Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje të mëtejshme
2022-11-09 10:12:13

Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit  konstaton se pasojat e goditjes së ofertës të huaj në ekonominë shqiptare po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Në veçanti, analiza e informacionit të disponuar sugjeron se presionet inflacioniste po vijnë në rritje dhe baza e tyre shfaqet në zgjerim. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ky gjykim bazohet në vijimin e pranisë së çmimeve të larta në tregjet botërore, kërkesën relativisht të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, shfrytëzimin në rritje të kapaciteteve prodhuese, si dhe në rritjen e nivelit të pritur të inflacionit nga agjentët ekonomikë.

Keshilli Mbikqyres i Bankës së Shqipërisë(Foto BSH)

Keshilli Mbikqyres i Bankës së Shqipërisë(Foto BSH)

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje të mëtejshme në tremujorin e tretë. Ky inflacion regjistroi një vlerë mesatare prej 7.9% gjatë tremujorit, duke shfaqur dhe rritje progresive gjatë tij. Në këndvështrimin e shportës së konsumit, rritja e inflacionit pasqyroi  në masën më të madhe  rritjen e çmimit të ushqimeve, të naftës dhe të kostove të transportit. Këta grup-artikuj gjeneruan rreth 80% të inflacionit total në tremujorin e tretë. Megjithatë, rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend. Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste.”- shprehet guvernatori Sejko.

Situata me inflacionin ka sjellë edhe një rritje të mëtejshme të kostove të prodhimit.

“Në këndvështrimin makroekonomik, rritja e inflacionit pasqyron  në masën më të madhe  presionet e forta që vijnë nga ambienti i huaj, por dhe një kontribut në rritje nga ambienti i brendshëm. Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve. Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, pozicion i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton një shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave. Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes.”- tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Sipas argumentit të dhënë ky normalizim është i nevojshëm për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2024. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë do të ndihmojë ruajtjen e stabilitetit të brendshëm monetar dhe financiar dhe do të krijojë kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Sipas Bankës Qëndrore edhe përballë këtyre goditjeve, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë vitit 2022.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% në tremujorin e dytë. Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se rritja ekonomike ka vijuar të mbetet në territor pozitiv edhe në tremujorin e tretë. Ajo u mbështet nga zgjerimi i konsumit privat dhe i eksportit të mallrave e të shërbimeve. Kjo ecuri u pasqyrua në zgjerimin e sektorit të shërbimeve, të bujqësisë dhe të degëve të caktuara të sektorit të industrisë, si dhe në rritjen e mëtejshme të punësimit dhe të pagave në sektorin privat. Këto të fundit shënuan një rritje vjetore prej 11.9% në tremujorin e dytë, duke ilustruar si kërkesën solide për punë ashtu edhe rënien e vazhdueshme të normës së papunësisë.”- tha guvernatori.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të mbështetet nga një ambient financiar stimulues, ndonëse intensiteti i stimulit monetar ka ardhur drejt reduktimit.

“Tregjet financiare në vend vijojnë të jenë të qeta, likuiditeti në to është i mjaftueshëm për plotësimin e nevojave të ekonomisë, normat e interesit janë ende akomoduese, ndërsa kursi i këmbimit vijon të shfaqet i fortë dhe i qëndrueshëm. Ky ambient financiar ka mundësuar ruajtjen e ritmeve të rritjes së kredisë për sektorin privat. Në muajin shtator, ky portofol regjistroi një rritje vjetore prej 13.9%, duke mbuluar nevojat për fonde – në lekë e në valutë – të bizneseve dhe familjeve shqiptare.”- thekson Sejko.

Guvernatori Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërise)

Guvernatori Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërise)

Megjithatë, ritmi i rritjes së ekonomisë ka ardhur në ngadalësim pas tremujorit të parë.

“Ky ngadalësim pasqyron efektet negative që burojnë nga nivelet e larta të inflacionit, në vend dhe në botë. Ndër të tjera, këto efekte shfaqen në formën e rritjes së pasigurisë së bizneseve, të shtrëngimit të detyruar të kushteve të financimit, të tkurrjes së fuqisë blerëse të familjeve, si dhe të shtrenjtimit të faturës së importit të ekonomisë shqiptare.Projeksionet tona të skenarit bazë për dy vitet e ardhshme, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim.”- shprehet me tej.

Inflacioni pritet të mbetet i lartë në tremujorin e katërt të vitit aktual, por të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024.

“Ky projeksion mbetet i kushtëzuar nga vijimi i procesit të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Gjithashtu, ai faktorizon pritjet tona për stabilizimin e çmimeve në tregjet e huaja dhe për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në vend.”

Sipas analizave të bërëa rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes do të vijë në ngadalësim në afatin e shkurtër dhe do të përshpejtohet në afatin e mesëm.

“Rritja ekonomike do të vijojë të ushqehet nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, nga zgjerimi i mëtejshëm i eksporteve shqiptare, si dhe nga ulja e pasigurisë në përgjigje të reduktimit të pritur të inflacionit. Po ashtu, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të përfitojë nga një ambient i qëndrueshëm monetar dhe financiar. Në veçanti, bilancet financiare të shëndosha dhe likuide të sektorit bankar japin garanci se ky sektor do të vijojë të mbështesë me fonde bizneset dhe familjet shqiptare, duke ndihmuar si zgjerimin e konsumit dhe të investimeve ashtu edhe mbulimin e nevojave të përkohshme për likuiditet.”

Inflacioni (Foto Business magazine Albania)

Inflacioni (Foto Business magazine Albania)

Banka e Shqipërisë thekson se ambienti i përgjithshëm mbetet sfidues dhe projeksionet për të ardhmen rrethohen nga pasiguri të shtuara. Këshilli Mbikëqyrës vendosi: të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.25% në nivelin 3.75%  dhe të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës një ditore, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%.