Mekanizmi Kinë-EQL nxit hyrjen e produkteve shqiptare në tregun kinez
2022-11-12 00:23:46

Kina mirëpret produktet cilësore shqiptare të futen në tregun kinez për të shtuar mirëqenien e të dy popujve, kështu tha përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore e Lindore, ambasadorja Jiang Yu gjatë një aktiviteti të bashkëpunimit ekonomik për promovimin e produkteve shqiptar që u zhvillua të premten në Tiranë. Ndërsa, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë, znj. Ines Muçostepa, u shpreh nga ana e saj dëshirën për të zgjeruar sferat me mundësi të mëdha bashkëpunimi.

Ambasadorja Jiang Yu gjatë aktivitetit të bashkëpunimit ekonomik për promovimin e produkteve shqiptar, 10 nëntor, Tiranë(Foto:CMG)

Ambasadorja Jiang Yu gjatë aktivitetit të bashkëpunimit ekonomik për promovimin e produkteve shqiptar, 10 nëntor, Tiranë(Foto:CMG)

Produkte shqiptare të mirëpritura në tregun kinez që paraqiten në aktivitetin e bashkëpunimit ekonomik(Foto:CMG)

Produkte shqiptare të mirëpritura në tregun kinez që paraqiten në aktivitetin e bashkëpunimit ekonomik(Foto:CMG)

Që nga viti 2012, kur u krijua mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-EQL, produktet bujqësore cilësore shqiptare po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun kinez. Nga viti 2014, në qytetin bregdetar të Kinës Lindore, Ningbo, nisi të zhvillohet çdo vit panairi i produkteve nga vendet e EQL-së dhe produktet bujqësore nga Shqipëria janë ndër më të shiturat në çdo edicion të panairit. Në vitin 2018 u hap pavijoni kombëtar i Shqipërisë në Qendrën e Mallrave të Importit të Qytetit Ningbo. Vjet Shqipëria firmosi në samitin Kinë-EQL protokollet e karantinës me Kinën, duke hapur rrugën e eksportit të produkteve të bulmetit e të mjaltit. Tani të dy palët po përshpejtojnë procesin e përgatitjeve përfundimtare.

Dokumenti për importimin e mjaltit shqiptar(Foto:Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës)

Brenda kësaj kornize, në tetorin e sivjetshëm u zhvillua në Shqipëri kursi i trajnimit të ndërtimit të fermave moderne, ku ekspertët e Institutit të Shkencave të Mekanizimit Bujqësor të Kinës ndanë me kursantët shqiptarë përvojat në bujqësinë inteligjente, biobujqësi, makineritë e pajisjet dhe teknologjinë bujqësore etj., duke i dhënë mbështetje palës shqiptare për zhvillimin e vazhdueshëm bujqësor.

Kursi online për ndërtimin e fermave moderne(Foto:Ambasada e Kinës në Tiranë))

Kursi online për ndërtimin e fermave moderne(Foto:Ambasada e Kinës në Tiranë)

Siç mësohet, gjatë vizitës së ambasadores Jiang, sektorët përkatës të qytetit Ningbo, bashkë me 10 ndërmarrje kineze të import-eksportit, zhvilluan takime në internet me kompani shqiptare për importimin e produkteve, duke përfshirë vajin e ullirit, mjaltin, çajin e malit, verën dhe pije të tjera, bulmetin etj., për të ofruar më shumë platforma për hyrjen e produkteve shqiptare në tregun kinez.

Znj. Jiang Yu ka qenë ambasadorja e Kinës në Tiranë nga marsi i vitit 2015 deri në dhjetorin e vitit 2018. Gjatë mandatit të saj, janë vënë në jetë disa projekte të mëdha bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve. Vitet e fundit Kina është një ndër partneret kryesore tregtare dhe të investimeve të Shqipërisë. Shkëmbimet ekonomiko-tregtare dypalëshe janë bërë gjithnjë e më të ngushta. Pavarësisht ndikimit të pandemisë, vjet vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës e Shqipërisë u rrit 26 %, ndër të cilat eksportet e Shqipërisë në Kinë u rritën 81 %. Nga janari deri në korrikun e sivjetshëm, vëllimi i eksportit të Shqipërisë në Kinë u shtua 76 %, gjë që tregon mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dypalësh.