Rezarta Xhakollari, meteorologia që na informon për motin çdo ditë
2022-11-09 09:49:07

Rezarta Xhakollari ka mbaruar studimet për gjeografi në Universitetin e Tiranës, dhe prej 20 vitesh punon si meteorologe. Asaj i ka pëlqyer bota e televizionit që kur ishte në moshë të vogël dhe tashmë është pjesë e televizionit prej tetë vitesh duke përcjellë informacionin e shërbimit meteorologjik për publikun. Aktualisht punon në Radio Televizionin Shqiptar, ku çdo mëngjes informon publikun rreth parashikimit të motit. Rezarta është profesioniste në fushën e meteorologjisë, dhe gjithmonë informacioni që ajo përcjell është një analizë e gjerë mbi parashikimin sinoptik në vend.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Rezarta  tregon për rrugëtimin e saj në këtë profesion si dhe pasionet e tjera që e shoqërojnë në jetën e përditëshme.

CMG: Keni vite që jeni pjesë e medias shqiptare, sepse keni punuar në disa telvizione dhe tashmë jeni në RTSH. Ju pëlqen bota e televizionit?

Rezarta Xhakollari: Më pëlqen bota e televizionit, që e vogël më ka pëlqyer kinemaja ku tërhiqeshim pas filmave dhe ndiqnim Televizionin Shqiptar sepse ai ka qenë stacioni i  para viteve 90-të dhe më ka tërhequr bota e ekranit. Mua më rastësisi profesioni që të bëhem pjesë e radios dhe televizionit.

CMG: Si e zgjodhët profesionin e meteorologes?

Rezarta Xhakollari: Pyetje interesante dhe shumë e vlefshme për të gjithë ata që po na dëgjojnë, pasi shumë njerëz më pyesin sesi e parashikoj motin sepse është një profesion që janë pak persona në këtë fushë. Në vendin tonë dhe në Itali nuk ka shkollë të mirëfilltë për meteorologe dhe një meteorogol apo sinoptikan duhet të ketë mbaruar fizikë, matematikë dhe gjeografi. Unë zgjodha gjeografinë në fakultet edhe pse më pëlqente më tepër bota e artit, por gjeografia ishte një zgjedhje ku nuk mbeti gjë tjetër. Kështu që mbarova për gjeografi, që është shkenca që merret edhe me meteorologjinë sepse në fakultet kemi bërë dhe pjesërisht fizikë.

Sigurisht që ishte rastësore që unë pasi mbarova fakukltetin në vitin 2004 në Tiranë dhe rastësisht u bëra pjesë e shërbimit meteorologjik ushtarak, që është i vetmi institucion që merret me parashikimin e motit. Unë thjesht kisha parë në televizor të madhin Petrit Leka sepse ai para shumë viteve ka qenë pjesë e përditshmërisë sonë dhe ishte rastësi që unë hyra te ky institucion dhe pastaj vazhdoi puna.

CMG: Ju jeni një nga meteorologet që e përcillni parashikimin e motit për publikun në mënyrë profesionale. Besoj se përcjellja e këtij informacioni nga një specialiste e kësaj fushe është mirë dhe për pubklikun?

Rezarta Xhakollari: Unë të falenderoj për vlerësimin  dhe dua të falenderoj Radio Televizionin Publik Shqiptar, sepse është sezoni i gjashtë që më ka besuar këtë informacion. Është vërtetë informacion i pakët në kohë televizive dhe radiofonike, por është shumë i rëndësishëm sepse e kanë vlerësuar dhe e dinë se çfarë do të thotë që të japësh një informacion para një publiku. Moti që është informacioni i parë që del në të gjithë botën para se të dalësh nga shtëpia. Të paktën në vendin tonë ne e kemi një gamë shumë të vogël motin, por jashtë territorit të Shqipërisë moti është shumë i rëndësishëm në shumë fusha. Unë bëj parashikimin sinoptik, që do të thotë tokësor për publikun, por është pjesa tjetër ajo ajrore, që është aviacioni civil apo ushtarak që është tjetër informacion. Unë jam e përgatitur edhe për këtë pjesë për t’i dhënë informacionin pilotit.

Gjithashtu edhe në konfliktet në botë, i pari është moti që duhet të dihet sesi janë kushtet atmosferike për të nisur fluturimin. RTSH për kapacitetin që unë kam dhe mënyra sesi punoj për parashikimin e motit i ka dhënë seriozitet. Pa dashur të fyej televizionet e tjera që nuk e di sesi e marrin dhe e parashikojnë motin, por e denigrojnë për mendimin tim, sepse duhet të jesh matematikan apo fizikan ta bësh këtë  profesion të vështirë. Ti punon 8 orë para kompjuterit për një kohë dy minuta për të bërë një analizë dhe për të thënë se çfarë do të ndodhë. Koha televizive është e shkurtër, por puna është vërtetë e madhe dhe me përgjegjësi.

CMG: Ju e përmendët më sipër të madhin Petrit Leka, por besoj që dhe ju po ndiqni rrugën e tij në këtë profesion.

Rezarta Xhakollari: Petrit Leka kishte mbaruar universitetin në Rusi për këtë fushë dhe siç e bënte ai parashikimin live, as unë dhe anjë tjetër nuk mundet. Po të bëjmë një historik të vogël sesi ka nisur parashikimi dhe sot ka avancuar, sepse ka super kompjutera potentë dhe satelitë në gjithë hapësirën. Flas për kontinentin europian, ku ti merr pamje satelitore sepse janë një sërë modelesh. Në atë kohë shërbimi meteorologjik ushtarak kishte një marrëdhënie me Sofien në Bullgari, ku ishte qendra meteorologjike dhe merrnin ato pak të dhëna për motin me radioshkruese me kod. Merreshin disa të dhëna dhe prodhoheshin disa modele minimale, si presioni i ulët dhe presioni i lartë, duke arritur të bënin një parashikim.

Në parashikim sigurisht që gabohej më shumë sepse aq ishin të dhënat dhe informacioni, të cilat përpunoheshin ashtu siç funksiononte çdo institucion shqiptar me përgjegjësi. Arrinin të bënin këtë analizë ku çdo mbrëmje i ndjeri Petrit Leka përgatitej dhe dilte live para publikut dhe e jepte parashikimin në atë mënyrën e tij shumë natyrale, bindëse dhe serioze sepse ishte një profesor në këtë fushë. Sot teknologjia ka bërë punën e vet dhe sigurisht që ka shumë informacione për parashikimin e motit, por duhet të ketë peshën e tij sepse është një analizë. Unë e analizoj një atmosferë, ku edhe tani që është koha me diell nuk duket njëlloj, asnjëherë nuk është njëlloj por çdo ditë ndryshon.

CMG: Mendoni  se keni bërë zgjedhjen e duhur me këtë profesion dhe a ndjeheni e plotësuar profesionalisht?

Rezarta Xhakollari: Mendoj që po, sigurisht që jam e plotësuar me profesionin sepse tashmë është bërë viti i 19-të  dhe kam hyrë për 20 vjet që jam meteorologe. Periudha në televizion është për mua viti i tetë bashkë me pjesën që kam punuar dhe në një media private dhe tani jam te televizioni shtetëror. Absolutisht që kërkoj më shumë, nuk jam e kënaqur. Fusha ime e arrirë është një punë që e bëj tashmë me shumë qejf dhe pasion sepse është bërë një kohë e gjatë që unë ushtroj këtë profesion dhe mendoj që ka qenë e destinuar që unë do isha meteorologe.

CMG: Përveç këtij pasioni dhe profesioni tashmë si meteorologe, keni të tjera pasione në jetë?

Rezarta Xhakollari: Mua më pëlqen sporti dhe noti dhe kur gjej kohën e lirë merrem pak me sportin. Kam filluar të bëj dhe sportin malor sepse më tërheq gjithmonë edhe nga profesioni, por kam bërë gjeografi për të njohur më mirë terrenet. Një të dielë kam qenë në malet e Ostrovicës dhe ishte shumë interesante sepse përshkuam një rrugë në juglindje. Ishte mali më i lartë në juglindje të vendit tone, ku në Pogradec kishte mjegull  dhe siç unë e përmend shpeshherë që këto ditë parashikoj mjegull, ajo dukej shumë interesante në liqenin e Pogradecit. Klima ndryshonte shumë nga Tirana, sepse  ishte një klimë e ftohtë, erë. Shpresoj që ta bëj sportin malor në këtë periudhë sepse është shumë interesante dhe për të njohur mirë klimën dhe zonat e thella rurale.

Unë e theksoj gjithmonë që Shqipëria nuk është Tiranë, por është veri-jug, qendër si dhe zona rurale është shumë e rëndësishme. Televizioni shqiptar ka valët në të gjithë skajet më të thella të vendit dhe unë e ndjej se më shkruajnë për ditë që e ndjekin TVSH-në dhe sigurisht edhe pjesën e motit, pasi është shumë i rëndësishëm.

CMG: Jemi në muajin nëntor dhe temperaturat janë mbi mesataren. Pse ndodhi ky fenomen këtë vit?

Rezarta Xhakollari: Është e vërtetë dhe në fakt analizat që ka bërë qendra europiane e cila është lider në Europë  dhe kanë bërë një parashikim që do ishte një tetor dhe një nëntor mbi mesataren e muajit. Prej shumë vitesh është një tetor i parë dhe të paktën një fillim nëntori që jo vetëm vendi ynë, por e gjithë Europa është me mungesë të theksuar. Unë mendoj se janë disa faktorë, por është një proces i atmosferës.

Në vitet e fundit ne po përjetojmë të paktën një nxehje të atmosferës dhe mbase pas 100 vjetësh do rikthehet prapë cikli tjetër i akullnajave. Është një proces sepse atmosfera gjithmonë është e paparashikueshme. Është cikloni afrikan që unë e kam përmendur shumë herë, ku dhe publiku e dëgjon dhe e fikson nga vjen kjo gjë. Është shumë i fuqishëm sepse është nxitur  anticikloni afrikan, që tashmë duhet të ishte larguar në fund të tetorit, por ngaqë është shumë i fuqishëm ka shkaktuar këtë anomali. Është vërtetë një anomali që ka shkaktuar këto temperatuara të larta edhe në muajin nëntor, që do shënohet në regjistrat e meteorologëve.

CMG: Parashikoni një dimër të butë apo të ashpër këtë vit?

Rezarta Xhakollari: Edhe nëntori do të jetë muaj i thatë dhe me temperatura të larta, të paktën deri në dhjetor që janë bërë analizat me të dhënat e klimetalogjisë, do jetë i butë dhe me temperature mbi mesataren. Parashikohet të kemi dëborë në muajt dhjetor, janar dhe shkurt dhe bora parashikohet që do të zbresë deri në bregdet, por nuk do të jetë ndonjë dimër i ashpër dhe i ftohtë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Rezarta Xhakollari: Përshëndes dëgjuesit e Radio Ejani, duke ju uruar mbarësi dhe muaj të mbarë.

Intervistoi: Gazmend Agaj