Çifti i lumtur skene nga filmi (foto aqf)
Çifti i lumtur është film komedi me metrazh të gjatë, që mban firmën e regjisorit Piro Milkani, prodhuar më 1976. Skenari është shkruar nga Kiço Blushi, Piro Milkani e Bik Pepa. Ndërsa muzika është kompozuar nga Agim Krajka dhe vjen si prodhim i Kinostudios Shqipëria e re.
Ky është shënimi që shkruhet në skedën e filmit me të cilin është arkivuar në skedarin e Arkivit të Filmit. Të gjithë ne e dimë se pas këtij titulli, qendron një nga filmat më të bukur të zhanrit të komedisë, suksesi i të cilit erdhi me një kast aktorësh të mrekullueshëm.
Ngjarja që tregon filmi duhet parë në kontekstin e kohës. Kjo komedi e mrekullueshme e viteve ’70, tregon historinë e dy të rinjve që u përkasin besimeve të ndryshme fetare dhe vendosin të martohen me njëri-tjetrin, duke ua bërë të njohur dashurinë prindërve të tyre. Në takimin midis dy baballarëve i ati i djalit, një konservator i rrethuar nga gruaja dhe halla, i krijonë një histori, duke përfshirë situata komike. Pasi nuk e fsheh dot faktin, se nuk e do vajzën që vjen nga “një fe tjetër”, ai nxjerrë justifikime pas justifikimesh, që kjo lidhje të bëhet e pamundur. Në të përfshihet edhe brigadieri i ndërmarjes, një personazh që përfaqëson emancipimin, i cili në bashkpunim me djalin dhe të atin e vajzës, i kërkon ta pranojë këtë fejesë. Babai i djalit më në fund dorëzohet përpara dashurisë së dy të rinjve.
Filmi, që pati një sukses të menjëhershëm dhe një jehonë që ka zgjatur me vitet, në fakt, ka një të kaluar tjetër. Kjo komedi, përpara se të bëhej film, u shkrua si komedi për skenën nga autori Shkodran Bik Pepa dhe me regjinë e Serafin Fankos erdhi premierë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në dhjetor të vitit 1974. Ky teatër ku komedia u shfaq për herë të parë me një sukses të jashtëzakonshëm, ka publikuar materiale dhe foto për këtë komedi, që më pas u bë dhe film. Sipas arkivave të këtij teatri, me datën 14.12.1974, në skenën e teatrit u luajt para spektatorit shkodran premiera "Çifti i lumtur". Regjisor ishte Serafin Fanko, skenograf Bep Shiroka, piktor ekzekutues Lec Fishta dhe inspektor skene Çesk Vuksani”, shkruan teatri i Shkodrës ”. Në role interpretuan aktorë të njohur të atyre viteve. “Fanatiku”, u luajt nga vetë aktori Bep Shiroka, të cilit iu besua më vonë, në vitin 1976 i njëjti rol edhe në film.
Çifti i lumtur ne sallen e Teatrit Migjeni (foto aqf)
Shfaqja kish qenë më herët, një prej komedive më të suksesshme të teatrit “Migjeni” në Shkodër. Në ato vite, Bep Shirokën askush nuk e njihte për aktor, por vetëm si skenograf. Ai, duke qenë edhe skenografi i komedisë që po vihej në skenë, dinte çdo batutë përmendsh, por një ditë ishte gjetur ngushtë, kur në provat që po bënin në skenë, aktori mungonte. Atëherë ia kishin dhënë rolin atij dhe ai kishte interpretuar aq bukur, sa prej asaj dite, Bep Shiroka la skenografinë dhe u bë aktor, duke shënuar me rolin e “Fanatiku” një prej kryeroleve të tij.
“E shoqja e fanatikut” u interpretua si edhe në film nga aktorja Tinka Kurti, “halla e Fanatikut” ashtu si edhe në film u interpretua nga aktorja Vitore Nino, gjithashtu, “vajza” që dashurohet u interpretua si në teatër, ashtu edhe në film nga Marije Qyrsaqi, një vajzë e re vetëm 25 vjeç kur mori atë rol, ndërsa “djali” që në teatër interpretohej nga Nefail Piraniqi, në film u zëvëndësua nga aktori Niko Kanxheri.
Kur regjisori Piro Milkani e zgjoni Niko Kanxherin, për atë rol, aktori i ri nuk dukej të ishte shumë i prirur drejt komedisë, por Pirro Milkani e bindi. Në kinoprovë ai bëri pjesën ku me shkrepëse i ndez cigaren vjehrrit të ardhshëm. Aty dogji dorën, ndaj u shkatuan të qeshura, duke I bindur të gjithë se ai mund të lunate edhe komedi. Regjisori Milkani I besoi Kanxherës një rol, i cili në fakt, është edhe sot shumë popullor.
Duke iu kthyer shfaqjeve në teatër, në materialet që ka publikuar teatri “Migjeni” i Shkodrës thuhet se deri në shfaqjen e shtatë kjo vepër teatrore u ndoq nga 3400 spektatorë. “Kjo komedi është shfaqur më shumë se 10 herë.
Çfti i lumtur ne sallen e Teatrit Migjeni1 (foto aqf)
Që në fillim të viti 1975 kjo komedi u bë një frymëzim për Kinostudion " Shqipëria e Re", e cila realizoi një nga filmat e saj më të suksesshëm," Çifti i lumtur". Premiera e filmit me regji nga Piro Milkani u shfaq më 19 tetor të vitit 1975. Skenaristë ishin Bik Pepa, Kiço Blushi dhe Pirro Milkani.
Bik Pepa lindi në Shkodër dhe u shkollua në gjimnazin françeskan “Illyricum” dhe më tej në Fakultetin e Gjuhë Letërsisë së Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë. Bik Pepa e nisi që i ri veprimtarinë e vet krijuese e artistike. Fillimisht u evidentua si poet lirik, duke demonstruar talent. Por jeta e tij krijuese e artistike do ti përkushtohej teatrit të estradës dhe të komedisë, për të cilat ai shkroi shumë pjesë duke përfshirë edhe komedinë “Çifti i lumtur”.
“Çifti i lumtur”, mbetet gjithnjë një film për t’u parë, për energjinë që ka, për atmosferën, për guximin për të përcjellë një mesazh, në raport me romancën.
Në kinemanë shqiptare, para viteve ‘90, ende shumë gjëra nuk shfaqeshin me guximin e duhur, ishte gjithçka brenda një kornize. Kurse me këtë film të Piro Milkanit ne ndeshim personazhe shumë simpatikë që luhen nga aktorë si Bep Shiroka, Tinka Kurtit, Niko Kanxheri, Vitore Nino, Paulin Preka apo Nikolin Xhoja, të cilët e ndërtojnë historinë në një mënyrë brilante. “Çifti i lumtur” është një ndjesi shumë e mirë, një film që duhet parë, nëqoftëse duam batuta, duam të qeshim, duam të gëzojmë. Është një film, që e nisi historinë në teatër dhe u shndërrua në kryekomedinë e kinemasë.
Neritana Kraja