Kina nxit modernizimin me hapjen e nivelit të lartë
2022-11-08 17:33:52

VCG

VCG

Në raportin e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës është paraqitur qartë se zhvillimi cilësor është misioni i parë për ndërtimin e gjithanshëm të një vendi socialist modern. Lidhur me zhvillimin me cilësi të lartë, shumë krahina në Kinë kanë filluar ndryshimin e modelit të zhvillimit dhe kanë nisur inovacionin e bazuar te shkenca dhe teknologjia. Përveç kësaj, ka edhe një mënyrë të rëndësishme që është përmendur shumë herë në raportin e kongresit, e cila është “hapja”.

 

Hapja është reformë

 

Zv.kryetari i Komisionit të Ekonomisë të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez Ning Jizhe analizon që, “për hapjen me nivel të lartë, në raportin e Kongresit është vënë në dukje që, duke shfrytëzuar megatregun vendas, Kina do të tërheqë burimet globale me qarkullimin e brendshëm, do të shtojë efektet ndërlidhëse mes tregut vendas e atij ndërkombëtar dhe do të ngrejë cilësinë dhe nivelin e bashkëpunimit në tregti dhe investime”. Ning theksoi që, për zhvillimin cilësor, duhet të integrohet reforma me nivel të lartë dhe hapja me nivel të lartë. Reforma është në të mirë të hapjes, hapja është reformë dhe mund të nxitë procesin reformues, si dhe zhvillimin me cilësi të lartë.

 

“Tani zhvillimi ekonomik i Kinës është nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme, ndërkohë që kërkesa nga jashtë po luan rol të rëndësishëm. Për integrimin e qarkullimit të brendshëm dhe qarkullimit të jashtëm, kyçi është që të hiqen pengesat mbi këto dy qarkullime, posaçërisht ato që bllokojnë nxitjen e ndërsjellë mes dy qarkullimeve, si edhe të shtohen gjallëria e brendshme dhe qëndrueshmëria e qarkullimit të brendshëm, duke ngritur cilësinë dhe nivelin e qarkullimit të jashtëm,” vë në dukje Ning Jizhe.

 

Për hapjen e Kinës, edhe zv.drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës (CCIEE), Wang Yiming, u shpreh që “në raportin e Kongresit të 20-të është dhënë përgjigje e qartë për disa dyshime ndërkombëtare, duke vënë në dukje që Kina do të nxitë në mënyrë të vendosur reformën e hapjen, si edhe reformat për ekonominë socialiste të tregut”.

 

Wang theksoi që, përpara shtimit të zërave për çglobalizim, unilateralizëm dhe proteksionizëm, modeli i ri i zhvillimit është një veprim aktiv i Kinës për përballimin e ndryshimeve të thella dhe të ndërlikuara ndërkombëtare. “Por kjo nuk do të thotë mbyllje e portës. Qarkullimi i brendshëm dhe ai i jashtëm janë të pandashëm. Prej kohësh, Kina është integruar thellësisht në globalizim dhe në sistemin ndërkombëtar të ndarjes së punës. Qarkullimi i brendshëm ekonomik nuk mund të ndahet nga koordinimi i zinxhirëve globalë të industrisë dhe furnizimit, dhe përparimi teknologjik industrial nuk mund të ndahet nga bashkëpunimi dhe konkurrenca ndërkombëtare. Ne do të ngremë cilësinë dhe nivelin e qarkullimit të jashtëm dhe do ta ndërlidhim më ngushtë me ekonominë botërore,” vuri në dukje Wang Yiming.

 

VCG

VCG

Hapja, jeta e portit të tregtisë së lirë

 

Hapja është simboli i qartë i Kinës së sotme dhe është konsideruar si jetike për Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it. Po të hedhim një vështrim në dhjetë vjetët e fundit, tema më e rëndësishme është thellimi i gjithanshëm i Reformës e Hapjes dhe pika më e dukshme është ndërtimi i portit të tregtisë së lirë.

 

Në raportin e kongresit është vënë në dukje që gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kina ka zbatuar “një strategji më aktive të hapjes, ka shpejtuar ndërtimin e zonave të tregtisë së lirë dhe portit të tregtisë së lirë të Hainan-it dhe nisma ‘Një brez, një rrugë’ është bërë një produkt publik global dhe një platformë e bashkëpunimit ndërkombëtar e parapëlqyer gjerësisht. Kina është bërë partnerja kryesore për mbi 140 vende e rajone të botës, vëllimi i tregtisë së mallrave i Kinës renditet në vendin e parë në botës dhe niveli i tërheqjes së investimeve të huaja dhe i investimeve kineze jashtë vendit zënë vendet e para të botës, duke formuar gjendjen e hapjes me sferë më të gjerë, fusha më të shumta dhe nivel më të thellë”.

 

Për këtë, delegatët e Hainanit kanë të njëjtin mendim, duke pohuar që hapja ka mbështetur zhvillimin e shpejtë të provincës së tyre. Liu Zhili është drejtori i shitjeve i grupit kinez CDF në qytetin Sanya të Hainanit. Ai thotë që ka punuar për 8 vjet në këtë sektor, duke dëshmuar zhvillimin e vrullshëm të biznesit.

 

“Politika ‘tatim-zero offshore’ ka hyrë në fuqi më 20 prill 2011 dhe deri tani janë bërë 11 vjet. Gjatë këtyre viteve janë përmirësuar pandërprerë llojet e mallrave, kufiri i blerjes e mënyrat e mbikëqyrjes dhe çdo herë kur janë rregulluar masat përkatëse, ato janë përshtatur më mirë me ndryshimin e strukturës, kërkesave, platformave dhe konceptit të konsumit të turistëve,” shprehet Liu Zhili.

 

VCG

VCG

Hapja është gjeni i qytetit

 

Dalian-i i Kinës Verilindore është një ndër qytetet me zonat e hapura më të shumta dhe më të plota në Kinë. Gjatë dekadës të fundit, Dalian-i ka vijuar misionin e hapjes dhe ka ndërtuar frontin e ri të hapjes, duke përmirësuar më tej mjedisin e hapjes, duke zgjeruar fushat e hapjes dhe duke forcuar vazhdimisht gjallërinë e hapjes.

 

Në mars 2022, presidenti i grupit amerikan “Goodyear” Richard Klammer shkroi një letër për kryetarin e bashkisë së Dalian-it, duke shprehur falënderime për mbështetjen e Dalian-it për rifillimin e prodhimit të fabrikës së “Goodyear”-it.

 

“Kjo është një dëshmi e mirë e karakterit të përgjegjshëm, guximit të veprimit e sakrificës dhe ka pasqyruar plotësisht mjedisin e biznesit në Dalian, gjë që unë e admiroj shumë,” u shpreh Richard Klammer.

 

Gjatë 10 vjetëve, Dalian-i ka krijuar afro 3 mijë ndërmarrje me investime të huaja dhe ka tërhequr 123 nga 500 ndërmarrjet më kryesore të botës, duke shfrytëzuar mbi 11.92 miliardë dollarë amerikanë investime. Rritja mesatare vjetore e këtij qyteti arrin në 9.2%. Vitin e kaluar, Dalian-i u rendit në vendin e parë në Kinë për rritjen e shfrytëzimit të investimeve të huaja, ndërsa sivjet vlera e shfrytëzimit të investimeve të huaja pritet t’i kalojë 2 miliardë dollarët, duke shënuar rekord të ri historik.

 

Qysh nga hyrja në fuqi e marrëveshjes RCEP, Dalian-i ishte i pari në Kinë që publikoi planin e veprimit për zbatimin cilësor të kësaj marrëveshjeje, duke ndërtuar një zonë ndërkombëtare biznesi me cilësi të lartë. Në periudhën janar-gusht të sivjetshme, vëllimi i import-eksportit të Dalian-it me vendet anëtare të RCEP-it shënoi rritje me 11.9 %, 4.4 pikë përqindjeje më shumë se mesatarja e qyteteve të tjera kineze.

 

 

Hainan-i dhe Dalian-i janë thjesht zona pilot për hapjen me botën e jashtme. Në fakt, në Kinë ka shumë krahina që janë hapur dhe po hapen më gjerë ndaj botës së jashtme. Siç thuhet në raportin e Kongresit të 20-të, Kina do të nxitë më tej hapjen me cilësi të lartë.

 

“Për hapjen, Kina do të nxitë më tej hapjen institucionale me rregulla, rregullore dhe standarde, do të zbatojë politikat për liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve, do të shkurtojë listën negative për hyrjen e investimeve të huaja dhe do të krijojë një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të ligjëruar dhe të ndërkombëtarizuar,” tha Wang Yiming-u. (Jiang Lei)