Tirana shpallet zyrtarisht “Qyteti Evropian i Sportit 2023”
2022-11-09 16:35:20

Tirana merr zyrtarisht titullin “Qyteti Evropian i Sportit” për vitin 2023. Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një mesazh në “Facebook”, ku u shpreh krenar për marrjen e këtij titulli, që do t’i japë një fokus të veçantë këtë herë sportit.

“Sot është një ditë fantastike për Tiranën tonë. Kemi punuar shumë për t’ia mbërritur kësaj dite. Patëm një nga kampionatet më të bukura të peshëngritjes në Evropë, kemi kampionë si Brikeni dhe Erkandi. Jam shumë krenar për të gjithë punën që është bërë. Jam shumë krenar që ekipi ynë i mundjes, po ashtu edhe Zelimkhan Abakarov, i cili sot është Kampion i Botës, ka mundësi të trajnohet në palestrat e mundjes. Pas gjithë këtyre punëve, ju e dini që ne jemi përpjekur gjithmonë që ta ngremë lart emrin e Tiranës”, -tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha gjithashtu se aktivitetet për rininë do të vazhdojnë deri në fund të vitit. (Elona)