Renada Caci:Nga Pallati i Pionierëve tek suksesi
2022-11-10 10:01:52

Renada Caci, vajza që ka rrëmbyer zemrat e atyre që e duan shumë humorin, prej  shumë vitesh aktore e spektaklit televiziv “Portokalli” në televizionin Top Channel, ka ditur se si të ndërtojë karrierën e saj .

E guximshme dhe tepër këmbëngulëse ajo prej shumë kohësh e ndan jetën ndërmjet pasionit për aktrimin dhe biznesit të saj të vogël. Ajo e quan veten me fat për çdo gjë që ka arritur dhe gjithçka ka qenë e destinuar per të ndodhur, sipas Renadës.
Aktorja që i do shumë kafshët dhe e merr jetën me qetësi për të na dhënë humor dhe të qeshura, ndan detaje të jetës së saj për Grupin Mediatik të Kinës.
CMG: Renada, cili është kuptimi i emrit tuaj ?

Renada Caci: Kuptimi i emrit tim është shumë i veçantë dhe shpesh jam përpjekur që t'i gjej emrit një kuptim të denjë dhe të vërtetë, por asnjëherë nuk u ndala diku nëpër shpjegime. E veçanta e emrit tim është që e kanë shumë pak njerëz dhe kjo e bën një emër kaq unik. Nuk kam pranuar të nxjerr kuptimin si shumë njerëz por ta mbroj atë për vete .

CMG: Cilat janë pasionet tuaja më të forta ?

Renada Caci: Për mua mbetet aktrimi. Jam shumë e lumtur ta them këtë, por pa lënë mënjanë edhe moderimin. Moderimi mbetet një mundësi e mirë për të nxjerrë nga vetja emocionet më të bukura. Aktualisht unë jam në një periudhë të përmbushur të jetës sime dhe kjo lidhet edhe me pasionet sepse jam duke bërë gjërat për të cilat kam ëndërruar gjithmonë.

CMG: Si jeni bërë pjesë e botës së aktrimit?

Renada Caci:  Si çdo aktor i ri që vjen dhe bën audicione, edhe unë bëra të njëjtën gjë. Pasi prezantova punën time, u bëra pjesë e aktorëve të Portokallisë.
Kur kam qenë e vogël ëndrra ime ka qenë gjithmonë të bëhesha një këngëtare e madhe, mirëpo kot nuk thonë, ndonjëherë që çdo gjë është me fat. Shkoja te Pallati i Pionierëve kur isha fare e vogël, 7-8 vjeç dhe bëja mësim për kanto. Mbaj mend gjithmonë një regjisor, i cili më thoshte "ti kot e ke, do bëhesh aktore e madhe, sepse tek ty unë shikoj një talent shumë të madh për sa i përket botës së aktrimit" Dhe vërtet kështu ndodhi. Duke e ditur që bota e artit është shumë e egër, më shumë këtë e vura re pikërisht në fushën e këngës, ku pasioni ishte i shumtë nga ana ime, por jo çdo gjë varej nga unë. Kënga do mbetet pasioni im i dytë që do ta ushtroj shumë shpejt.

CMG: Cili ka qenë njeriu që ju ka mbështetur më tepër gjatë gjithë jetës ?

Renada Caci: Njeriu që ka qenë udhërrëfyese për mua dhe ka ditur se si të menaxhojë jetën time duke më përkrahur në çdo hap, ka qenë dhe vijon të jetë mami. Nje grua me tipare të forta, e cila nuk më la kurrë pas. Çdo pasion që kam pasur apo çdo ëndërr që kam dashur të ndjek, nëna ime ka qenë aty për t'i dhënë krahë. Marrëdhënia më e bukur dhe më e sinqertë, kam një mama të mrekullueshme që të gjithë do kishin zili ta kishin, sepse  nuk e kam mama, por më shumë shoqe që kujdeset për çdo gjë dhe flasim për shumë gjëra me njëra-tjetrën.


CMG: A keni besim tek vetja dhe a i thoni shpesh vetes "Bravo!"?
Renada Caci: Unë kam besim tek vetja dhe bëj pjesë tek njerëzit që me ngulm kam kërkuar të gjej gjithmonë një rrugëdalje. Si të thuash : " Edhe kur kam gjetur një vend parkimi e kam parë si sukses ". Njeriu për gjërat që i arrin vetë në jetë është shumë i lumtur.

CMG: Si do t'a nisnit përshkrimin e jetës , nëse jeta juaj do ishte si një rrëfim ?

Renada Caci: Na ishte njëherë një vajzë e fortë... që nuk e ktheu kurrë kokën në të kaluarën, por besoi shumë në të tashmen. Nëse ky do ishte stacioni im i fundit i lumturisë do ta jetoja tani dhe vetëm tani. Protagoniste në fëmijërinë time ka qenë dhe do mbetet gjithmonë gjyshja ime, e cila më ka rritur dhe falë saj unë sot gëzoj një super nostalgji për fëmijërinë time që e kujtoj shumë shpesh, sidomos kur dëgjoj këngë të vjetra, gjë që e bëja shpesh kur isha e vogël. Më ka marrë shumë malli të dëgjoj edhe njëherë përrallat e gjyshes time dhe ditët e bukura që kam kaluar bashkë me të.

CMG: Cili ka qenë momenti më tronditës në jetën tuaj ?

Renada Caci: Momenti më i vështirë në jetën time ka qenë kur unë humba gjyshen time . Falë zotit kam pasur pranë nënën time, e cila më ka qëndruar shumë pranë, por realisht në momentin kur gjyshja ime shkoi kësaj bote unë ndjeva se sa e rëndësishme është jeta. Mund të ngjajë "klishe", por do doja shumë t'iu thoja të gjithëve të doni jetën sikur të ishte dita juaj e fundit .

CMG: A është jeta e bukur në Shqipëri?

Renata Caci : Jeta e bukur është vetëm nëse ke një familje të shëndetshme dhe të bekuar. Për mua familja është gjithçka .

CMG: Ku e shihni veten në të ardhmen ?

Renada Caci: Veten në të ardhmen e shoh në kinema. Së fundmi unë jam bërë pjesë e serialit “Nina” dhe kjo më ka shtuar edhe më tepër dëshirën për t'u marrë me aktrim, por në teatër . Nuk dua ta le pa përmendur edhe faktin që duke qenë që kam moderuar emisione të ndryshme, të jetë edhe kjo një dritare e imja në të ardhmen.

Intervistoi:Megi Latifi