Të dielën u zhvilluan në qytetin Novi-Sad të Serbisë Forumi Rinor Kinë-Serbi “E ardhmja e re” dhe shfaqja e videove të të rinjve Kinë-Europë Qendrore e Lindore me temën “Rinia shumëngjyrëshe”, të organizuara nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Në këto veprimtari morën pjesë zyrtarë qeveritarë serbë, studiues, gazetarë, artistë të rinj, studentë etj. Në forum, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime për rëndësinë e modernizimit kinez për zhvillimin botëror e përparimin njerëzor, mundësitë e reja që ofron Kina për të rinjtë e botës, rolin e rinisë në zhvillimin botëror etj.
Në videofjalimin e mbajtur në veprimtari, përfaqësuesja e posaçme e Kinës për çështjen e bashkëpunimit Kinë-EQL Jiang Yu u shpreh se shkëmbimet njerëzore janë themeli i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të ndryshme. Ajo shprehu shpresën se këto veprimtari do të bëhen një pikënisje e re për shtimin e mirëkuptimit dhe për forcimin e miqësisë ndërmjet Kinës e vendeve të EQL-së nëpërmjet shkëmbimeve mes të rinjve të të dy palëve. (Fani)