Projekti “Shkolla e Gjelbër”, për ndërgjegjësim të të rinjve për mjedisin
2022-11-12 17:54:31

Te rinjte dhe mjedisi (Foto Atsh)

Te rinjte dhe mjedisi (Foto Atsh)

Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë një nismë për ndërgjegjësimin e brezit të ri për menaxhimin sa më të mirë të mjedisit.

Nën moton “Mjedisi vazhdimësia e jetës, për një mjedis të shëndetshëm në kuadër të iniciativave lokale”, ky projekt angazhon të rinjtë e 18 shkollave 9-vjeçare si edhe 8 shkollave të mesme, ku do të organizohet konkursi mbi dijet në sjelljen ndaj ambientit, si edhe aktivitete për mbajtjen pastër të mjedisit, pastrim dhe mbjellje të reja, përcjell “ATSH”.

Nën kujdesin e Bashkisë Elbasan, projekti “Shkolla e Gjelbër” në fushën e mjedisit me baza vullnetare, ka partner sektorin e Integrimit Europian të Projekteve Strategjike dhe Ndihmës së Huaj, Alko-Impex, Zyrën Vendore të Arsimit, organizata të shoqërisë civile, si edhe Drejtorinë e Mjedisit në Elbasan.

Pastrimi i zonave nga grupi i të rinjve ka nisur në objektet e kultit në Elbasan, në zonën e Kalasë, si dhe në objekte të rëndësishme historike e kulturore.

Ky aktivitet do të plotësohet edhe me informacione historike e mjedisore të zonës, si pjesë e trajnimit të të rinjve. Ciklin e menaxhimit të këtij projekti bashkia e ka ndarë në tri faza, ku në fund do të hidhet shorti për shkollën fituese, e cila do të vlerësohet me një bibliotekë me libra për shkollën, me informacione për qytetin, enciklopedi, mjedis, trashëgimi kulturore dhe histori. (Irma)