OBT, Shqipëria e dyta në botë përsa i përket normës së turistëve ndërkombëtarë
2022-11-08 10:08:52

Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë në vend të dytë në botë përsa i përket normës së turistëve ndërkombëtarë. Në “Barometrin e Turizmit Botëror”, publikuar me të dhënat e sektorit të turizmit në nivel global nga janari në korrik të vitit 2022, OBT konfirmon Shqipërinë me një rritje 19% krahasuar me vitin 2019, duke arritur një ndër performancat më të mira të rikuperimit të sektorit pas pandemisë. Të ardhurat nga turizmi rezultojnë të jenë më të larta edhe se 6-mujori i vitit 2019, që cilësohet edhe si viti më i mirë për sektorin e turizmit ku përgjatë gjithë vitit turistët sollën mbi 2 miliardë euro. Jo vetëm në të ardhurat e gjeneruara, por edhe në numër shifrat e turistëve kanë qenë të larta këtë periudhë. Sipas INSTAT, përgjatë 7-mujorit të këtij viti kanë hyrë në vend mbi 3.9 milionë vizitorë të huaj, 40% më shumë se e njëjta periudhë e vitit që lamë pas.

Bregdeti Shqiptar (Foto Monitor.al)

Bregdeti Shqiptar (Foto Monitor.al)

“ Deri në datën 20 gusht të këtij viti kemi pasur një milion vizitorë më shumë sesa viti 2019 që e mbajmë si më të mirin në shifrat e frekuencave turistike. Në vend shefat e kuzhinës janë kthyer për të kombinuar dijen e modernitetit kulinar të vendeve të ndryshme të Europës me traditën më të mirë të kulinarisë që ne kemi.” është shprehur më herët ministrja Mirela Kumbaro.

Në periudhën janar-gusht, Shqipëria numëroi mbi 5,6 milionë vizitorë të huaj, rreth 800 mijë më shumë se viti 2019, teksa vizitorët në zonat e mbrojtura (3,3 milionë në tetë muajt e parë të vitit) dhe preferenca e turistëve të huaj për rajonin e veriut (41%) tregojnë për një diversifikim të ofertës turistike dhe zgjatje të sezonit. Ndërsa pesha e turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto vlerësohet të jetë mbi 17%.

Organizata Botërore e Turizmit (Foto OBT)

Organizata Botërore e Turizmit (Foto OBT)

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e shpenzimeve nga turistët këtë periudhë është ndikuar edhe nga eventet sportive dhe kulturore të zhvilluara në vendin tonë, veçanërisht finalja e Conference League që solli tifozë e vizitorë të shumtë në vend duke  dhënë  ndikim jo të vogël aktivitetet e lidhura me turizmin. Po ashtu, vendi ka tregues pozitiv edhe në të ardhurat e gjeneruara prej turistëve të huaj, ku renditet në vend të katërt, me një rritje 32% krahasuar me të ardhurat e vitit 2019. Në eventin e organizuar në datë 27 shtator me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, ministrja Mirela Kumbaro njoftoi se ka nisur përgatitja për sezonin e ardhshëm turistik dhe çdo procedurë për vitin 2023 do të mbyllet brenda muajit dhjetor.

“Stacionet e plazheve, dhe stacionet për mjetet lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Nga data 1-30 dhjetor do të jenë të hapura aplikimet për certifikimin e aktivitetin për ofrimin e mjeteve lundruese, po ashtu është koha për të aplikuar edhe për stacionet. Në vitin 2023, 30% e plazheve do të jenë publike”, ka njoftuar ministrja.

Kryeminsitri Edi Rama disa ditë më parë në bilancin e sezonit turistik  u shpreh se sot turizmi përbën 17% të prodhimit të brendshëm bruto, nga 4% që ishte më parë.

Turizmi në Shqipëri (Foto botasot.info)

Turizmi në Shqipëri (Foto botasot.info)

“Kemi pasur një diversifikim shumë domethënës të fashave nga veriu në jug falë edhe investimeve të mirëmenduara që janë edhe pikat më tërheqëse të veriut sidomos një turizëm që ka sjellë disa vizitorë në disa qytete. Kjo shikohet edhe nga hotelet që kanë qenë plot e për plot dhe në rrugë digjitale. Turizmi ishte rreth 4 % kur ne e morëm drejtimin e vendit. Kemi qenë një vend pa turizëm. Sot është 17% në prodhimin kombëtar. Kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar prej disa vitesh që bëhej lajm për pisllëkun që dilnim në mediat e huaja si një vend pis, i ndotur. Kemi pasur një nga gangrenat më të mëdha të Shqipërisë. Fushën e plehrave të Durrësit e cila bënte lajm çdo verë”- është shprehur kryeminsitri shqiptar Edi Rama.