Foto: VCG
Sot është dita e mbrojtjes nga zjarri në Kinë, prandaj le të takohemi me një amerikan që jeton në Kinë për më shumë se 30 vjet. Sot do të tregojmë eksperiencat e punës së tij vullnetare si zjarrfikës në Kinë dhe jetën e tij në këtë vend.
William N. Brown, është i huaji i parë që mban "Kartën jeshile kineze" në provincën Fujian të Kinës Juglindore, domethënë rezidenti i parë i përhershëm i huaj aty. Ai jep mësim në fakultetin e Menaxhimit të universitetit Xiamen që nga viti 1988. Aktualisht është ekspert i huaj në Qendrën Edukative të Administrimit të Biznesit të universitetit Xiamen dhe profesor në këtë fakultet.
William ishte një zjarrfikës vullnetar dhe kishte ëndrra të bëhej një zjarrfikës me kohë të plotë. Ai ka jetuar në Xiamen për më shumë se 30 vjet dhe tashmë ka zënë rrënjë këtu. Në vitin 2006, ai u lidh me mbrojtjen nga zjarri në Xiamen, si ambasador imazhi i Shërbimit Zjarrfikës.
Kështu ai pati mundësinë të njohë më tej Xiamenin nga perspektiva e sigurisë urbane dhe të ndjejë më thellë rëndësinë e sigurisë nga zjarri për zhvillimin urban.
Ai prezantoi shërbimin e Mbrotjes nga Zjarri në Xiamen me miqtë e huaj, solli më shumë njohuri për publikun e gjerë dhe u mësoi studentëve demonstrimet më të mira të sigurisë nga zjarri. Ndërsa ishte dëshmitar i zhvillimit të shpejtë të Zonës së Posaçme Ekonomike Xiamen, ai gjithashtu kontribuoi për sigurinë urbane nga zjarri, duke qenë krenar për këtë.
Foto: VCG
William thotë se nëse njerëzit do t'i kushtonin më shumë vëmendje sigurisë nga zjarri, shumë rreziqe për jetën dhe dëmtimet pronësore mund të shmangeshin. Për veten dhe njerëzit përreth, William shpreson që të gjithë të mund t'i bashkohen leksioneve kolektive për shuarjen e zjarreve.
Në fakt, William nuk është i përfshirë vetëm në ndërtimet urbane të mbrojtjes nga zjarri, por ai ka qenë gjithashtu edhe shumë i gatshëm për t'i treguar botës historitë e njerëzve të zakonshëm kinezë.
Për shkak të dashurisë së tij për kulturën kineze, William erdhi në Kinë në vitin 1988. Në vitin 1994, ai përshkoi më shumë se 40 mijë kilometra për të udhëtuar rreth Kinës dhe në 2019-ën, ai përfundoi një udhëtim tjetër prej 20 mijë kilometrash në Kinë. Në 25 vite, nga 1994-ta deri në 2019-ën, ai zbuloi dhe regjistroi shumë histori të jashtëzakonshme nga kinezë krejt të zakonshëm.
"Pasi erdha në Xiamen të Kinës në vitin 1988, zbulova shpejt se Kina nuk është ajo që raportojnë mediat perëndimore. Fillova të shkruaj letra për t'i treguar familjes dhe miqve të mi se si është Kina. Në atë kohë, kur flisja për Kinën nga një perspektivë më të gjerë, ata më keqkuptuan. Mendonin se ishte një lloj propagande politike." William vazhdon rrëfimin e tij: "Më vonë, gradualisht kuptova se mënyra më e mirë është që të tregoj eksperiencat e kinezëve të thjeshtë, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se si janë ata, njerëz që duan familjet, që ndjekin ëndrrat e tyre dhe patriotë. Kur u tregoj atyre për jetën e kinezëve të zakonshëm, amerikanët preken thellë”.
William ndau një histori të shkurtër kur shërbeu si ekspert i aktivitetit "Tregoni histori kineze në anglisht" në vitin 2020. "Duke folur për epideminë e Covid 19, mes studentëve kishte edhe nga ata që kishin familjen në Wuhan në atë kohë, madje babai i njërit prej tyre ishte mjek. Të gjithë njerëzit nga Wuhani përdorën përvojat e tyre për të treguar se si e përjetuan atë kohë të veçantë. Duke i dëgjuar ata, u preka thellësisht. Prandaj, të rinjtë duhet të tregojnë historitë e tyre personale.” William beson se këto përvoja kaq të gjalla dhe jetike duhet të bëhen të njohura për botën, në mënyrë që shumë të huaj ta njohin më mirë Kinën.
Pas mbi 30 viteve, William, një i ri amerikan që është kurioz për Kinën, është bërë gjithashtu një dëshmitar i të gjitha historive klasike të këtij vendi. Ai është gjithashtu një tregimtar i historive kineze. Në mes të ndryshimeve të shpejta të Kinës, ai ka parë me sytë e tij ngritjen dhe zhvillimin e këtij vendi, duke rrëfyer mrekullitë e Kinës me penën e tij.
"Sa më shumë të mësoni për Kinën, aq më pak dini për të. Në një vend kaq të madh dhe që ndryshon kaq shpejt, edhe vetë kinezët nuk janë të bindur për të thënë se e njohin mjaftueshëm Kinën. Prandaj më duhet të vazhdoj të studioj dhe hulumtoj."
Në kohën e tij të lirë, William shëtit qenin e tij në kampusin e universitetit Xiamen, por fton edhe studentët për të pirë çaj së bashku në shtëpi. Ai mbledh pak nga pak histori nga jeta e zakoshme e kinezëve. Ai do të vazhdojë t’i shkruajë këto përvoja, të cilat dërgohen në gjithmonë e më shumë vende të botës. (Çang Çuo)