Kina do të përforcojë veprimet për të realizuar njëkohësisht reduktimin e ndotjes po ashtu edhe të emetimeve të karbonit, ndërsa po ecën përpara me objektivat e saj klimaterike. Kina synon të arrijë kulmin e emetimeve të dyoksidit të karbonit përpara vitit 2030 dhe të realizojë neutralitetin e karbonit përpara vitit 2060. Në 10 vitet e fundit, Kina ka arritur të pyllëzojë 64 milionë hektarë tokë dhe është bërë vendi me rritjen më të shpejtë të burimeve të saj pyjore në botë.
COP27, Sharm el-Sheikh(Foto:VCG)
Kina do të përforcojë veprimet për të realizuar njëkohësisht reduktimin e ndotjes po ashtu edhe të emetimeve të karbonit, ndërsa po ecën përpara me objektivat e saj klimaterike, deklaroi Zhao Yingmin, kreu i delegacionit kinez në konferencën COP 27 të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimaterike.
Zhao, po ashtu zëvendësministër i Ekologjisë dhe Mjedisit, e bëri deklaratën në një seminar të mbajtur në kuadër të COP 27 në Sharm el-Sheikh, në Egjipt, ku konferenca e OKB-së do të zgjasë deri më 18 nëntor. Kina synon të arrijë kulmin e emetimeve të dyoksidit të karbonit përpara vitit 2030 dhe të realizojë neutralitetin e karbonit përpara vitit 2060.
Zëvendësministri vuri në dukje se Kina ka bërë arritje të rëndësishme në dekadën e fundit në trajtimin e ndryshimeve klimaterike. Sipas tij, nga fundi i vitit të kaluar, përqindja e qymyrit në përzierjen e konsumit të energjisë në Kinë ra në 56 për qind, krahasuar me 72.4 për qind në vitin 2005.
Fermë e prodhimit të eletrikut me erë, Zhoushan, provincë Zhejiang, Kinë Lindore(Foto:VCG)
Kapaciteti total i instaluar i vendit për prodhimin e energjisë së rinovueshme është rritur në 1.1 miliardë kilovat, me kapacitetin gjenerues të energjisë hidrocentrale, erës, diellit dhe biomasës që renditet në krye në botë. Falë përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur ruajtjen e energjisë dhe reduktimin e emetimeve të karbonit në industritë kryesore si çeliku, alumini elektrolitik dhe çimentoja, sipas zëvendësministrit kinez të Ekologjisë dhe Mjedisit konsumi i energjisë në vend dhe emetimet e dyoksidit të karbonit për njësi të Prodhimit të Brendshëm Bruto ranë përkatësisht me 2.7 për qind dhe 3.8 për qind në vitin 2021.
Në 10 vitet e fundit, Kina ka arritur të pyllëzojë 64 milionë hektarë tokë. Deri më sot, sipërfaqja e përgjithshme e pyjeve të krijuara nga njeriu në Kinë ka arritur në 87.6 milionë hektarë. Sipas zëvendësministrit Zhao, Kina ka regjistruar rritjen më të shpejtë të burimeve të saj pyjore në botë. Meqenëse shumë ndotës dhe dyoksid karboni ndajnë të njëjtin burim, Kina e ka bërë veprimin sinergjik të reduktimit të ndotjes dhe emetimeve të karbonit si fokus kryesor në përpjekjen e saj për të promovuar tranzicionin e gjelbër gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.
Fermë e prodhimit të elektrikut me energji diellore, Xinjiang, Kinë Veriperëndimore(Foto:VCG)
Ndërsa Kina përshpejton përpjekjet e saj për të promovuar modernizimin e karakterizuar nga harmonia midis njerëzimit dhe natyrës, vendi do të zhvillojë mënyra prodhimi dhe stile jetese që mund të favorizojnë më mirë formimin e një sinergjie të tillë, tha Zhao. Kreu i delegacionit kinez në konferencën COP 27 të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimaterike dhe zëvendësministri i Ekologjisë dhe Mjedisit deklaroi se së bashku me palët e tjera, Kina është e gatshme të prezantojë më shumë politika që mund të koordinojnë më mirë reduktimin e ndotjes dhe emetimit të karbonit, zgjerimin e hapësirës së gjelbër dhe rritjen ekonomike, në mënyrë që të mund të kontribuojë më shumë urtësi dhe forcë kineze në ndërtimin e një bote të pastër dhe të bukur.