Muçostepa: Bashkëpunimi ekonomik me Kinë rrit mundësinë e promovimit të produkteve shqiptare
2022-11-11 11:39:12

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë, Ines Muçostepa, deklaroi për Grupin Mediatik të Kinës, se gjatë takimit për bashkëpunimin ekonomik me Kinën, ku ishte e pranishme dhe përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore e Lindore, ambasadorja Jiang Yu, pati një prani të bizneseve shqiptare për të promovuar produktet “Made in Albania”.

Sipas saj, një pjesë e tyre eksportohen tashmë në Kinë, një pjesë tjetër mund të eksportohen, duke shtuar dhe shifrat e eksporteve në Kinë, meqë dhe dimensioni është i madh.

“Potencialet e Shqipërisë vazhdojnë të jenë të rëndësishme, si në fushën e ekonomisë dhe në atë të shkëmbimeve tregtare. Në fushën e turizmit mbetet shumë për të bërë akoma”,- tha Muçostepa.

Ajo shprehu besimin për të nënshkruar marrëveshje për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Kinës, gjë që sipas saj mund të forcojë më tepër pjesën e turizmit për Shqipërinë, si dhe që të vendoset një linjë direkte mes Tiranës dhe Pekinit.

Muçostepa tha se kjo vërtet do të ndryshonte dhe mundësitë e deritanishme për të pasur zhvillim në ekonominë shqiptare, duke i dhënë përparësi një numri më të madh të personave që do ta vizitonin Shqipërinë. (Irma)