Banka e Shqipërisë: Konsumi i ka rezistuar rritjes së çmimeve
2022-11-12 17:43:21

Foto: VCG

Foto: VCG

Kërkesa konsumatore e qëndrueshme, rritja e punësimit dhe e pagave, si dhe pritjet për norma inflacioni të larta po zgjerojnë bazën e presioneve inflacioniste në ekonominë shqiptare, thuhet në raportin e politikës monetare për tremujorin e katërt 2022 të Bankës së Shqipërisë.

Sipas raportit, inflacioni në ekonominë shqiptare u rrit në nivelin 7.9% në tremujorin e tretë të vitit, nga mesatarja prej 6.7% e shënuar një tremujor më parë, ndikuar nga çmimet e larta të ushqimeve dhe të naftës, citon “ATSH”.

BSH-ja vlerëson se kërkesa konsumatore u shfaq rezistente ndaj goditjeve, mbështetur nga rritja dinamike e punësimit dhe e pagave, nivelet e larta të kursimeve dhe paketat e rezistencës sociale.

Në veçanti, tregu i punës është përmirësuar me hapa të shpejtë prej fillimit të vitit 2021, duke shënuar rritje të punësimit, rënie të shkallës së papunësisë dhe rritje të pagave në sektorin privat.

Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të mbetet i lartë deri në fillim të vitit 2023, por ai parashikohet të ulet gradualisht, mbështetur edhe nga normalizimi i politikës monetare në vend që do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit pranë objektivit 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.

BSH thekson se, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen në pjesën e mbetur të vitit dhe gjatë vitit 2023, por ritmet e rritjes do të vijnë në ngadalësim. (Irma)