Fierin kam një nostalgji të madhe. Kur erdha natën e parë pas 10 vjetëve fjetëm në hotel Fieri dhe në mëngjes u ngrita shpejt dhe po shikoja qytetin ku më rrodhën lotët vetvetiu, duke parë qytetin ku u linda dhe u rrita, ku dhashë rininë time dhe ku kam kënduar aq shumë. Nostalgjia është shumë e madhe, kujtimet janë shumë të bukura, ne jetojmë me kujtimet tona sepse na bëjnë shumë mirë dhe sidomos kur je larg ato janë më të ndjeshme.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në të ardhmen?
Bruna Sota Hoxha: Nga fillimi i vitit tjetër ne do të kthehemi përgjithmonë në Shqipëri dhe kemi disa projekte shumë të bukura, por i kemi surprizë.
Bruna Sota Hoxha ne interviste per CMG
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Bruna Sota Hoxha: Unë u uroj të gjithë shqiptarëve nëpër botë në radhë të parë shëndet, i uroj shëndet familjes time, Rikut, Brikenit djalit tonë të vetëm dhe gjithë njerëzimit. Të mos kenë më shqetësimet që kaluam, por qofshin ta kaluara dhe të kemi vetëm gjëra të mira dhe të bukura se njerëzit kanë shumë nevojë që të shijojnë dhe të gëzojnë me gjëra të mira në këtë botë.
Intervistoi: Gazmend Agaj