Foto nga VCG
Në kopshtin e pandave në kopshtin zoologjik “Pairi Daiza” në qytetin Bruegelet të Belgjikës jetojnë çifti i pandave “Xing Hui” e “Hao Hao” dhe 3 këlyshët e tyre. Më 30 mars të vitit 2014, me shoqërimin e mbretit belg Philippe Léopold Louis Marie dhe të mbretëreshës Mathilde d'Udekem d'Acoz, presidenti kinez Xi Jinping që ndodhej për vizitë shtetërore në Belgjikë, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së kopshtit të pandave.
Kjo ishte hera e parë që kopshti zoologjik “Pairi Daiza” priste një lider të huaj. Drejtori i kopshtit Eric Domb kujton: “Dy momente të bukura më kanë lënë përshtypje të thellë, i pari kur presidenti Xi Jinping përshëndeti punonjësit kinezë të ardhur nga Shangai, e dyta kur presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij mbollën një pemë në kopsht. Që nga viti 2014 deri sot, kjo pemë është rritur shumë.”
Eric Domb ka qenë i interesuar për kulturën kineze që nga fëmijëria, duke e vizituar këtë vend mbi 20 herë. Në vitin 2014, Eric Domb vizitoi provincën Siçuan të Kinës, duke shoqëruar pandat “Xing Hui” e “Hao Hao” në ardhjen e tyre në kopshtin zoologjik “Pairi Daiza”.
Eric Domb ndërtoi në kopshtin zoologjik edhe një kopsht kinez me një sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, i cili është kopshti më i madh klasik kinez në Evropë. Në këtë kopsht ka ndërtesa të stilit tradicional kinez dhe skulptura luanësh prej guri, kambana të bronzta dhe sende të tjera me karakteristika kineze. Pikërisht në këtë kopsht, mbreti Philippe Léopold Louis Marie e ftoi presidentin Xi Jinping për të pirë çaj.
Eric Domb kujton se presidenti Xi Jinping shprehu besimin se pandat “Xing Hui” e “Hao Hao” do të parapëlqeheshin nga populli belg. Sot kjo shpresë është realizuar, pandat janë bërë “yjet” e kopshtit zoologjik, duke tërhequr shumë vizitorë belgë dhe të vendeve të tjera evropiane.
“Shumë vizitorë vijnë çdo ditë në kopsht për të shikuar pandat dhe i njohin shumë qartë zakonet e jetës së tyre. Nuk ka asnjë kafshë tjetër që mund të tërheqë kaq shumë vizitorë, është vërtet një gjë e mahnitshme,” - tregon Domb.
Tim, ekspert i kafshëve në kopshtin zoologjik “Pairi Daiza” shprehet se panda është simboli i miqësisë midis Belgjikës dhe Kinës, ai është shumë i kënaqur për përshtatjen e shpejtë të pandave me jetën në Belgjikë. Ai thotë: “Jemi me fat që kemi pandat ‘Xing Hui’ e ‘Hao Hao’ në Belgjikë. Ato janë të buta dhe pas ardhjes në vitin 2014, kanë lindur 3 këlyshë, “vëllain” e madh ‘Tian Bao’ dhe “binjakët” ‘Bao Di’ e ‘Bao Mei’. Tani ne kemi 5 panda në kopsht.”
Që nga fundi i vitit 2014, ekspertja kineze Liu Yang erdhi në kopshtin zoologjik “Pairi Daiza” për kujdesjen ndaj pandave. Sipas saj, nëpërmjet pandave, më shumë belgë dhe evropianë fillojnë ta njohin Kinën dhe kulturën kineze. Liu Yang thotë: “Kam bërë shumë miq këtu, shumica prej tyre janë tifozët e pandave, mes të cilëve edhe shumë fëmijë. Pas 8 vitesh fëmijët janë rritur. Unë i njoh ata me kulturën, ushqime të shijshme, peizazhe të bukura kineze etj. Miqtë e huaj shpresojnë ta vizitojnë Kinën, Siçuanin dhe krahina të tjera me panda.”(Fani)